Ndërlidhjet

Planet për mbylljen e Guantanamos


Guantanamo Bay
Guantanamo Bay
Derisa bënte fushatë për president, Barack Obama është zotuar se do ta mbyllë qendrën e paraburgimit në bazën ushtarake amerikane në Guantanamo Bay të Kubas.

Një qëndrim i këtillë është parë të jetë në një vijë me pikëpamjet e opinionit në Amerikë, se qendra e paraburgimit për terroristët e dyshuar është në kundërshtim me praktikën normale ligjore në Shtetet e Bashkuara dhe se dëmton imazhin amerikan të të drejtave të njeriut në botë.

Meqë objekti i qendrës është jashtë territorit amerikan, të burgosurit atje nuk gëzojnë të drejtat e zakonshme ligjore, që ndryshe ofron ligji civil dhe ushtarak në Shtetet e Bashkuara.

Rreth 255 të burgosur vazhdojnë të mbahen në Guantanamo, qendër kjo e cila është krijuar nga administrata në largim e presidentit amerikan, George Bush, për të patur kontroll mbi të dyshuarit për terrorizëm, shumë nga të cilët ende nuk janë gjykuar.

Por, edhe vetë administrata e zotit Bush ka thënë shpesh se do të dëshironte ta mbyllë Guantanamon, por ende nuk ka gjetur ndonjë mënyrë më të mirë për t'u marrë me terroristët e dyshuar.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino, e ka ritheksuar këtë qëndrim.

"Këto çështje janë të ndërlikuara dhe ne kemi nisur një proces, për të cilin mendojmë se do të funksionojë, në mënyrë që t'i vëmë para gjyqit nëpërmjet tribunaleve ushtarake", tha zonja Perino.

Komentet e saj pasuan njoftimet se këshilltarët më të lartë të zotit Obama janë duke hartuar një plan për të zhvendosur të burgosurit nga Guantanamo në sistemin ligjor të Shteteve të Bashkuara.

Me një hap të këtillë, të burgosurit do të gëzonin të drejtat e tyre ligjore që ofrohen me Kushtetutën amerikane dhe do të merrnin fund teknikat e dhunshme të marrjes në pyetje, të cilat e kanë shndërruar Guantanamon në një qendër kundërthënëse.

Agjencia e lajmeve Associated Press citon tre këshilltarë të lartë që janë duke marrë pjesë në hartimin e planit, të kenë thënë privatisht se Obama pritet të propozojë një sistem të ri gjyqësor për shumë raste të rënda dhe të emërojë një komitet, i cili do të vendosë për mënyrën e funksionimit të një sistemi të këtillë.

Megjithatë, pas këtyre njoftimeve mbi nismën e presidentit të ri, njëri nga këshilltarët e tij të lartë mbi politikën e jashtme, Denis McDonough, ka lëshuar një deklaratë për opinion, duke thënë se "vendimi ende nuk është marrë, se si dhe ku do të gjykohen të burgosurit dhe se një proces i këtillë nuk do të nisë pa u mbledhur ekipet ligjore dhe të sigurisë kombëtare".

Ndërkohë, Unioni Amerikan për të Drejtat Civile ka reklamuar një mesazh në të përditshmen me tirazh të jashtëzakonshëm, New York Times, thirrjen drejtuar presidentit Obama që ta mbyllë sistemin e Guantanamos në ditën e parë kur nis punën administrata e tij.
XS
SM
MD
LG