Ndërlidhjet

Lansohet projekti për kthim të qëndrueshëm


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, si dhe me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, lancoi projektin "Kthimi dhe riintegrimi në Kosovë", i cili ka për qëllim krijimin e kushetve të mira për kthim të qëndrueshëm. Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, shprehu përkushtimin e institucioneve kosovare për krijimin e një vendi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës pa përjashtim.

Qeveria e Republikës së Kosovës garanton krijimin e kushteve të mira të sigurisë dhe të jetesës për të gjithë të zhvendosurit që nga periudha e pasluftës në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u bëri thirrje të gjithë të zhvendosurve të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, duke theksuar se Kosova është atdhe për të gjitha komunitetet, duke përfshirë edhe komunitetin serb.

Të drejtat për një jetë me të drejta të barabarta, sipas tij, u garantohen të gjithëve me Kushtetutën e Kosovës, si aktin më të lartë juridik të vendit. Këto komente, kreu i ekzekutivit kosovar i bëri gjatë lansimit të projektit "Kthimi dhe riintegrimi në Kosovë", në vlerë prej 7 milionë eurosh, i cili u zhvillua në bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, si dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.

"Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës i ftoj të gjithë të zhvendosurit, para së gjithash ata të etnisë serbe, por të gjithë pa dallime etnike, të rikthehen në Kosovë. Kosova është vendi dhe atdheu i të gjithëve; po krijohen kushtet dhe mundësitë me përkushtimin e Qeverisë dhe të të gjithë partnerëve ndërkombëtarë për krijimin e kushteve të sigurisë dhe mundësive për një jetesë më të mirë", tha kryeministri Thaçi.

Qeveria e Kosovës, kohë më parë, kishte formuar strategjinë për integrimin e personave të riatdhesuar. Sipas kryeministrit Thaçi, përpjekjet për të mundësuar një kthim të qëndrueshëm në Kosovë do të përfshijnë angazhimet institucionale, sikurse në nivelin qendror, ashtu dhe në atë lokal.

"Do të angazhoj mekanizma qeveritarë dhe joqeveritarë në nivelin qendror dhe lokal për të siguruar kthimin e qëndrueshëm në Kosovë për të gjithë refugjatët që dëshirojnë të kthehen dhe të jetojnë në Kosovë",
u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar.

Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, e cila deri më tani ka kontribuuar në projekte të ndryshme për minoritete në Kosovë, me rreth 30 milionë euro, në këtë projekt ka dhënë rreth 3.3 milionë euro për të përkrahur procesin e kthimit dhe riintegrimit në Kosovë. Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Kjartan Bjornson, thotë se me këtë projekt do të ndihmohen rreth 186 familje të kthyera në Kosovë.

"Ky projekt do të ofrojë ndihmë për 180 familje të zhvendosura në rindërtimin e shtëpive të tyre, në rindërtimin e infrastrukturës, po ashtu edhe në pako të ndryshme për krijim të të ardhurave dhe po ashtu në aktivitete të ndryshme për dialog ndëretnik”, tha Bjornson.

Projekti "Kthimi dhe riintegrimi në Kosovë" do të implementohet nga UNDP-ja, e cila merr pjesë me kontributin prej 0.4 milion eurosh brenda një periudhe prej 21 muajsh. Projekti do të implementohet në katër komuna: Istog, Fushë Kosovë, Pejë dhe Gjilan.

Kthimi i qëndrueshëm ka qenë një ndër obligimet thelbësore që Kosova ka marrë mbi vete që nga shpallja e pavarësisë dhe me hyrjen në fuqi të Kushtetutës të bazuar mbi planin e Ahtisaarit. Krijimi i kushteve adekuate për të arritur këtë qëllim, sipas zyrtarëve përgjegjës, vazhdon të jetë një ndër prioritetet e mekanizmave vendorë dhe atyre ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG