Ndërlidhjet

logo-print

Prishtina: S’ka marrëveshje nëse shkelet sovraniteti


Shtrirja e EULEX-it nuk mund të bazohet në asnjë marrëveshje që anashkalon Pakon Ahtisaari dhe Kushtetutën e Kosovës, dhe si të tilla, këto propozim-marrëveshje nuk do të negociohen, thonë përfaqësuesit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë.


Institucionet e Kosovës dhe subjektet politike shprehen të vendosura që të mos negociojnë me Beogradin çështjet që prekin në sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës.

Refuzimi i dokument-marrëveshjes OKB-BE–Beograd cilësohet si qëndrim i prerë i Prishtinës zyrtare, duke e lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të bisedimeve, por pa prekur në çështjet dhe parimet e Kushtetutës së Kosovës dhe pakos së Ahtisaarit.

Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se Kosova mbetet e hapur për t’i vazhduar bisedimet me përfaqësuesit ndërkombëtarë për shtrirjen e EULEX-it, por duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe sovranitetin e saj.

“Bisedime natyrisht që do të ketë edhe në të ardhmen, mirëpo me të vërtetë ky është limiti përtej të cilit institucionet dhe qytetarët e Kosovës nuk mund të kapërcejnë, për shkak se preket esencialisht funksionaliteti i shtetit të Kosovës, madje edhe çështjet që kanë të bëjnë me sovranitetin”, thotë Beqiri.

Zëdhënësi Beqiri thotë se pozicioni i Kosovës nuk do të ndryshojë, përderisa marrëveshjet e propozuara të prekin në sovranitetin dhe Kushtetutën e Kosovës. Vetë miratimi i pakos së Ahtisaarit, nënvizon Beqiri, ishte një kompromis i madh që ka bërë Prishtina, andaj ai nuk sheh mundësi që të lëvizen tutje pozicionet aktuale.

“Përtej planit të presidentit Martti Ahtisaari nuk mund të shkohet, sepse ai ka qenë limiti i fundit, vija e kuqe e institucioneve, qytetarëve të Kosovës, përtej të cilit nuk mund të bëhen lëshime, sepse vetë pakoja e presidentit Ahtisaari, në njëfarë mënyre, ka qenë kompromis i madh i Prishtinës. Kështu që përtej asaj pike, Prishtina nuk mund të lëvizë”, thekson Beqiri.

Ndërkohë, edhe opozita ka mbështetur udhëheqësit e institucioneve në refuzimin e marrëveshjes gjashtëpikëshe dhe shtrirjes së EULEX-it, mbi bazat e neutralitetit ndaj statusit. Deputeti i AKR-së, Ibrahim Makolli, thotë se marrëveshja e propozuar nuk mund të jetë bazë e vendosjes së EULEX-it, përderisa ajo të shkelë mbi Kushtetutën e Kosovës.

“Ne mund të bisedojmë për çështjet e tjera që janë me interes për rajonin me të gjithë fqinjët tanë, por në asnjë rast nuk mund të bisedohet për asnjë pikë dhe asnjë çështje me të cilën dëmtohet funksionaliteti i shtetit të Kosovës. Kosova tash është shtet i pavarur e sovran, i ka institucionet e veta dhe të vetmet janë ato që mund të hyjnë në marrëveshje me këdo qoftë dhe për çfarëdo qoftë”, thotë Makolli.

Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e serbëve vazhdojnë ta kundërshtojnë EULEX-in, të cilin edhe si neutral ndaj statusit e shohin si mision që është paraparë me planin e Ahtisaarit dhe si të tillë e shohin të papranueshëm.

Kryetari i Këshillit Nacional Serb për Mitrovicën, Nebojsha Joviq, thotë se Prishtina me refuzimin e marrëveshjes së fundit ndërmjet OKB-së, BE-së dhe Beogradit, vetëm ka dashur që të luajë një lojë politike, për t’i bindur serbët që ta pranojnë këtë marrëveshje.

“Çka nëse shqiptarët nuk pranojnë diçka që shkon në interesin e tyre, në mënyrë që ne të themi - pasi që ata nuk po e pranojnë, ta pranojmë ne këtë marrëveshje”, thotë Joviq.

Sipas tij, EULEX-i nuk mund të jetë mision i përshtatshëm tashmë kur UNMIK-u i ka dorëzuar të gjitha kompetencat tek institucionet e Republikës së Kosovës.

Andaj, ai propozon që të ketë një mision krejt të tretë, që nuk do të ishte as UNMIK e as EULEX, por një mision që vjen vetëm mbi bazën e Rezolutës 1244 dhe nuk merr parasysh pavarësinë e as planin e Ahtisaarit.

Sidoqoftë, në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje për shtrirjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës dhe e cila do të ishte e pranueshme si për Prishtinën, ashtu edhe Beogradin, pritet që bisedimet të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, marrë parasysh se edhe seanca e Këshillit të Sigurimit, ku do të diskutohet vendosja e EULEX-it, është shtyrë për të premten.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG