Ndërlidhjet

JID: “BE drejton sytë nga Kosova”


“Jane's Intelligence Digest”

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se misioni EULEX në Kosovë do të bëhet operacional në dhjetor.

Kjo do të shënojë një fazë të re në zhvillimin e entitetit de facto të pavarur, dhe siç shpresojnë liderët e BE-së, do të përshpejtojë procesin e reformave drejt integrimeve evropiane.

Megjithatë, karakteri i dislokimit të EULEX-it në zonat e banuara me serbë në veri, mbetet i pazgjidhur.

Duke vënë theksin në reformat në gjyqësi, siguri dhe luftimin e terrorizmit, EULEX-i do të jetë sektori kryesor evropian i sigurisë në Kosovë, megjithëse me kompetenca më të kufizuara se misioni i UNMIK-ut.

Serbia dhe liderët e serbëve të Kosovës janë thirrur në ndryshimin e mandatit, kur kanë pohuar se misioni i BE-së nuk është i autorizuar nga ligji ndërkombëtar.

Ata pohojnë se vendosja e EULEX-it implikon njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa UNMIK-u, thonë ata, gjithmonë ka qenë neutral ndaj statusit.

Gjasat e EULEX-it për funksionim të suksesshëm do të duhej të rriten nga periudha e gjatë përgatitore dhe nga mundësia për të mësuar nga gabimet e UNMIK-ut.

"Meqë ky është misioni më i madh dhe më i rëndësishëm i BE-së, ne nuk do të fillojmë përderisa ata të jenë të gatshëm të na pranojnë. Thjesht, ka shumë gjëra në lojë", ka thënë një zyrtar i lartë i EULEX-it.

Misioni duhej të fillojë më 1 qershor, por dislokimi u shty, sepse BE-ja druante se kjo mund të favorizonte Partinë Radikale Serbe në zgjedhjet në Serbi.

Bashkimi Evropian planifikon një operacion më të efektshëm dhe më të disciplinuar se UNMIK-u, i cili, kohë të gjatë, është kritikuar për zinxhirin komandues jofunksional dhe ndonjëherë për jokompetencën e personelit të tij të ardhur nga gjithë bota.

Nga ana tjetër, personeli i EULEX-it vjen nga vendet e BE-së dhe disa të tjera, si Kroacia, Zvicra, Norvegjia, Tuirqia dhe Shtetet e Bashkuara.

Përderisa shumë oficerëve të UNMIK-ut u mungonte vetëdijesimi kulturor dhe afërsia me rajonin, planifikuesit e EULEX-it kanë përvoja të mëparshme nga Ballkani dhe shkathtësi të duhur për personelin 1.900 anëtarësh.

Më 14 tetor, mediat botërore raportuan se ushtarët amerikanë do të shërbejnë në misionin EULEX. Kjo marrëveshje 'historike' e liderëve evropianë dhe amerikanë paralajmëron një epokë të re të bashkëpunimit transatlantik.

Në fakt, zyrtarët e EULEX-it vazhdojnë të pohojnë se pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara është dakorduar gjatë planifikimit të operacionit, në dhjetor të vitit 2006, në takimin ndërmjet liderëve evropianë dhe atyre të departamenteve të shtetit dhe të mbrojtjes.

Zyrtari i lartë i EULEX-it gjithashtu ka theksuar se personeli amerikan, rreth 100 policë, gjykatës dhe këshilltarë ligjorë, janë kërkuar në mënyrë specifike.

"Ne e kërkuam ndihmën e tyre, sepse ata kanë marrëdhënie shumë të mira me shqiptarët dhe interesa të fuqishme këtu", ka thënë ai.

Dy ose tre specialistë amerikanë do të shërbejnë në kuadër të njësitit 35 anëtarësh të EULEX-it për luftimin e terrorizmit.

Shtetet e Bashkuara dhe dy fuqi tjera botërore gjithashtu do të drejtojnë operacionet e kundërzbulimit nga selitë e tyre diplomatike respektive.

Struktura e zbulimit të Kosovës janë krijuar me mbikëqyrjen e Perëndimit.

Sidoqoftë, planet e EULEX-it që zbatimin e ligjit në përgjithësi t'ua lë autoriteteve lokale, i kanë shqetësuar disa serbë, të cilët druajnë se kjo mund t'i trimërojë ekstremistët shqiptarë.

Por, këtu mund të ndërhyjë i dyti nga tre institucionet e Bashkimit Evropian në Kosovë, Zyra Civile Ndërkombëtare.

Në Kosovë, politikanët lokalë me lidhje të fuqishme klanore kanë ndikim të jashtzakonshëm. BE-ja po llogarit se nëse është e nevojshme, çdo problem serioz do të zgjidhet përmes ndërmjetësimit personal të Përfaqësuesit Special të BE-së, Pieter Feith, dhe shefit të ICO.

Popullariteti i diplomatit holandez buron nga roli i tij si ish i dërguar i NATO-s në konfliktin e vitit 2001 ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni. Megjithëse kishte proces të rregullt aplikimi për postin e tij, burime të shumta sugjeruan se Feith është zgjedhur për shkak të reputacionit pozitiv që e ka në mesin e shqiptarëve.

Një pikë tjetër e levës strategjike është opsioni i përhershëm i BE-së për t’i rihapur rastet e akumuluara gjatë periudhës së UNMIK-ut, në të cilat raportohet se janë implikuar figura të fuqishme lokale të politikës dhe biznesit.

Përderisa misioni EULEX do të jetë relativisht pa dhëmbë, ai do të duhej të tregohet më i aftë për t'u përballur me çështjet e rëndësishme të sigurisë, sesa UNMIK-u.

Politikisht, pushteti evropian do të ushtrohet prapa skenës përmes ICO-së dhe Komisionit Evropian.

Bashkimi Evropian shpreson se modeli shumë-aspektësh do të prodhojë tranzicion të qetë në Kosovë, e cila historikisht njihet për turbullira dhe jostabilitet.
XS
SM
MD
LG