Ndërlidhjet

Analistët: Plani 6-pikësh mund të ndryshohet


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Qeveria e Kosovës duhet të mbajë qëndrimin aktual për dokumentin 6-pikësh të Kombeve të Bashkuara për rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, përderisa ai dokument nuk merr për bazë planin e presidentit Martti Ahtisaari dhe Kushtetutën e Kosovës. Kështu vlerësojnë analistët në Kosovë, të cilët thonë se pavarësisht presionit diplomatik, Prishtina zyrtare duhet të bëjë përpjekje për modifikimin e dokumentit.


Analistët politikë në Prishtinë konsiderojnë se ka hapësirë të mjaftueshme për të bërë ndryshime në dokumentin 6-pikësh të Kombeve të Bashkuara për rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë - dokumet ky të cilin udhëheqësit e Republikës së Kosovës e kishin refuzuar, duke e quajtur formatin aktual të këtij plani të papranueshëm për institucionet vendore.

Plani i OKB-së, i cili flet për veprimet e ardhshme në vendbanimet serbe për sektorin e gjyqësisë, të policisë, atë të doganave, për transportin, trashëgiminë kulturore e fetare, pastaj dhe për përcaktimin e vijës kufitare, nuk përmend askund Qeverinë e Kosovës si autoritetin më të lartë në vend, por kërkon veprimin e mekanizmave përgjegjës brenda Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Analisti Qerim Qerimi thotë se modifikimet që Prishtina zyrtare mund t’i bëjë në dokumentin në fjalë, duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjeve që dalin nga ajo.

"Sigurisht që ka hapësirë për ndryshime dhe ndryshimi më i rëndësishëm dhe ai që kërkohet, është që Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e nxjerra nga autoritetet përgjegjëse të Kosovës, në këtë rast nga Kuvendi i Kosovës, do të duhej të ishin të aplikueshme dhe të zbatueshme në të gjithë territorin e Kosovës dhe nga të gjithë në mënyrë të njëjtë", thotë Qerimi.

Refuzimi i Prishtinës zyrtare për dokumetin 6-pikësh të OKB-së kishte shtyrë edhe mbajtjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit për Kosovën, e cila ishte paraparë të mbahej të hënën, më 11 nëntor.

Diplomatët perëndimorë, sikurse sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara, u kanë bërë thirrje autoriteteve shtetërore në Kosovë të pranojnë planin në fjalë, mirëpo, sipas analistit Driton Lajçi, Qeveria kosovare duhet të mbajë qëndrimin aktual për të mos kaluar të ashtuquajturën "vijë të kuqe", që ka të bëjë me sovranitetin shtetëror të Republikës.

"Qeveria dhe institucionet e saj e kanë vijën e kuqe, e cila i kufizon me mandatin që u ka dhënë Kushtetuta e Kosovës, prandaj Qeveria e Kosovës do të bënte gabim kushtetues po qe se do të pranonte dokumentin, i cili bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë së saj", thekson Lajçi.

Lajçi shprehet i bindur se mund të gjendet një konsensus ndërmjet faktorëve vendimmarrës relevantë për 6 çështjet në fjalë, përmes vazhdimit të dialogut Prishtinë-Beograd, të moderuar nga UNMIK-u.

Kjo, sipas tij, është e nevojshme edhe për zbarkimin e plotë të misionit për sundim të ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, si dhe për operacionalizimin e këtij misioni në afatin e parashikuar kohor.

"Gjasat janë që dokumenti i tanishëm të modifikohet dhe të jetë i favorshëm edhe për Serbinë, edhe për Kosovën. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj do të pranojnë modifikimin e tij për t'i dhënë hapësirë shtrirjes së EULEX-it dhe mekanizmave të tjerë në Kosovë", shprehet ai.

Dinamika e bisedimeve në mes të Brukselit dhe të New Yorkut me Prishtinën për dokumentin 6 pikësh të OKB-së, pritet të përcaktojë dhe mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit të këtij mekanizmi, ku, përveç dokumentit në fjalë, do të diskutohet dhe për misionin EULEX dhe mandatin e tij në Kosovë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG