Ndërlidhjet

Lufta kundër krimit dhe kontrabandës


Në veri të Kosovës, lufta kundër krimit dhe kontrabandës ka filluar të sjellë rezultatet e para, sipas pohimeve të autoriteteve në Kosovë. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet tjera, është në pritje të sukseseve të tjera në këtë drejtim.

"Policia jonë, bashkë me institucionet tjera, ka bërë një ‘task forcë’, me qëllim të ndalimit të kontrabandimit në atë pjesë. Janë rezultate inkurajuese, sepse, kohëve të fundit, përveç mbylljes së disa pompave të benzinës, konfisikimit të karburanteve atje, kemi rezultate efektivisht pozitive të policisë në veri”.

“Po presim që po ashtu të vazhdojë operacioni dhe të ketë suksese edhe më të mëdha",
thotë ministri Pajaziti.

Megjithatë, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se institucionet e vendit duhet të bëjnë çmos që ta ndalin gjendjen kaotike në veri.

Safet Merovci, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se edhe në atë pjesë të Kosovës duhet të mbretërojë rendi dhe ligji, sepse, siç thotë ai, për shkak të kësaj gjendjeje, buxheti i Kosovës po humb miliona euro nga kontrabanda.

"Rreth 1 milion e 500 mijë euro llogaritet profiti i kontrabandës, por në 300 ditët e vitit janë 500 milionë euro. Atëherë, është një fitim i jashtëzakonshëm dhe paraqet evazion fiskal për Kosovën, shumë të dëmshëm dhe të papërballueshëm", pohon Merovci.

Por, ministri Zenun Pajaziti thotë se ndalja e plotë e kontrabandës dhe krimit të organizuar në veri të Kosovës do të bëhet vetëm atëherë kur të vendosen të gjitha institucionet përkatëse në atë pjesë, duke përfshirë këtu edhe funksionimin e pikave doganore që lidhin Kosovën me Serbinë.

"Në operacionin e fundit, ne jemi angazhuar pak më shumë dhe kemi bërë presion tek institucionet tjera, te mekanizmat tatimorë, te doganat, te Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, te të gjithë mekanizmat që kanë për qëllim t’i kontrolljnë institucionet që kanë në varësi të tyre, për të ndalur kontrabandën dhe krimin e organizuar”.

“Institucionet që kanë peshë të madhe, vendimtare, janë institucionet e drejtësisë”, thotë ministri Pajaziti.

Ndryshe, që nga shkurti i këtij viti, kur Kosova ka shpallur pavarësinë, pikat doganore në Zubin Potok dhe Jarinë nuk funksionojnë, duke u shndërruar kësisoj në vendkalime kufitare të hapura për forma të ndryshme kontrabandimi.

Por, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se kjo çështje nuk i përket vetëm doganave, meqë, sipas tij, tashmë kthimi i doganave ka kaluar në nivele të larta politike.

“Siç e dini, edhe rrjedha e fundit e situatës lidhur me ato dy pika, është një çështje politike. Sa i përket doganës, ne as nuk kemi kompetenca dhe as nuk jemi institucioni i duhur, i cili e komenton këtë çështje”,
tha Stavileci.

Ndryshe, sipas ekspertëve të ekonomisë, mbi një milion euro në muaj janë humbjet e buxhetit nga kontrabanda e mallit që po zhvillohet në veri të Kosovës.
XS
SM
MD
LG