Ndërlidhjet

SHBA-Rusi, vazhdon debati raketor


Kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Raketore në largim i ka bërë thirrje presidentit të sapozgjedhur Barack Obama të mos heqë dorë nga planet e administratës Bush për të instaluar sistemin e mburojës raketore në Poloni dhe Çeki.

Gjeneral lejtnant Henry Obering, i cili këtë muaj do të japë dorëheqje, u tha gazetarëve se sistemi amerikan për goditjen e raketave balistike mund të funksionojë, dhe se braktisja e planit mund t'i "cënojë rëndë" aftësitë e Shteteve të Bashkuara për t'u mbrojtur nga raketat e Iranit.

Lidhur me shqetësimet e Rusisë, Obering tha se ai nuk beson që Moska me të vërtetë e sheh sistemin amerikan si kërcënim për sigurinë e Rusisë.

Këshilltarët e Obamës kanë thënë se presidenti i zgjedhur e mbështet instalimin e sistemit mbrojtës raketor kur teknologjia amerikane të dëshmohet e aftë se mund ta arrijë qëllimin për rrëzimin e raketave balistike.

Presidenti rus Medvedv duke folur për mediat franceze tha:

"Ne mund të rishohim përgjigjen tonë për vendosjen e raketave të tipit Iskander në Kaliningrad, nëse administrata amerikane rishikon dhe analizon sërish efektivitetin e planeve për mbrojtjen anti-raketore dhe të shohin nëse përgjigja që po marrin është e duhura për kërcënimet nga të ashtëquajturat shtete të papërgjegjshme", tha Medvedev.
XS
SM
MD
LG