Ndërlidhjet

Prishtina nuk lëviz nga pozicioni i refuzimit të 6-pikëshit


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Prishtina nuk lëviz nga pozicioni i saj refuzues ndaj planit 6-pikësh të OKB-së, BE-së e Serbisë, për shtrirjen e EULEX-it. Kryeministri Thaçi tha se ky plan mbetet i papranueshëm dhe se EULEX-i duhet të shtrihet konform Pakos Ahtisaari dhe Kushtetutës.


Ndërsa përfaqësuesit e vendeve të Quint-it dhe BE-së i vazhdojnë bisedimet për planin gjashtëpikësh me zyrtarët më të lartë shtetërorë të Kosovës, këta të fundit thonë se nuk e kanë ndërmend të lëvizin nga pozicionet.

Kryeministri Hashim Thaçi përsëriti qëndrimin e institucioneve se plani gjashtëpikësh i OKB-së, BE-së dhe Serbisë për shtrirjen e EULEX-it, është i papranueshëm dhe se EULEX-i mund të shtrijë misionin e vet në Kosovë mbi bazën e planit të Ahtisaarit dhe Kushtetutës, duke e respektuar tërësinë territoriale të Kosovës.

“Qëndrimi i institucioneve të Kosovës është shumë i qartë. Elementet substanciale të gjashtëpikëshit, kanë qenë, janë dhe do të mbesin të papranueshme, ndërsa ne i kemi thënë ‘po’ shtrirjes së EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, duke respektuar sovranitetin e Kosovës, pavarësinë, Kushtetutën moderne të saj, dokumentin e presidentit Ahtisaari, si dhe respektimin dhe garantimin e plotë të integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Kjo është zgjidhja e drejtë”, deklaroi Thaçi.

Kundër planit gjashtëpikësh, me qëndrimet e tyre zyrtare kanë dalë publikisht edhe dy parti politike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se plani gjashtëpikësh nuk mund të jetë temë diskutimi e as negociimi, sepse ai cenon drejtpërdrejt sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

“Plani gjashtëpikësh si i tillë është refuzuar për shkak të ndryshimeve dhe për shkak të shkeljes së Kushtetutës, e cila e tejkalon çdo kriter dhe çdo shtyllë të sovranitetit. Prek në këtë rrafsh, është i papranueshëm dhe nuk mund të negociohet. Por, e vetmja rrugë për të cilën mund të vazhdohet të bisedohet, janë modalitetet e shtrirjes së EULEX-it sipas Kushtetutës së Kosovës dhe sipas asaj që është negociuar në Vjenë më herët”, thotë Haziri.

Ndërkohë, edhe opozita i bën thirrje presidentit dhe kryeministrit të Kosvës që të mos e diskutojnë fare planin gjashtëpikësh dhe ta hedhin poshtë, duke mos pranuar fare as bisedime për të.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se ky plan është krijuar pa praninë e Kosovës dhe si i tillë duhet të refuzohet madje edhe negocimi për të.

“Plani gjashtëpikësh i propozuar nga OKB-ja, në bashkëpunim me BE-në dhe Serbinë, është i papranueshëm për Kosovën dhe konsiderojmë se duhet të hidhet poshtë në tërësi, sepse është bërë pa pjesëmarrjen e palës kosovare, ndërsa fjala është për territorin dhe sovranitetin e vendit tonë. Konsiderojmë se duhet të kthehet prapa dhe të mos pranohet si i tillë”, thotë Isufi.

Deputeti Ahmet Isufi thotë se fjalën e fundit për këtë plan duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë që bart përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Kosovës.

Me idenë që fjalën përfundimtare për planin gjashtëpikësh duhet ta thotë Kuvendi është pajtuar edhe LDK-ja.

Lutfi Haziri thotë se presidenti dhe kryeministri mund të bisedojnë për modalitetet e shtrirjes së EULEX-it, por marrëveshjet eventuale duhet t’i ratifikojë vetëm Kuvendi i Kosovës.

Sidoqoftë, autoritetet ndërkombëtare mbeten në kërkim të marrëveshjes, duke ushtruar dhe një lloj presioni diplomatik mbi Prishtinën për ta pranuar planin gjashtëpikësh, i cili e ka aprovimin e Beogradit. Por, si qëndron tani pozicioni i Kosovës, autoritetet në Prishtinë deklarohen se nuk mund ta pranojnë një plan të tillë, përkundër çdo presioni që mund t’u bëhet atyre.
XS
SM
MD
LG