Ndërlidhjet

Serbët: Edhe EULEX-i neutral i papranueshëm


Mitrovicë - Ura qendrore

Mitrovicë - Ura qendrore

Përfaqësuesit politikë serbë në Kosovë e quajnë të papranueshme idenë për shtrirjen e misionit EULEX, qoftë si mision neutral karshi statusit të Kosovës, nëpër territorin e Kosovës. Ata i bëjnë thirrje Beogradit zyrtar të mos pranojë dokumentin 6-pikësh të OKB-së për rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë - plan ky i cili, sipas tyre, largon Kosovën nga Serbia.


Përfaqësuesit e serbëve në Kosovë vazhdojnë të kundërshtojnë shtrirjen e misionit për sundim të ligjit të Bashkmit Evropian - EULEX në Kosovë. Ata e quajnë të papranueshme çdolloj marrëveshjeje, e cila do t'i jepte ngjyrë jeshile zbarkimit të plotë të këtij misioni në Kosovë dhe i bëjnë thirrje Beogradit zyrtar të refuzojë planin 6-pikësh të Kombeve të Bashkuara për rikonfigurimin e prezencës civile ndërkombëtare në Kosovë.

Politikani serb, Marko Jakshiq, konsideron se pranimi i EULEX-it nënkupton dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe largimin e saj nga shteti serb. Ai thotë se asnjë mision i BE-së nuk është i mirëseardhur për serbët që jetojnë në Koosvë, pavarësisht kornizës brenda së cilës do të vepronte ai mision.

"Çështja e EULEX-it nuk është e pranueshme për ne. Ky mision do të punojë sipas ligjeve të Kosovës. Pranimi i EULEX-it do të thotë se e pranojmë edhe një shtet shqiptar në Ballkan. Në fund të fundit, me këtë marrëveshje, EULEX-i fiton të drejtën e mbikëqyrjes të së ashtuquajturës Kosovës së pavarur në 96 përqind të territorit të Kosovës, kurse është e dhimbshme që me këtë marrëveshje pajtohet edhe shteti i Serbisë, me çka faktikisht e largon Kosovën edhe më shumë nga shteti serb", shprehet Jakshiq.

Diplomatët perëndimorë u kanë bërë thirrje sikurse Prishtinës zyrtare, e cila vazhdon të refuzojë planin 6-pikësh të OKB-së, po ashtu edhe serbëve në Kosovë të pranojnë marrëveshjen në fjalë. Mirëpo, përfaqësues serbë këmbëngulin në qëndrimin e tyre aktual karshi misionit EULEX.

Disa prej tyre thonë se janë kërcënuar nga zyrtarë të lartë që veprojnë në kuadër të misioneve ndërkombëtare në Kosovë për të mos rezistuar zbarkimin e këtij misioni edhe nëpër zonat e banuara me serbë. Kryetari i Bashkësisë së komunave serbe i Këshillit Nacional Serb në veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, sqaron:

"Ka kërcënime serioze, këtë e thonë edhe burime mjaft të larta vendore e ndërkombëtare, që flasin se ka kërcënime serioze. Ka kërcënime për arrestime, siç është fjala për Marko Jakshiqin, një bashkëpunëtor i yni, pastaj mua si kryetar i Këshillit Nacional Serb, në mënyrë që të frikësohet populli dhe të vendoset një pushtet që për ne është i papranueshëm, siç është 'kuazi – shteti, kriminal i Kosovës’”, thotë ai.

Për më tepër, ata shprehen të gatshëm të protestojnë për të mos lejuar arrestimin e asnjë serbi, i cili ngrit zërin për çështjet, siç i quajnë ata, në interes të shtetit serb.

"Të gjithë i kemi të freskëta zhvillimet në lidhje me gjykatën në Mitrovicë dhe shpresoj se këto paralajmërime për arrestime janë vetëm presion. Por, mos t’i shkojë askujt në mend që për shkak të qëndrimeve politike të provojë të arrestojë dikë, ngase kjo do të sjellë deri te eskalimet e mëdha dhe çrregullimet e mëdha", thotë kryetari i Këshillit Nacional Serb në veriun e Kosovës, Nebojsha Joviq, duke paralajmëruar destabilizim të situatës në rast të përpjekjeve për të heshtur qëndrimin e serbëve për çështje aktuale politike.

Plani 6-pikësh i OKB-së i arritur si rezultat i konsensusit ndëmjet Kombeve të Bashkuara dhe Beogradit zyrtar, sipas serbëve në Kosovë, mund të shkaktojë edhe ndarjen definitive të vendit.

Ndonëse Qeveria e Kosovës duket se po bën përpjekje për të modifikuar këtë dokument, nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb nga Graçanica, Rada Trajkoviq, thotë se plani në formatin aktual ndan veriun e Kosovës.

"Problemi qëndron te 6 pikat që Beogradi është marrë vesh me Kombet e Bashkuara. Përmes këtyre 6 pikave nënkuptohet se po shkohet drejt zgjidhjes definitive të statusit të Kosvës, që nënkupton ndarjen e Kosovës, që fillohet me gjetjen e zgjidhjes për doganat dhe policinë në veri të Kosovës", konsideron Trajkoviq.

Përfaqësues të shteteve të Quint-it në Prishtinë po zhvillojnë bisedime intensive më udhëheqësit e Republikës së Kosovës për t'i bindur ata të pranojnë planin e Kombeve të Bashkuara për Kosovën, i cili krijon aranzhmane të reja në fushën e përgjegjësive për policinë, doganat, gjykatat, transportin, monumentet fetare dhe të kultit si dhe administrimin e kufijve për zonat serbe në Kosovë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG