Ndërlidhjet

BE-ja, plan për ikjen nga varshmëria e gazit rus


Eurokomisionari për energji, Andris Piebalgs, dhe kreu i Komisionit Evropian, Jose Manuel Baroso
Eurokomisionari për energji, Andris Piebalgs, dhe kreu i Komisionit Evropian, Jose Manuel Baroso
Rritja e paqendrueshmërisë politike dhe ekonomike në botë e ka detyruar Bashkimin Evropian të hartojë plane që trajtojnë pikat e dobëta të Unionit. Më kryesorja ndër to është rritja e varshmërisë për furnizim me energji nga jashtë kufijve të vet.

BE-ja ka përgatitur një propozim të ri që synon të kthejë pas tendencat aktuale të furnizimit të tregut me energji.

"Duhet ta thyejmë këtë rreth të mbyllur të rritjes së konsumit të energjisë dhe rritjes së importeve", tha Jose Manuel Barroso, kreu i Komisionit Evropian duke folur për planin.

Barroso theksoi se aktualisht BE-ja importon 55% të naftës dhe gazit që përdor, por që kjo sasi importi do arrijë në nivelet e 70% në vitin 2020.

Ndër masat kryesore të propozuara nga Komisioni Evropian janë larmishmëria e burimeve energjetike, përmirësimi i infrastrukturës transportuese mes vendeve anëtare, si dhe më shumë solidaritet me njëri-tjetrin në kohë krizash.

Nëse masat e mësipërme do të zbatohen në praktikë, niveli i importit të naftës dhe gazit për BE-në do mbetet në nivelet aktuale, tha Andris Piebalgs, eurokomisionari për energjinë.

"Varësia evropiane nga importi, nëse paketa do të miratohet dhe zbatohet, nuk do të pësojë rritje", tha Piebalgs.

Stabilizimi i importit të energjisë ka një përbërës shumë të rëndësishëm politik për BE-në. Varshmëria evropiane nga nafta dhe gazi rus po ndikon ndjeshëm në zgjedhjet politike të një numri të madh të vendeve anëtare të BE-së.

Të tjerët mbeten të dobët përballë mundësive për manipulime nga Rusia, duke përdorur fuqinë energjetike. Për të ulur ndikimin rus, BE-ja po sheh mundësinë për qasje të drejtpërdrejtë në naftën dhe gazin e Kaspikut, pa kaluar përmes Rusisë.

Por, presidenti i Komisionit Evropian, Barroso, pas bërjes publike të këtyre planeve, nxitoi të pohonte se këto nuk dërgojnë mesazhe negative në prag të takimit BE-Rusi, që do të mbahet në Nisë të Francës.

"Derisa ne kërkojmë siguri në furnizim, furnitorët jashtë BE-së kërkojnë siguri për kërkesat ndaj tyre. Bashkimi Evropian është klienti më i madh për Rusinë. Për këtë arsye, besojmë së është në interesin e përbashkët të kemi një kornizë ligjore të qartë", tha Barroso.

Nga ana tjetër, eurokomisionari për energji i dha goditje kërkesës së Vladimir Putinit, që BE-ja të investojë në transportuesin e naftës dhe gazit, të njohur me emrin "Rryma Veriore" që lidh Rusinë me Gjermanianë, duke kaluar në Detin Balltik.

Putini iu referua një situate të mundshme kur pala ruse mund të mos kishte më fonde për të investuar.

Eurokomisionari Piebalgs, duke iu kundërpërgjigjur Putinit, tha se "na nevojitet projekti, por është një projekt biznesi që ka dhe rreziqe. Nëse rreziqet janë shumë të larta, na vjen keq, por kjo është gjendja".
XS
SM
MD
LG