Ndërlidhjet

FT: Hillary Clinton, kandidate për sekretare shteti


Hillary Clinton
Hillary Clinton

Senatorja e New Yorkut, Hillary Clinton, përmendet si kandidate serioze për postin e sekretares amerikane të shtetit në administratën e presidentit Barack Obama. "Financial Times" shkruan se me një zgjedhje të këtillë, zoti Obama do të shkrinte dallimet midis demokratëve.

Hillary Clinton është emri që në mënyrë të befasishme tash përmendet si kandidate potenciale për sekretare shteti në administratën e presidentit të zgjedhur, Barack Obama.

Zëdhënësi i ekipit tranzicional të zotit Obama nuk ka pranuar ta komentojë këtë çështje, por në qarqet politike qartazi flitet se emërimi i zonjës Clinton është duke u shqyrtuar seriozisht për këtë funksion.

Si një nga politikanet më të njohura dhe më të respektuara, zonja Clinton do të ishte një zgjedhje e profilit të lartë për rolin e shefes së diplomacisë amerikane.

Emërimi i saj, me gjithë garën e hidhur që ka patur me zotin Obama, do të dëshmonte për gatishmërinë e presidentit të zgjedhur për të emëruar rivalët e tij politikë dhe për të ndihmuar në shkrirjen e dallimeve midis demorkatëve pas garës preliminare.

Oferta për t'u bërë sekretare shteti do ta përballte zonjën Clinton me zgjedhjen midis një funksioni më impresiv në politikën ndërkombëtare dhe zotimit për një rol më të sforcuar në Senat.

Deri të enjten, emrat tjerë që janë përmendur si kandidatë të mundshëm për sekretar shteti janë John Kerry, senatori nga Masachusetts, Bill Richardson, guvernatori i New Mexicos, Cuck Hagel, senatori nga Nebraska, dhe Richard Holbrooke, ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara.

Ndërkohë, rrjeti televiziv "NBC" dhe faqja politike në Internet "Politico", duke cituar këshilltarë të paemëruar të zotit Obama, kanë raportuar se senatorja nga New Yorku, Hillary Clinton, është kandidate serioze për këtë funksion.

Zonja Clinton thuhet se të enjten ka udhëtuar për në Chicago, ku edhe është i vendosur ekipi tranzicional i zotit Obama, por ndihmësit e saj thonë se udhëtimi për atje është realizuar për punë personale.

Zyrtarët e presidentit të zgjedhur, ndërkaq, kanë thënë kohë më parë se asnjë emërim i nivelit të lartë në kabinetin e tij nuk do të publikohet këtë javë dhe ata kanë insistuar edhe deri më tash ky plan nuk ka ndryshuar.
XS
SM
MD
LG