Ndërlidhjet

Prishtina mund t'i bëjë ballë presioneve rreth 6-pikëshit


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Analistët politikë në Prishtinë konsiderojnë se institucionet e Kosovës kanë mundësi të përballen me presionet diplomatike, që të mos pranojnë planin 6-pikësh të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sipas tyre, një presion i tillë mund të përballet nëse shumë shpejt dilet me një plan konkret se si të shtrihet EULEX-i në veri të Kosovës.


Derisa autoritetet ndërkombëtare janë në kërkim të një marrëveshjeje që institucionet e Kosovës ta pranojnë planin gjashtëpikësh të Kombeve të Bashkara, presioni diplomatik mbi Prishtinën vazhdon.

Analisti Ylber Hysaj konsideron se tash për tash Prishtina zyrtare duhet të gjejë një zgjidhje, që të jetë partnere për t'i mbrojtur interesat e veta.

Nuk bëhet fjalë për përballje, bëhet fjalë që sa muaj për gjetjen e një zgjidhjeje. Edhe nëse do të ketë përballje, pasojat do të jenë aty. Me fjalë të tjera, Prishtina duhet të gjejë një zgjidhje që të jetë partner për t’i mbrojtur interesat e saj dhe jo për t’u imponuar, në mënyrë që të bëjë diçka, për të cilën nuk do të pyetet në fund dhe t'i ketë pasojat për aty ku do t'i mbetet pushteti në Kosovë”, thotë Hysa.

Por, analisti tjetër politik, Muhamet Kelmendi, vlerëson se institucionet e Kosovës kanë mundësi të përballen me presionet diplomatike. Sipas tij, një gjë e tillë mund të bëhet nëse qeveria del shpejt me një plan konkret për shtrirjen e EULEX-it në veri të Kosovës.

“Unë mendoj se Prishtina zyrtare ka shumë mekanizma në duar të veta, me të cilat mund të bëjë rezistencë dhe natyrisht të dalë me kundër-propozime, të cilat na dërgojnë te ajo që në të vërtetë të shtrijmë EULEX-in në të gjitha pjesët e Kosovës”.

Qeveria e Kosovës duhet aktualisht, në mënyrë urgjente, të dalë me propozime konkrete se si mendon të dalë nga kjo çështje. Të bëjë propozime konkrete se si mendon të zgjerojë EULEX-in në Kosovën veriore dhe natyrisht të mblidhen të gjitha forcat politike”, tha Kelmendi.

Për analistin Hysa, zgjidhja e kësaj çështjeje ka pasur mundësi të gjendet shumë më herët, sesa tash. Ai konsideron se nëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara mendohet se zgjidhja mund të gjendet vetëm me bisedimet e zhvilluara me Beogradin, përfundimi do të jetë humbës për të gjithë.

“Nëse në Nju Jork mendohet që në Kosovë mund të gjendet zgjidhja vetëm përmes Beogradit, gjithsesi, herët a vonë, do të kuptohet se të gjithë do të jënë humbës”.


“Është momenti që të gjithë të mësojmë nga ky pësim dhe, në këtë aspekt, duhet menduar se si duhet të përfillet Prishtina me interesat e saj, e cila si një lloj partnereje kontraktuese do të mundohet që në një formë tranzitore të bëjë që prezenca ndërkombëtare në post-status të jetë konform principeve të Ahtisarit”, thotë Hysa.

Zoti Hysa gjithashtu konsideron se autoritetet më të larta të Kosovës duhet të vazhdojnë të jenë në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare.

“Nuk bëhet fjalë për një tifozllëk futbolli këtu për po ose jo, ose për të mbajtur inat patriotik. Këtu bëhet fjalë për të gjetur një zgjidhje, për të mbrojtur interesat e Kosovës. Nëse ato interesa do të mbroheshin me po ose jo, do të ishte shumë e lehtë. Por, duhet të gjendet një zgjidhje shumë më inteligjente, sipas së cilës, ne nuk do të duhej të jemi kundërshtarë me aleatët tanë", tha Hysa.

Kundër planit gjashtëpikësh, me qëndrimet e tyre zyrtare kanë dalë publikisht edhe partitë opozitare në Kosovë. Zoti Kelmendi pohon se rezistenca për kundërshtimin e këtij plani do të jetë edhe më e madhe nëse janë unikë të gjithë politikanët kosovarë.

“Nuk e marrin përgjegjësinë kryetari dhe kryeministri për bisedimet me palën e tretë, në këtë rast me OKB-në dhe përfaqësuesit e Quint-it këtu në Kosovë. Por, edhe udhëheqësit e opozitës që janë këtu, tre kryetarët e opozitës, së bashku si grup të dalin aty - kjo do t’i jepte fuqi shumë më të madhe rezistencës dhe do të bënte një rezistencë shumë më të madhe ndaj presioneve që do të mund t’i bënin të huajt", tha Kelmendi.

Ndërkohë që përfaqësuesit më të lartë ndërkombëtarë vazhdojnë bisedimet në përpjekje për të bindur Prishtinën që ta pranojë gjashtëpikëshin, zyrtarët më të lartë shtetërorë të vendit thonë se nuk e kanë ndërmend të lëvizin nga pozicioni i refuzimit të këtij plani.
XS
SM
MD
LG