Ndërlidhjet

Liderët dënojnë ashpër sulmin në ndërtesën e ICO-së


Krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës e kanë dënuar ashpër sulmin ndaj ndërtesës së Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi thanë se ky sulm, paraqet një akt armiqësor dhe kërkuan nga organet e rendit që të veprojnë me shpejtësi për ta zbardhur atë dhe për ti vënë përgjegjësit para drejtësisë.

Presidenti Sejdiu e ka quajtur këtë si një akt armiqësor të drejtuar kundër interesave ë Kosovës, duke i drejtuar mesazhin qytetarëve për qetësi.

“E dënojmë në mënyrën më të ashpër të mundshme shpërthimin te ndërtesa e ICO-së. E themi pa hezitim se kryrësit e këtij akti të shëmtuar janë armiqtë e Kosovës. E themi po ashtu se asgjë e lere më një përpjekje e tillë e shëmtuar, nuk do ta zbeh respektin e fuqishëm që populli i Kosovës ka për Bashkimin Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi për të qenë partnerë të besueshëm të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Sejdiu.

Akti i sulmit ndaj ndërtesës së ICO-së në Prishtinë është dënuar edhe nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se ka kërkuar masa të shpejta e urgjente për ta zbardhur rastin dhe përgjegjësin apo përgjegjësit ti vë para drejtësisë.

“Edhe qeveria e Kosovës, sikurse të gjitha institucionet e vendit, i bashkëngjitet dënimit të ashpër të mundshëm për shpërthimin pranë ndërtesës së ICO-së. E themi pa hezitim se kryrësit e këtij akti të shëmtuar janë armiqtë e Kosovës".

"Unë kam kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme ndërmarrjen e masave të shpejta, konkrete për kapjen e akterëve dhe zbardhjen e këtij rasti”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërkohë, zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare Andy Mc Guffie ka konfirmuar se një mjet i vogël ka shpërthyer brenda rrethojave të ndërtesës së ICO-së, çka ka shkaktuar dëme materiale, por jo edhe pasoja në njerëz.

“Ne dënojmë pa rezerva këtë incident. I falënderohemi Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e tyre, dhe presim nga ta që të garantojnë sigurinë e stafit të të gjitha misioneve ndërkombëtare që veprojnë këtu”, thuhet në deklaratën e Mekgafit. Ai konfirmon se ICO-ja do të vazhdojë të punojë në dobinë dhe të mirën e popullit të Kosovës dhe stabilitetit në rajon.

Sulmi ndaj ndërtesës së ICO-së ka ndodhur në kohën kur Kosova dhe Bashkimi Evropian po bisedojnë, por pa arritur rezultate lidhur me planin gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban ki Moon i pranuar edhe nga Beogradi për shtrirjen e EULEX-it.

Presidenti Sejdiu tha se nuk mund ta thoshte nëse ka ndërlidhje ky sulm me bisedimet, por si tha ai, një ndërlidhje e tillë mund të bëhet vetëm nga ata që nuk ia duan të mirën Kosovës.

“Ne s’do të donim ti ndërlidhnim, por armiqtë e popullit dhe Kosovës mund të provojnë gjithçka. Për ne është me rëndësi që e kemi shprehur qëndrimin tonë se e dënojmë vërtetë këtë akt, kurse procesi i bisedimeve është një rjedhë normale që ne e kemi përfillur edhe deri tani. Kemi shprehur vërtetë qëndrime të qarta për atë materie të gjashtëpikëshit është një dokument që me substancën, elementet substanciale dhe si i tillë, pra si tërësi është i papranueshëm për Kosovën”, tha Sejdiu.

Shpërthimi brenda rrethojave të ndërtesës së Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur rreth orës 17.30, kur ishte hedhur një mjet i paidentifikuar shpërthimi. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka njoftuar se nga shpërthimi nuk ka pasur viktima në njerëz, por vetëm dëme materiale.

Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Kosovë udhëhiqet nga diplomati Pieter Faith dhe funksionon në kuadër të misionit të Bashkimit Evropian. Kurse mandati i këtij misioni është që të mbikëqyr zbatimin e Pakos së Ahtisaarit nga ana e institucioneve të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG