Ndërlidhjet

Daniel Fried takon sot liderët kosovarë


Daniel Fried

Daniel Fried

Nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike, Daniel Fried, takohet sot me udhëheqësit më të lartë vendorë. Temë diskutimesh pritet të jetë plani gjashtëpikësh i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon.





Deri më tash Prishtina zyrtare ka qenë e vendosur të mos e pranojë këtë plan, duke i cilësuar disa nga elementet e tij si esencialisht të papranueshme, por edhe kërcënuese për tërësinë territoriale të Kosovës.

Me një vlerësim të ngjashëm ka dalë pothuajse i gjithë spektri politik në Kosovë, i cili gjithashtu ka kërkuar nga udhëheqësit më të lartë të Kosoëvs që këtë çështje ta vënë edhe në Kuvend, në mënyrë që institucioni më i lartë ligjvënës ta thotë fjalën e fundit mbi të.

Vizita e sotme e zotit Fried pason një sërë takimesh intensive që udhëheqësit më të lartë vendorë kanë zhvilluar me përfaqësuesit më të lartë ndërkombëtarë në Kosovë.

Pas të gjitha këtyre takimeve, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, kanë dalë me vlerësimin se refuzimin që i kanë bërë gjashtë-pikëshit nuk e shohin si konfrontim me komunitetin ndërkombëtar, por si veprim që mbron integritetin e Kosovës dhe Kushtetutën e vendit.

Marrëveshja për planin gjashtëpikësh ndërmjet OKB-së, BE-së dhe Beogradit ka të bëjë me shtrirjen e EULEX-it në Kosovë dhe me policinë, gjykatat, doganat, menaxhimin e vijës kufitare, transportin e telekomunikacionin, si dhe me trashëgiminë kulturore e fetare ortodokse.

Roli i EULEX-it, sipas kësaj marrëveshjeje, do të ishte neutral ndaj statusit, që nënkupton se ky mision nuk do ta zbatonte Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nuk do të kishte ndërlidhje me planin e Martti Ahtisaarit.

Bazuar në mosarritjen e marrëveshjes, pritjet e Prishtinës tani janë që fillimi i misionit të EULEX-it në Kosovë të shtyhet sërish.

Me refuzimin e planit, udhëheqësit kosovarë thonë se nuk e konsiderojnë veten fajtorë për shtyrjen eventuale, pasi që EULEX-i ishte paraparë edhe me pakon e Ahtisaarit si një dokument ndërkombëtar, ku nuk ishte kushtëzuar fillimi i këtij misioni me miratimin paraprak nga Beogradi.
XS
SM
MD
LG