Ndërlidhjet

Prishtina prezanton katër pikat për shtrirjen e EULEX-it


Daniel Fried dhe Fatmir Sejdiu - arkiv
Daniel Fried dhe Fatmir Sejdiu - arkiv

Kosova ka paraqitur një dokument 4-pikësh, me të cilin ftohet sërish fillimi i misionit të EULEX-it në Kosovë, ndërkohë që kundërshtohet përfundimisht plani 6-pikësh i kreut të OKB-së, Ban Ki Moon, dhe Beogradit, për shtrirjen e këtij misioni.


Prishtina zyrtare ka prezantuar katër pikat e saj për shtrirjen e misionit të EULEX-it në Kosovë. Këto pika vijnë si një lloj kundërpërgjigjeje pas një plani gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban ki Moon, të harmonizuar me Beogradin, të cilin Kosova e ka hedhur poshtë.

Këto qëndrime të Prishtinës i janë prezantuar dhe dorëzuar zëvendës-ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit, Daniel Fried, me të cilat Kosova e fton EULEX-in të fillojë misionin, por duke e respektuar Kushtetutën dhe tërësinë territoriale të saj.

Presidenti Fatmir Sejdiu, i cili i lexoi këto katër pika, tha se qëndrimet e Prishtinës janë të harmonizuara dhe prezantojnë pozicionin e institucioneve, mbi bazën e të cilave misioni i BE-së mund të fillojë shtrirjen në gjithë territorin e Kosovës.

“Nën 1 - Jemi për vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës sipas mandatit të paraparë me deklaratën e pavarësisë, dokumentin e presidentit Ahtisaari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, aksionin e përbashkët të 4 shkurtit të vitit 2008 dhe ftesën bërë EULEX-it nga institucionet e Kosovës, të nënshkruar edhe nga presidenti më 17 shkurt dhe 8 gusht të vitit 2008”.

“Nën 2 - Institucionet e Kosovës refuzojnë dokumentin gjashtëpikësh”.

“Nën 3 - Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë me EULEX-in për vendosjen në tërë territorin e Kosovës”.

“Nën 4 - Kosova do të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n”, tha Sejdiu, duke prezantuar pozicionin e Prishtinës zyrtare.

Qëndrimet e Prishtinës, diplomati amerikan, Daniel Fried, tha se do t’i paraqesë tani në Gjenevë tek autoritetet e Kombeve të Bashkuara. Ai tha se këto pika të Prishtinës janë një platformë e mirë për të vazhduar përpara.

Sidoqoftë, Fried tha se ka ende gjëra që duhet harmonizuar për të parë nëse do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë, për t’i mundësuar EULEX-it fillimin e misionit në Kosovë.

“Është mirë që institucionet e Kosovës të punojnë me ne ashtu siç janë duke bërë, në mënyrë që të forcohet sundimi i ligjit në tërë Kosovën dhe në mënyrë që të zhvillohet bashkëpunimi me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe OKB-në. Kanë qenë dy ditë të mira dhe intensive dhe tani kemi bazat për të ecur përpara”, tha Daniel Fried.

Në takimin e sotëm ka marrë pjesë edhe shefi i ICO-së, Pieter Feith, i cili tha se BE-ja pret që të arrihet një marrëveshje, në mënyrë që EULEX-i të fillojë sa më shpejt me punën e vet në Kosovë.

“Ne, si Bashkim Evropian, mezi po presim vendosjen e shpejtë të EULEX-it në tërë Kosovën. Jemi të lumtur të dëgjojmë se qeveria është e përkushtuar për të punuar me ne dhe me OKB-në, për ta mundësuar vendosjen e EULEX-it”, tha Feith.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi vetëm përsëriti pozicionin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe për shtrirje të EULEX-it konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“E kemi ftuar dhe i kemi dhënë përkrahje dhe do ta ketë bashkëpunimin tonë të ngushtë EULEX-i për zgjerimin dhe ushtrimin e autoritetit në tërë territorin e Kosovës, në mënyrë që të funksionojë rendi dhe ligji në të gjithë territorin, në mënyrë që të mos ketë struktura jolegale në asnjë pjesë të territorit të Kosovës”.

“Ky zotim i yni është përfshirë edhe në refuzimin në tërësi të dokumentit gjashtëpikësh”, theksoi Thaçi.

Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, këto dy ditët e fundit, diplomati amerikan, Daniel Fried, ka takuar edhe opozitën, të cilëve u ka transmetuar përmbajtjen e aktiviteteve të fundit diplomatike, në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për EULEX-in.

Fried thotë se pikëpamjet e Prishtinës do t’ua paraqesë OKB-së dhe BE-së, për të parë se cilat janë format e përbashkëta për fillimin e misionit të EULEX-it në Kosovë, pas kundërshtimit të planit gjashtëpikësh nga ana e Kosovës, por i cili paraprakisht ishte pranuar nga Serbia.

Sidoqoftë, diplomacia ndërkombëtare është në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje për EULEX-in deri në fillim të dhjetorit, e cila nuk do të kundërshtohej nga Prishtina, por as nga Beogradi.
XS
SM
MD
LG