Ndërlidhjet

Sundimi i ligjit apo i strukturave paralele?


Ura qendrore në Mitrovicë
Ura qendrore në Mitrovicë

Policia dhe gjyqësia konsiderohen si dy fushat që atakohen më së shumti nga plani 6-pikësh. Zyrtarët qeveritarë thonë se nuk do lejojnë dualizëm pushtetesh, por opozita dhe ekspertët shfaqin drojën se qeveria s'do t'i bëjë ballë presionit dhe 6-pikëshi në një ose formë tjetër do hyjë në fuqi.

Fushat që do të pësonin më së shumti nga fuqizimi i planit të Ban Ki Moonit, sipas zyrtarëve të qeverisë, janë gjyqësia dhe policia. Eksperti për çështje kushtetuese, njëherësh anëtar i kabinetit qeveritar, Arsim Bajrami, konsideron se plani çon në ndarjen territoriale të vendit.

“Në mënyrë të veçantë, me këtë plan që tashmë është refuzuar dhe shpresoj që është vendosur jashtë kontekstit të bisedimeve, gjyqësori dhe policia do të atakoheshin dhe nuk do të garantohej një funksionim i sistemit unik gjyqësor dhe një policie unike, sepse me aranzhmanet e këtyre pikave, në fakt do të legalizoheshin këto struktura paralele dhe do të mundësohej një dualizëm i menaxhimit të gjyqësisë dhe policisë”.


“Kjo bie ndesh drejtpërdrejt me konceptet e një shteti sovran, në fakt nuk merr si të kryer çështjen e statusit final dhe prejudikon një ndarje të mundshme territoriale të Kosovës”,
pohon Bajrami.

Qeveria, sipas Bajramit, ka marrë këtë plan vetëm muajin e fundit, edhe pse arranzhimet për të në relacionin Beograd-OKB po bëhen tash sa muaj.

Ish-ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihaj, konsideron se plani në fjalë legalizon strukturat paralele të drejtësisë në veri.

“Definitivisht, pjesa e veriut dhe enklavat do të kenë drejtësi të vetën dhe kjo nuk do t’i konvenojë Kosovës; faktikisht, si tërësi do ta cenojë rëndë sundimin e ligjit”, tha Salihaj.

Por, çështje edhe më e ndjeshme sesa drejtësia, sipas ekspertit të sigurisë, Ramadan Qehaja, është policia. Sipas interpretimit që kosovarët i kanë bërë planit, policia serbe në veri nuk do t’i nënshtrohet zinxhirit komandues kosovar, por oficerëve ndërkombëtarë të policisë.

“Është e pakuptimtë që ne të kemi dy polici në Kosovë, d.m.th. policinë në jug të vendit dhe një polici në veri të lumit Ibër, përkatësisht një polici që është mono-etnike. Kjo për mua është gjëja më e keqe që ka mundur të na ndodhë dhe që mund të ndodhë nëse plani i Ban Ki Moonit realizohet në terren”, tha Qehaja.

Pala kosovare ka refuzuar këtë plan duke prezantuar katër pika, që për bazë kanë dokumentet e shtetësisë së Kosovës, të cilat i lejojnë vendosjen dhe shtrirjen e EULEX-it në Kosovë. Por, Qehaja nuk është i bindur që pala kosoavre s’do të lëshojë pe ndaj planit gjashtëpikësh.

”Ne, si Republikë e Kosovës, me kohë nuk e kemi refuzuar në mënyrë më të ashpër gjashtëpikëshin e Beogradit, sepse s’është i Ban Ki Moonit, por i Beogardit zyrtar. Domethënë, është lënë një kohë mjaft e gjatë që të kalojë prej atëherë kur është publikuar kjo dhe tash gjendemi në një moment shumë delikat, ku me të vërtetë disa gjëra do të shkojnë ndoshta në dëm tonin”,
tha Qehaja.

Një druajtje të tillë ka edhe Salihaj, i cili nuk sheh një qëndrim të vendosur refuzues të palës kosovare ndaj këtij plani.

“Nuk besoj se qeveria e ka kundërshtuar planin. Kemi të bëjmë me zbutje të qëndrimeve dhe hapje të mëtejme të diskutimeve për planin. Por, nuk besoj se decidivisht është kundërshtuar plani - nga prononcimet që po i lexoj nga presidenti dhe kryeministri”, tha Salihaj.

Por, Arsim Bajrami thotë se Qeveria e Kosovës nuk do të lëshojë pe, edhe pse, sipas tij, kosovarët do të mbesin konstruktivë në proces.

“Jo, qeveria absolutisht nuk do të lëshojë pe sa i përket konceptit të këtyre gjashtë pikave, por do të jetë konstruktive në proces; është interes vital i Kosovës dhe i Qeverisë së Kosovës që të vendoset sa më shpejt EULEX-i”, tha Bajrami.

Sidoqoftë, ekspertët thonë se për të evituar këtë lloj situate të krijuar, ku po rrezikohet sovraniteti dhe tërësia territoriale e Kosovës, duhet që sa më parë të formohet Këshilli i Sigurisë së Kosovës, trupi më i lartë që merret me sigurinë dhe që parashihet me Kushtetutën e Kosovës.

Ky trup pastaj do t’i dorëzonte qeverisë dhe presidentit masat që duhet ndërmarrë, në mëyrë që të kthehet kontrolli në pjesën veriore të Kosovës, ku pushtetin vazhdojnë ta kenë strukturat paralele serbe.
XS
SM
MD
LG