Ndërlidhjet

logo-print

WP: “Sekretarja Clinton – cilat janë shqetësimet?”


“Washington Post”

Kur u hap fjala se presidenti i zgjedhur, Barack Obama, kishte ftuar senatoren Hillary Clinton të bëhej Sekretare Shteti në administratën e tij, pati një mori reagimesh.

Disa e përshëndetën zotin Obama për krijimin e një ekipi ku përfshiheshin dhe rivalët, njësoj siç bëri Abraham Lincoln. Por, të tjerë, kritikë të ftesës, thonë se është një gabim në kufijtë e herezisë.

Këta theksojnë se nuk është e mençur të shpërblesh ish-rivalët që do të sjellin një bagazh jo të vogël, mes të cilëve dhe një bashkëshort ish-president. Kundërshtarët e Hillary Clintonit si Sekretare Shteti, e pranojnë faktin se ajo është e kualifikuar për këtë post, por, sipas tyre, çështja nuk përfundon këtu.

Pjesërisht kundërshtimet lidhen me faktin se një numër i konsiderueshëm ish-zyrtarësh të administratës Clinton ose janë pjesë e ekipit të tranzicionit të presidentit të zgjedhur Obama, ose kandidatë për poste në Shtëpinë e Bardhë.

Por, ta quash këtë disavantazh është budallallëk, pasi administrata Clinton ishte e vetmja administratë e demokratëve që nga koha e Jimmy Carterit, në vitin 1981. Të kërkosh të ngresh një ekip pa përvojë, nuk do t'i shërbejë as popullit dhe as presidentit.

Duke zgjedhur zonjën Clinton, Obama dëshmon edhe një herë se nuk ka frikë të rrethohet nga njerëz të mençur dhe të aftë. Si ish Zonja e Parë dhe anëtare e Komitetit të Mbrojtjes në Senat, ajo është e familjarizuar me mundësitë dhe rreziqet që shoqërojnë të ashtuquajturat politika të buta apo të ashpra.

Fushata e fuqishme e zonjës Clinton në mbështetje të Obamës, gjatë vjeshtës së këtij viti, është dëshmi e asaj se Obama dhe Clinton mund të funksionojnë si ekip. Por, nëse Obama zgjedh Hillary Clintonin, shqetësimet e mbështetësve dhe kundërshtarëve të vendimit lidhen me rolin e ish-presidentit Clinton.

Një numër ekspertësh po shohin me kujdes fondet miliona dollarëshe që ish-presidenti Clinton ka mbledhur për bibliotekën e tij presidenciale dhe fondacionin që drejton. Një pjesë e këtyre fondeve vjen nga qeveri apo individë të huaj, që kanë interesa konkrete në politikën e jashtme amerikane.

Është shumë e rëndësishme që ish-presidenti Clinton të bëjë publike të gjitha burimet e fondeve të tij, pasi bashkëshortja vazhdon të ketë poste publike. Në mesin e donatorëve për projektet e ish-presidentit Clinton janë dhe Katari, Kuvajti, Brunei, Tajvani dhe Emiratet e Bashkuara, që besohet se kanë dhënë nga një milion dollarë secili. Raportohet se familja mbretërore saudite ka dhënë 10 milionë dollarë donacione për projektet e Bill Clintonit.

Nëse zonja Clinton do të shërbejë si kryediplomatja e Shteteve të Bashkuara, atëherë amerikanët duhet ta dinë se cilat grupe interesi të huaja kanë bërë dhurime bujare fondesh në projektet e ish-presidentit.

Edhe më e ngatërruar është përgjigjja e pyetjes se si do ta vazhdojë karrierën e vet Bill Clinton përmes fondacionit dhe bibliotekës, nëse bashkëshortja do të bëhet Sekretare Shteti.

Bill Clinton, në rast se Hillay Clinton do ta merrte postin, duhet të heqë dorë nga biznesi i fjalimeve fitimprurëse, të cilat janë shumë të paguara, si dhe duhet të mos përfshihet në arritje marrëveshjesh të ndryshme.

As presidenti Obama e as Hillary Clinton, nëse bëhet Sekretare Shteti, nuk kanë dëshirë të kenë kokëdhembje nga problemet që mund të krijojë aktiviteti i ish-presidentit.
XS
SM
MD
LG