Ndërlidhjet

Hamiti: Refuzimi - faktorizim i Kosovës


Sabri Hamiti
Sabri Hamiti

"Ajo që ka manifestuar Kosova, ka tërhequr vërejtjen për faktorizim të vetvetes. Kjo nuk do të thotë prishje marrëdhëniesh me të tjerët, por respektim më i madh", thotë Sabri Hamiti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Hamiti, Prishtina zyrtare ka ripërsëritur qëndrimin e saj refuzues për gjashtëpikëshin e OKB-së, ndërkohë që ka paraqitur një dokument katërpikësh. Si e vlerësoni ju këtë dokument?

SABRI HAMITI
Për ato gjashtë pika, të cilat janë përsëritur dhe përfolur sidomos dy javët e fundit, unë mendoj se institucionet e Kosovës kanë mbajtur një qëndrim konstant që nga fillimi i bisedimeve rreth tyre. Kjo që ka ndodhur, në të vërtetë është vetëm një përfundim i qëndrimit rreth tyre.

Gjashtë pikat absolutisht janë të papranueshme, jo vetëm për një nivel të krerëve institucionalë të një vendi, por për qytetarët, popullsinë e Kosovës dhe perspektivën e saj, sepse, në të vërtetë, në mënyrë hileqare, tinzare, promovojnë ndarjen e Kosovës, prekjen e sistemit të saj të brendshëm, të integritetit territorial – faktikisht, mohojnë pavarësinë e saj.

Është mirë që e gjithë popullsia e Kosovës, bashkë me udhëheqësinë e saj, që në hapin e parë i kanë refuzuar këto. Paraqitja e katër pikave të reja, katër pikave të qëndrimeve të Prishtinës, në të vërtetë është vetëm një rimarrje e obligimeve institucionale për Kosovën pas pavarësisë, d.m.th. mbështetjen në Kushtetutë, mbështetje në planin e Ahtisaarit, nëpërmes të cilit është promovuar edhe Kushtetuta dhe është shpallur pavarësia – natyrisht si vullnet i popullit.

Ajo që është këtu e rëndësishme - unë mendoj që kjo mbështetje në dokumentet ekzistuese, që janë dokumente obliguese ndërkombëtare të Kosovës, përmenden edhe ligjet e Kosovës. Çfarëdo misioni ndërkombëtar që të jetë në Kosovë, duhet të veprojë në kuadrin e Kushtetutës së Kosovës dhe, në të njëjtën kohë, duhet të veprojë në kuadrin e ligjeve të Kosovës.

Domethënë, mohimi i gjashtë pikave, në këtë rast është pohim i politikës nacionale të Kosovës, që kushtëzohet nga interesat e qytetarëve të Kosovës dhe nga mbrojtja e pavarësisë së Kosovës dhe krijimi i një shteti ligjor e funksional.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse Prishtina zyrtare mban edhe më tej këtë qëndrim, a mund të ketë përkeqësim të raporteve me ndërkombëtarët?

SABRI HAMITI
Kjo punë e formulimit ndërkombëtar është shumë problematike në diskurset tona politike. Ndërkombëtar është edhe Rusia, ndërkombëtar është edhe Greqia, ndërkombëtar janë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – pra, nëse luajmë me termat.

Assesi jo. Unë mendoj që edhe tash, edhe më parë, edhe përgjithmonë, një udhëheqësi legjitime e një vendi, e cila kërkon rrugët paqësore për të realizuar interesat e vendit, interesat nacionale, nuk ka pse, pra veprimet e saj, të interpretohen si prishje e marrëdhënieve me ndërkombëtarët, kushdo qofshin ata.

Edhe deklarata në katër pika e udhëheqjes institucionale të Kosovës e lë pikën e katërt si mundësi për bashkëpunim të koordinuar, siç ka qenë deri më tani, me faktorët themelorë, sepse bashkëpunimi bëhet me faktorët themelorë, të cilët përkrahin interesat e një vendi – në këtë rast janë SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, që kanë në fokus raportet e deritashme me Kosovën dhe pozicionimi i cili i jep udhë zhvillimit të Kosovës kah integrimet evropiane.

Unë mendoj që një qëndrim i tillë i strukturuar, e rrit bashkëpunimin, nuk e vë në krizë bashkëpunimin me faktorët, unë po i quaj ndërkombëtarë – jo bashkësinë ndërkombëtare, sepse është një koncept shumështresor – faktorët ndërkombëtarë, të cilët kanë ndihmuar që të shpallet pavarësia e Kosovës dhe presin që të ndihmojnë që të funksionalizohet shteti i pavarur i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Domethënë, nuk do të ketë asnjë reflektim negativ në raportin mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare?

SABRI HAMITI

Do të ketë rritje përgjegjësie të dyanshme. Unë mendoj se ajo që ka manifestuar Kosova në 10-ditëshin e fundit, vetëm se ka tërhequr vërejtjen për një faktorizim të vërtetë të vetvetes. Unë mendoj se faktorizimi i vetvetes nuk do të thotë prishje marrëdhëniesh me të tjerët, por do të thotë respektim më i madh.

Mendoj që Kosova sot është më e respektueshme, sesa deri dje, edhe para faktorëve të tjerë, të cilët mund të kenë ide të tjera. Fundi i fundit, raportet në politikë janë raporte interesi, nuk janë raporte dashurie me askend, kushdo qoftë, qoftë vend i veçantë, qoftë grup vendesh, qoftë organizatë e madhe ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mendoni se do të funksionojë misioni i ri i Bashkimit Evropian, EULEX, në Kosovë?

SABRI HAMITI
Më së pari duhet theksuar një gjë – EULEX-i është obligim ndërkombëtar i Kosovës, sepse gjendet në një projekt – zgjidhje, i cili e ka derivuar edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Pra, është obligim ndërkombëtar. Kosova duhet të mësohet t’i marrë obligimet ndërkombëtare. Në këtë kuptim, EULEX-i në Kosovë duhet të vendoset, duhet të vendoset gjithkund.

Ajo që është themelore duhet të theksohet – duhet të vendoset me misionin origjinar, misionin e fillimit, jo me përshkrime detyrash që mund t’i atribuojnë të tjerët rreth Kosovës, ose që nuk kanë interesa të vërteta në Kosovë.

Pra, EULEX-i mund të funksionojë me funksionin origjinar, që të ndihmojë krijimin e shtetit ligjor në Kosovë, që të ndihmojë sigurinë, që të marrë funksionet elementare, duke zbatuar Kushtetutën e Kosovës dhe duke zbatuar ligjet e Kosovës.

Vetëm në këtë mënyrë, ai do ta kryejë punën themelore për të krijuar rend e ligj, që do të thotë për të prishur të gjitha strukturat ilegale, që kanë për detyrë ose mision të mos lënë Kosovën të bëhet shtet unik dhe shtet ligjor. Unë mendoj që kjo është detyrë e EULEX-it.

Çdo detyrë tjetër shtesë - EULEX-i në të vërtetë do t’i qesë probleme vetvetes përpara, sepse një mision i tillë duhet ta ketë besimin e popullit ku vjen. Kjo është elementare. Nëse ai e humb besimin ende pa ardhur në Kosovë, vështirë e ka të veprojë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni që do të ndodhë shtrirja e EULEX-it?

SABRI HAMITI
Kjo varet prej Bashkimit Evropian. BE-ja definitivisht e ka ndërtuar këtë strukturë, është në përgjegjësinë e vet, duhet të marrë vendime shpejt. Këtu janë implikuar Kombet e Bashkuara, ju po e shihni edhe vetë, që duan ta fusin nën ombrellë.

E futën, s’e futën nën ombrellë simbolikisht Kombet e Bashkuara, EULEX-i duhet të komandohet dhe të udhëheqet nga Bashkimi Evropian dhe varet prej vullnetit dhe shpejtësisë së tyre që ky të bëhet efektiv në Kosovë. Ata vetë thonë që duhet të jetë deri në fund të këtij viti – unë pres që kjo do të ndodhë. Përndryshe, shtyrjet do të kenë interpretime dhe konsekuenca të reja.
XS
SM
MD
LG