Ndërlidhjet

logo-print

Protestë në mbrojtje të sovranitetit


Pamje nga protesta, 19 nëntor 2008.

Pamje nga protesta, 19 nëntor 2008.

Dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar në Prishtinë, në kundërshtim të planit gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, dhe në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës.


Protesta është organizuar nga rrjeti i organizatave joqeveritare, të udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje, por aty kanë marrë pjesë edhe figura politike, përfshirë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Protestuesit mbanin në duar flamurin kombëtar shqiptar, parulla kundër ndarjes së Kosovës, brohoritnin poshtë UNMIK-u, ndërkaq emri më i brohoritur ishte ai i liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Masa e njerëzve u nis nga Biblioteka Kombëtare, vazhdoi marshutën përpara Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës dhe në fund edhe para ish-selisë së UNMIK-ut, tani EULEX-it.

Duke iu drejtuar masës, Albin Kurti tha se edhe nëse liderët kosovarë e pranojnë në çfarëdo mënyre gjashtëpikëshin, populli nuk do ta pranojë atë. Ai kundërshtoi neutralitetin e EULEX-it, duke e parë atë si një definicion që i mundëson Serbisë të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës.

“Po thonë që ky farë EULEX-i është neutral. Ky neutralitet i bie njëfarë paanshmërie ndaj dy palëve. Pra, kur po thonë është neutral, po duan të thonë se për çështjen e Kosovës janë dy palë, është Kosova, por është edhe Serbia”,
deklaroi Kurti.

Në vazhdim, Albin Kurti ka kritikuar qëndrimin e lidershipit të Kosovës karshi zhvillimeve të fundit politike, ndërkaq planin 4-pikësh të Prishtinës, ai tha se e sheh si një mundësi që Kosova e Serbia sërish të hyjnë në negociata.

“E keni parë që dje ia kanë ofruar Daniel Friedit një plan 4-pikësh. Mirëpo, ky plan 4-pikësh do të përfundojë si qëndrim i palës kosovare në negociatat e ardhshme. Thonë, Serbia po i lyp gjashtë pika, ju po i lypni katër pika, hajde e gjejmë mesin diku. Prandaj, nuk mjafton më t’u thuhet ‘jo’ pikave të Ban Ki Moonit, por duhet thënë ‘jo’ edhe çfarëdo negociate ose pazari me vendin tonë”, tha Kurti.

‘Jo ndarjes së Kosovës dhe pacenueshmëria e sovranitetit’ ishin sllogane të kësaj proteste.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta dhe veteranëve të UÇK-së, Xhavit Jashari tha se çdo tentim për ta ndarë Kosovën do të ketë efekte edhe për vendet tjera të rajonit.

“Edhe nëse këto institucione, pa marrë parasysh arsyet, këtë ‘jo’ të sotme e bëjnë ‘po’ të nesërme, atëherë do të hapen probleme me të cilat do të përballen jo vetëm Kosova e Serbia, por do të përballen edhe Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, do të përballen edhe Shqipëria e Greqia...".

"Pra, do të ketë ribërje të kufijve, sot ose nesër, jo vetëm në këtë pjesë të tokave shqiptare, por edhe më gjerë”,
tha Jashari.

Kjo protestë ishte ndër më masivet që është organizuar që nga mbarimi i luftës e këndej. Ajo ka përfunduar qetë dhe pa incidente, por me porosinë se organizime të ngjashme do të ketë në vazhdimësi, përderisa, siç u tha, të cenohet sovraniteti dhe integriteti i Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG