Ndërlidhjet

Armët pa leje – rrezik për shoqërinë


Nga hulumtimet e bëra së fundi nga organizata të ndryshme joqeveritare në Kosovë, numri i armëve të vogla pa leje në Kosovë paraqet një problem të madh për zhvillimin dhe sigurinë e vendit. Ndërkaq, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe ata të policisë thonë se janë duke themeluar mekanizma, të cilët do të ndikojnë në uljen e armëmbajtjeve pa leje.

Nga një hulumtim i bërë nga organizatat joqeveritare, Saferworld dhe Forumi për Iniciativa Qytetare, është konstatuar se numri i armëve të vogla që janë në duart e kosovarëve, është shumë i madh.

Një gjendje e tillë me armë të vogla, që konsiderohen të jenë rreth 300 mijë, paraqet një rrezik serioz për zhvillimin shoqëror në Kosovë - është vlerësuar nga të pranishmit në konferencën me temën "Armët e vogla dhe siguria njerëzore në Kosovë".

Dukagjin Gorani, këshilltar për siguri i kryeministrit të Kosovës, pohon se nëse një armë do të ishte pjesë e një familjeje, atëherë mund të thuhet se çdo familje në Kosovë është e armatosur.

"Mbi 300 mijë armë të vogla ndodhen në posedim të paligjshëm privat. Një ekzistim i këtij numri të madh të armëve, e po ashtu edhe mungesa e vullnetit që këto armë të asgjësohen përmes dorëzimit, apo të asgjësohen në mënyra të tjetra, flasin për një shoqëri, e cila, megjithatë, vazhdon të mbizotërohet nga frika dhe pasiguria", tha Gorani.

Ai po ashtu theksoi se Qeveria e Kosovës është duke themeluar mekanizma, të cilët do të ndikojnë në uljen e mbajtjes së armëve pa leje.

Nga ana tjetër, Monika Linhard, përfaqësuese e Ambasadës gjermane, pohon se armëmbajtja në shtëpi është një fenomen i përhapur në rajon dhe konsiderohet mjaft shqetësues.

"Këto armë që gjenden tek popullata, përdoren shumë rrallë dhe përdoren në mënyrë të kujdesshme, por, prapëseprapë, janë rrezik për situatën e përditshme të sigurisë; është shumë e rëndësishme të flasim lidhur me këtë çështje. Mendoj që shoqëria civile mund të ndikojë në këtë çështje, për një numër të vogël të armëve në Kosovë dhe rajon", tha Linhard.

Edhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës vlerësojnë se numri i armëve të vogla në vend është i madh. Madje, sipas Naim Rexhës, nga Departamenti për çështje të komuniteteve në Policinë e Kosovës, numri i armëve të vogla arrin shifrën deri në 400 mijë.

Sipas zotit Rexha, një numër kaq i madh i armëve ilegale në duar të qytetarëve paraqet një rrezik të madh për sigurinë në përgjithësi.

“Ndikimi në aspektin e sigurisë dhe konkretisht në pasojat e ndryshme të rrezikshmërisë prej armëve, është shumë i madh", theksoi ai.

Ndërkaq, drejtori i organizatës joqeveritare Forumi për Iniciativa, Ferdinand Nikolla, që e ka bërë hulumtimin, vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë që të mos ketë armë në duart e qytetarëve.

“Duke pasur parasysh që ndërtimi i institucioneve të sigurisë në Kosovë është në përfundim e sipër, ne mendojmë se kujdes i veçantë, përveç çështjeve të tjera në fushën e sektorit të sigurisë, duhet t’i kushtohet pranisë së armëve të vogla, meqë ato përbëjnë kërcënim për sigurinë njerëzore në Kosovë”, tha Nikolla.

Hulumtimi tregon se posedimi i armëve është më shumë i përhapur në zonat rurale dhe ato kufitare dhe shumë njerëz e konsiderojnë këtë legjitime, duke pasur parasysh nivelin e perceptimit të pasigurisë në ato lokalitete.

Që nga paslufta në Kosovë, policia vendore dhe ajo e UNMIK-ut, përfshirë edhe paqeruajtësit e KFOR-it, kanë konfiskuar rreth 19.965 armë të lehta dhe armë brezi.
XS
SM
MD
LG