Ndërlidhjet

Baza legale mbi të cilën do të veprojë EULEX-i në Kosovë, mbetet ende mister. Zyrtarë të EULEX-it thonë se kjo çështje ende po diskutohet, por analistët shfaqin drojën se Kuvendit do t’i imponohet një infrastrukturë e re ligjore, që do ta ndryshojë legjislacionin aktual.


Ligjet e Kuvendit të Kosovës, rregulloret e UNMIK-ut, apo ligjet ndërkombëtare?

Përveç dilemës së vendosjes dhe shtrirjes në tërë territorin e Kosovës, EULEX-i përballet edhe me dilemën se çfarë ligjesh do të zbatojë në Kosovë, kur merret parasysh neutraliteti ndaj statusit të Kosovës, që zyrtarë të këtij misioni po e potencojnë vazhdimisht.

Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara dhe një nga aktivistët kundër gjashtëpikëshit të Ban Ki Moonit, vlerëson se EULEX-i gjendet para një situate paradoksale.

“Kjo që po na thuhet neve se EULEX-i duhet të jetë neutral ndaj statusit, është paksa absurde, sepse EULEX-i nuk është mision i asistencës teknike, por mision ku do të kemi gjykatës dhe policë. Dhe, kur vjen një gjykatës dhe polic, ata duhet të implementojnë ligje, dhe këtu shtrohet pyetja se çfarë ligjesh duhet të implementojnë ata. Nëse implementojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kuvendit, atëherë janë pro pavarësisë, por nëse nuk i implementojnë ato, atëherë do të jenë kundër, që do të thotë se nuk mund të jenë neutralë ndaj statusit”, thotë Ahmeti.

Zyrtarë të EULEX-it thonë se ende nuk është marrë vendim për këtë çështje, edhe pse ka zëra brenda këtij misioni që thonë se duhet marrë për bazë vetëm ligjet që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës.

Por, eksperti i drejtësisë, Kujtim Kërveshi, mendon se synim i EULEX-it është zbatimi i rregulloreve të UNMIK-ut, shumica e të cilave, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, konsiderohen të shfuqizuara.

“Unë po besoj se qëllimi i tyre është që të vazhdojnë aplikimin e rregulloreve të UNMIK-ut dhe pastaj do t’i imponojnë Kuvendit infrastrukturë të re ligjore, varësisht nga procesi i njohjes së këtyre 6 pikave, që kanë qenë marrëveshje e Brukselit, OKB-së dhe Beogradit. Kjo krijon një mjegulli edhe më të madhe të zbatimit të legjislacionit në Kosovë, për arsye se ne edhe ashtu kemi problem në zbatim të legjislacionit, duke pasur parasysh këtë konglomerat ligjesh”,
thotë Kërveshi.

Ahmeti shfaq shqetësimin për mungesën e transparencës në lidhje me diskutimet qoftë mbi gjashtëpikëshin, qoftë mbi funksionalizimin e misionit evropian të drejtësisë dhe policisë.

“Një kombinim, kur në një pjesë të Kosovës implementohet një ligj, e në anën tjetër një ligj tjetër, shkakton kaos. Por, sërish nuk mund të themi se mund të jetë neutral, nëse në disa pjesë të Kosovës ata zbatojnë ligje që nuk janë miratuar nga Kuvendi - atëherë ata janë kundër statusit të pavarësisë dhe këto janë çështje që duhet thënë haptas publikut. Këtu qëndron problemi se këto diskutime po mbahen jashtë syve të publikut, pa i shpjeguar ndonjë gjë, dhe po shkaktojnë vetëm tensione të mëtejme”, thotë Ahmeti.

Prishtina zyrtare ka refuzuar gjashtëpikëshin e arritur si marrëveshje mes OKB-së e Beogradit, për shtrirjen e EULEX-it, e cila, ndër të tjera, parasheh që ky mision të jetë neutral karshi statusit. Por, Kujtim Kërveshi mendon se me gjithë refuzimin, Kosova nuk do të shpëtojë pa negociata të reja dhe pa ndryshim të legjislacionit.

“Marrëveshja e re që kërkon ndryshime të reja në legjislacion për ta jetësuar marrëveshjen që do të burojë si fat i këtyre negociatave - kjo është jo e logjikshme, sepse sistemi është ndërtuar ndryshe dhe duhet ta ndryshojmë krejt sistemin e funksionimit në Kosovë, për shkak se do të krijohen binome të reja. Krijimi i binomeve të reja dikton edhe krijimin e një shteti model, që rrallëherë mund të gjendet si funksional në shtete“, tha Kërveshi.

Ndryshe, në situata të tilla të komplikuara, ekspertët thonë se mund të vijë në shprehje zbatimi i ligjeve të huaja, por një praktikë e tillë bën që shteti të mos jetë funksional. Bosnja merret si një nga shembujt, ku zbatimi i ligjeve të ndryshme ka ndikuar në brishtësinë e vazhdueshme të këtij shteti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG