Ndërlidhjet

"Çështja e EULEX-it bartet në OKB"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare

KOSOVA SOT
Policia e Kosovës ka arrestuar tre shtetas gjermanë të dyshuar për hedhjen e mjetit shpërthyes në selinë e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, ditë më parë. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, sipas të cilit, mjeti shpërthyes i hedhur në Zyrën Civile Ndërkombëtare është TNT, që përdoret për shpërthim të shkëmbinjëve me mundësi të shpërthimit nga 2 deri në 8 minuta. "Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona, shtetas gjermanë, të dyshuar për sulmin ndaj selisë së ICO-së. Policia është duke hetuar intensivisht në këtë rast", tha Elshani. Sipas Elshanit, shtetasit gjermanë nuk kanë imunitet diplomatik dhe nuk janë pjesë e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë. Ndonëse, sipas versionit zyrtar të policisë, të dyshuarit janë arrestuar të mërkurën rreth orës 16.00, burime të gazetës sqarojnë se njëri nga ta është arrestuar natën e shpërthimit tek ICO-ja, më 14 nëntor. Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë kanë shpjeguar për "Kosova Sot" se deri te zbulimi i identitetit të të dyshuarve kanë ndihmuar kamerat, që janë të vendosura te ndërtesa e Zyrës Civile Ndërkombëtare...

EPOKA E RE
Zgjidhja e çështjes së rikonfigurimit të pranisë civile ndërkombëatare në Kosovë, bartet në Kombet e Bashkuara, ku sot ( e premte), në Nju Jork, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Javier Solana, do të bisedojë me Ban Ki Mooin. Në këtë takim, siç kanë kofirmuar në Bruksel, do të shqyrtohen iniciativat për rikonfigurimin e UNMIK-ut, përkatësisht mbi vendosjen e EULEX-it në Kosovë, në prag të seancës së Këshillit të Sigurimit, e cila do të duhej të mbahej në fillim të javës së ardhshme. Kjo seancë ka qenë planifikuar të mbahej në fillim të këtij muaji, por është shtyrë për shkak të kundërshtimit të Prishtinës ndaj planit të propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm i organizatës botërore...

BOTA SOT
Sipas zyrtarëve për informim të Presidencës dhe të Ministrisë së Jashtme, në takimet që presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, patën me kryeministrin Gordon Brown dhe ministrin e Jashtëm, David Miliband, përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës fillimisht falënderuan kryeministrin britanik Brown, ministrin e Jashtëm, Miliband, dhe Qeverinë britanike për kujdesin dhe angazhimet e deritashme për Kosovën dhe popullin e saj. Presidenti Sejdiu ka falënderuar kryeministrin britanik, Gordon Brown, dhe ministrin e Jashtëm, Miliband, për ndihmën që Mbretëria Britanike ka dhënë tash e sa vjet për Kosovën dhe për qëndrimin parimor të Britanisë për statusin e Kosovës. “Britania e Madhe bashkë me SHBA-të kanë qenë gjithmonë në krye të procesve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, prandaj ne shprehim falënderimet tona të larta për gjithçka që shteti britanik ka bërë për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj”...

KOHA DITORE
Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, për Kosovën, pritet të dorëzohet të premtën (sot) te vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gazeta ka mësuar nga burimet e veta në selinë e OKB-së, se në raportin e shefit të Kombeve të Bashkuara, përveç zhvillimeve politike në Kosovë, do të përfshihen edhe detajet e negociatave për gjështë pikat që Ban Ki Moon ka përcaktuar të negociohen në mes të Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e OKB-së. Si rezultat i këtyre negociatave, OKB-ja ka përpiluar një dokument përceptimesh që ndryshe njihet si plani gjashtëpikësh, të pajtuar me Beogradin, ndërsa të refuzuar nga Prishtina zyrtare. Ditë më parë, zëvendësndihmës - sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Daniel Fried, në përpjekje për të zbutur qëndrimin e kosovarëve, ka nxjerrrë bashkërisht me ta një përgjigje me katër kritere të palës kosovare si përgjigje zyrtare ndaj planit gjashtëpikësh. Në parim, i gjithë dokumenti i nxjerrë i Prishtinës zyrtare flet për një kundërshtim të ashpër të palës kosovare ndaj planit gjashtëpikësh dhe se përveç mandatit të pajtuar me Prishtinën, nuk mund të ketë formë tjetër të vendosjes së EULEX-it në Kosovë...

LAJM
Edhe zyrtarët amerikanë janë vënë në përkrahje të planit gjashtëpikësh të Ban Ki Moonit, si kusht për vendosjen e EULEX-it në Kosovë. Fillimisht, e ngarkuara me punë e SHBA-ve në Prishtinë, Tina Kaidanow, i lavdëroi gjashtë pikat, të cilat, sipas saj, janë në të mirë të Kosovës; më pas, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, e përforcoi këtë deklartë, nën arsyetimin se "gjashtë pikat nuk janë të përhershme, por të përkohshme"; ndërsa, në fund, ambasadori amerikan në Beograd, Cameron Munter, e vulosi qëndrimin amerikan. Munteri ka deklaruar se zyrtarët kosovarë janë informuar se Washingtoni e përkrah planin gjashtëpikësh të OKB-së dhe Prishtina është inkurajuar ta pranojë këtë plan, gjatë takimeve që Fried kishte me liderët kosovarë, për dy ditë radhazi...

INFOPRESS
Komuniteti i biznesit i ka dhënë përkrahje qëndrimit të institucioneve të Kosovës për mospranimin e planit gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon. Por, ka kërkuar të mos bëhen ndryshime kozmetike, pasi ato nuk e ndryshojnë brendinë e planit 6-pikësh. Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Odës Ekonomike, të mbajtur të enjtën në Prishtinë, u vlerësua se pranimi i këtij plani do të ishte pranim i ndarjes së Kosovës. Sipas drejtuesve të Odës Ekonomike, Kosova duhet të tregojë qëndrueshmëri shtetërore dhe mos të pranojë planin prej gjashtë pikash të Bna Ki Moonit. "Për një qëndrim të tillë ndoshta për një kohë të caktuar do të paguajmë një çmim, por mendoj se shumë shtete në bashkësinë ndërkombëtare kanë treguar mirëkuptim për qëndrimet e Kosovës", ka thënë Besim Beqaj, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës...

ZËRI
Si ka mbërritur Kosova në gjendjen e tanishme, gjithsesi problematike, të paqartë sa i përket përfundimit të saj, kur bëhet fjalë për të ashtuquajturin dokument gjashtëpikësh, të dakorduar midis OKB-së, UNMIK-ut dhe Qeverisë së Serbisë, për bashkëpunimin në fushat e policisë, gjyqësisë, doganave, kontrollit kufitar, transportit dhe trashëgimisë kulturore dhe religjioze? A është ky dokument, i cili u botua në gazetën "Zëri" të hënën, më 10 nëntor; befasi e madhe për Prishtinën dhe madje edhe për Perëndimin, një e papritur që nuk ka mundur të parashikohet, apo kemi të bëjmë me një epilog, i cili në trajta të ndryshme është paralajmëruar në pranverën dhe verën e këtij viti? A ka mundur të pengohet rrjedha e gabuar e këtij procesi më herët, apo vetëm tani, kur gjithçka mori trajtën e një dokumenti të qartë, udhëheqësit kosovarë kanë mundur të reagojnë ashtu siç bënë, duke thënë që gjashtëpikëshi është i papranueshëm për ta dhe për Kosovën, sepse cenon pavarësinë dhe Kushtetutën e Kosovës?

XS
SM
MD
LG