Ndërlidhjet

Rrugëtimi i Maqedonisë në integrimet euroatlantike


“Kontesti që po zgjat tashmë 17 vjet për çështjen e emrit, ka hyrë në një pikë kritike në aspekt të pranimit të Maqedonisë në NATO dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e saj edhe në BE”, vlerëson eksperti i çështjeve ndërkombëtare dhe ish-ministër i jashtëm, Denko Malevski.

Kjo, sipas tij, i obligon partitë politike që të kërkojnë dalje nga situata e krijuar, por me ngritjen e padisë para Gjykatës Ndërkombëtare, pushteti aktual sikur kërkon kohë për të arritur ndonjë zgjidhje, pasi procedura në këtë gjykatë nuk do të përfundojë shpejt.

“Kjo, sipas mendimit tim, do ta ngadalësojë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, pasi kusht për këtë mbetet zgjidhja e kontestit me emrin dhe deri atëherë mendoj se duhet të punojmë për arritjen e një kompromisi, në rradhë të parë brenda vendit, për çështjen e emrit”, tha Denko Malevski.

Ndërkohë, ish-diplomati Mahi Nesimi thotë se situatën e vështirëson edhe fakti se Maqedonia ende nuk ka caktuar negociatorin e ri pas shkarkimit të Nikolla Dimitrovit, si dhe padia e ngritur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Çdo zvarritje është në dëm të Maqedonisë, si mungesa e negociatorit, ashtu edhe padia e shtruar tani ndaj Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare. Këto dy çështje vetëm sa e prolongojnë kohën e plotësimit të kushteve të parashtruara nga ana e NATO-s dhe e BE-së, për integrim të Maqedonisë në strukturat euroatlantike”, tha Nesimi.

Nga ana tjetër, i pyetur nëse kjo zvarritje e integrimit të vendit mund të rrezikojë stabilitetin dhe sigurinë në Maqedoni, Denko Malevski thotë:

“Shumë është me rëndësi për Maqedoninë që sa më parë të bëhet pjesë e strukturës së sigurisë së NATO-s. Kur kihet parasysh se ne jemi një shoqëri e ndarë në baza etnike, edhe anëtarësimi në Aleancën e Altantikut të veriut s’do t’i evitonte rreziqet e brendshme, por edhe presionet që mund të vijnë nga jashtë”, tha ish-shefi i diplomacisë, Denko Malevski.

Ndërsa, i pyetur nëse ka plan alternativë për zgjidhjen e kontestit me Greqinë, Mani Nesimi u shpreh:

“Në kokat e dikujt mund të ekzistojnë edhe plane të atilla, mirëpo në Maqedoni, fatkeqësisht, nuk ka kapacitete qoftë intelektuale, ekonomike apo edhe të tjera, që t’i bëjnë ballë NATO-s për t’u shtrirë edhe në këto hapësira. Pra, plani nuk mund ta ndalë procesin e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s”.
XS
SM
MD
LG