Ndërlidhjet

logo-print

Kush qëndron pas shpërthimit në ICO?


Prishtinë - Pamje pas shpërthimit në objektin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, më 14 nëntor 2008.

Prishtinë - Pamje pas shpërthimit në objektin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, më 14 nëntor 2008.

Policia thotë se s'ka zbuluar ende motivin e shpërthimit në ICO dhe hedh poshtë pohimet se tre gjermanët e arrestuar janë pjesë e shërbimit sekret gjerman BND dhe atij serb UDB. Në Komisionin Parlamentar për Siguri pohojnë të kundërtën.



Tre gjermanët e arrestuar lidhur me shpërthimin e 14 nëntorit në Zyrën Civile Ndërkombëtare, gjenden ende në paraburgimin prej 72 orësh dhe gjatë kësaj kohe po merren në pyetje nga hetuesit.

Zëdhënësi i policisë, Veton Elshani, thotë se ende nuk e di motivin që i ka shpier këta tre persona të hedhin mjet shpërthyes mbi objektin e ICO-së.

“Nuk është zbuluar motivi i tyre. Ata janë të dyshimtë lidhur me shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, apo lidhur me shpërthimin që ka ndodhur më 14 nëntor para ndërtesës, ndërsa për shkak të hetimit të rastit, i cili është duke u zhvilluar, ne nuk mund të flasim diçka tjetër”, tha Elshani.

Veton Elshani hodhi poshtë pohimet se njëri nga të arrestuarit është pjesëtar i Shërbimit Sekret Gjerman BND dhe tjetri nga ai serb UDB.

“Ne nuk kemi informata se ndonjëri nga ta është i ndonjë agjencie. Ne dimë se ata janë në Kosovë si persona privatë, nuk kanë imunitet diplomatik, nuk janë punonjës të ambasadave; ne kemi të bëjmë me personel privat. Ndërsa, sikur të ishin pjesë e ndonjë agjenture, do ta kishim kuptuar deri tash”,
tha Elshani.

Por, kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Rrustem Mustafa, është i bindur se në shpërthimin në ICO janë të ndërlidhura shërbimet sekrete të huaja.

“Dikush është i interesuar që ta prishë situatën, ta destabilizojë vendin. Janë dy ngjarje që ndodhën menjëherë, është gjashtëpikëshi i Ban Ki Moonit dhe sulmi ndaj zyrës së ICO-së. Këto janë nga një qendër, e cila do të thosha se dihet afërsisht ku është - adresa e fundit është Beogradi, por nuk është Beogradi i vetëm, është një rreth më i gjerë që e ndihmon Beogradin
”, tha Mustafa.

Mustafa thotë se ndërhyrja e shërbimeve sekrete të huaja në Kosovë ka të bëjë me, siç thotë, përparimin që Kosova ka arritur që nga shpallja e pavarësisë. Ai ndërlidh shpërthimin edhe me raportin e progresit të Komisionit Evropian, i cili u publikua ditë më parë.

“Unë po them se kur qeveria e vendit dhe ne të gjithë kemi identifikuar pikat ku duhet punuar shumë në ditët e ardhshme, për të luftuar kundër korrupsionit e krimit të organizuar, erdhën këto sulme nga jashtë. Këto sulme bëhen për ta destabilizuar Kosovën, në mnyrë që ne të mos mund t’i rendisim progreset në këto fusha që i përmenda. Sulmet vijnë nga ata që nuk ia duan të mirën vendit tonë”,
tha Mustafa.

Më 14 nëntor, një mjet shpërthyes, që, sipas policisë, i përkiste llojit të eksplozivit TNT, është hedhur në afërsi të objektit të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Policia thotë se që atë natë ka intervistuar disa persona lidhur me shpërthimin, por ka hedhur poshtë pohimet se njëri nga gjermanët po mbahet në paraburgim që nga ajo ditë.

Shpërthimi pranë ndërtesës së ICO-së u dënua nga institucionet kosovare dhe ndërkombëtare, si dhe subjektet politike në vend, të cilat thanë se ky sulm paraqet një akt armiqësor dhe patën kërkuar nga organet e rendit që të veprojnë me shpejtësi për ta zbardhur atë dhe për t’i vënë përgjegjësit para drejtësisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG