Ndërlidhjet

Kërkohet të mos politizohet rasti i 3 gjermanëve


Prishtinë - Zyra Civile Ndërkombëtare
Prishtinë - Zyra Civile Ndërkombëtare

Politikanët kosovarë kanë kërkuar që rasti i arrestimit të tre gjermanëve lidhur më shpërthimin në ICO, të mos politizohet dhe që drejtësia të thotë fjalën e fundit. Ndërkohë, mbrojtja e tre shtetasve gjermanë ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Qarkut, duke kërkuar lirimin e tyre.


Mbrojtja e tre gjermanëve që po mbahen në paraburgim lidhur me shpërthimin në Zyrën Civile Ndërkombëtare, ka paraqitur ankesë në kolegjin penal të Gjykatës së Qarkut.

Avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi tha se është kërkuar lirimi nga paraburgimi.

“Kundërshtojmë paraburgimin dhe propozojmë që të njëjtëve t’u zëvendësohet paraburgimi me masën e arrestit shtëpiak në banesën në të cilën kanë banuar në Prishtinë, përfshirë edhe marrjen e pasaportave. Qëllimi ynë është që të mbrojturit tanë të mos rrinë në paraburgim”,
tha Gashi-Bytyqi.

Në ndërkohë, politikanët kosovarë kanë qenë të rezervuar dhe nuk kanë komentuar arrestimin e tre shtetasve gjermanë. Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se fjalën e fundit për këtë rast, duhet ta japë drejtësia.

“Unë jam jurist me profesion dhe nuk do të paragjykoj asnjë gjë pa e pasur elementin e fundit të sqarimeve rreth tyre; na duhen prova, në njërën apo anën tjetër, dhe, e dyta, nuk kam informata për akreditimin e tyre në cilësinë se çfarë mund të kenë pausr, mund të kenë ardhur si qytetarë apo diçka...”


“Për ne është me rëndësi që të vazhdojmë me një qasje të mirë të zhvillimit të proceseve edhe të hetimeve edhe të drejtësisë, për secilin që mund të ndodhet para gjykatës”,
tha Sejdiu.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se askush nuk është mbi ligjin, por, në të njëjtën kohë, ka bërë thirrje që ky rast të mos politizohet.

Në anën tjetër, avokatja Gashi-Bytyqi thotë se nuk ka fakte të mjaftueshme që dëshmojnë fajësinë e shtetasve gjermanë.

“Si mbrojtëse në këtë rast, konsideroj se nuk ka prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar; tash për tash, më shumë kemi një lloj fushate mediale, sesa që vërtet mediat kanë një qasje të njëmendtë në këtë proces”, tha Gashi-Bytyqi.

Sipas saj, deri më tani, nga Qeveria gjermane nuk ka arritur ndonjë kërkesë për transferimin e tre shtetasve të tyre në Gjermani, ndërkohë që gjatë procesit të deritashëm të hetimit, ajo pohon se kanë qenë të pranishëm përfaqësues të Ambasadës Gjermane në Kosovë.

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, përfshirjen eventuale të shtetasve të huaj në shpërthimin në ICO, e sheh si një nevojë urgjente që shteti kosovar të konsolidojë shërbimin e zbulimit, si dhe të krijojë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Qeveria duhet ngutshëm t’i krijojë këto organe, edhe në një procedurë më të përshpejtuar, sepse mund të krijohet edhe ndonjë krizë e papritur, siç po tregon ky rast, apo indikacionet e para që janë lidhur me këtë rast, se mund të ketë edhe raste tjera që mund të ndodhin
”, tha Ibishi.

Të pandehurit kanë deklaruar se janë të pafajshëm ndaj akuzës se kanë kryer vepër terroriste, gjë që sanksionohet me nenin 110 të Kodit Penal. Kjo vepër, që sistemohet në kapitujt e veprave penale kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj, konsiderohet si një nga veprat më të rënda.

Një nga përpiluesit e Kodit Penal, Ismet Salihu, thotë se nëse shpallen fajtorë, të pandehurit mund të marrin dënime të mëdha.

“Nëse vetëm kryhet akti terrorist, por jo me pasoja, lëndime të rënda trupore ose vdekje, dënimi është paraprë deri në 20 vjet burg, por nëse nga aktet terroriste shkaktohet vdekja e një apo më shumë personave, dënimi është deri në 40 vjet”,
tha Salihu.

Profesori Salihu thotë se këtij neni i nënshtrohen të gjithë njësoj, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare.

“Sipas Kodit tonë Penal, çdo person që kreyn vepër penale në territorin e Kosovës, çdo qytetar i Kosovës, shtetas i huaj, apo person pa shtetësi, do të gjykohet e dënohet sipas Kodit tonë Penal. Së këndejmi, nëse konstatohet se këta tre shtetas gjermanë kanë kryer akt terrorsit, atëherë ata persona do të dënohen nga gjykatat kosovare”, tha Salihu.

Megjithatë, zoti Salihu thotë se ekziston hapësira ligjore, që mundëson transferimin e shtetasve të huaj në vendin e tyre, në këtë rast në Gjermani, nëse kjo kërkohet nga drejtësia gjermane.

Ndryshe, edhe pse është përfolur shumë në media, policia ende thotë se nuk ka dijeni nëse tre të arrestuarit janë pjesë e shërbimit sekret gjerman BND.
XS
SM
MD
LG