Ndërlidhjet

Autoritetet kosovare thonë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të themelohet brenda vitit 2008. Ndërkaq, përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, edhe pse e quajnë të rëndësishëm për sundimin e ligjit formimin sa më parë të këtij institucioni, nuk mund të precizojnë datën kur Gjykata Kushtetuese mund të jetë funksionale.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të formohet deri në fund të këtij viti, kur pritet të përfundojë edhe procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve të angazhuar në këtë institucion. Kështu thonë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të cilët e quajnë jetike rëndësinë e formimit të këtij institucioni, për të siguruar zbatimin e aktit më të lartë juridik të shtetit të Kosovës.

Koordinatori i grupit punues për hartimin e projekt-ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Arsim Bajrami, i cili njëkohësisht është edhe ministër i Shërbimeve Publike, thotë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të përbëhet jo vetëm nga gjykatës vendorë, por edhe nga ata ndërkombëtarë.

"Gjykata Kushtetuese do të ketë nëntë gjykatës, prej të cilëve tre do të emërohen nga prezenca civile ndërkombëtare, ndërkaq gjashtë gjykatës do të jenë vendorë. Prezenca ndërkombëtare ka filluar rekrutimin dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe tani po shpresojmë që edhe Kuvendi i Kosovës, kryeministri dhe presidenti do ta shpejtojnë procedurën", shprehet Bajrami.

Kushtetuta e Kosovës precizon dhe mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Sipas Kushtetutës, vendimi për të propozuar shtatë nga gjyqtarët, varet nga miratimi i dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë.

Vendimi për të propozuar dy gjyqtarët e tjerë merret me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit, të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë, të cilët i mbajnë vendet që janë rezervuar ose garantuar për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.

Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila monitoron zbatimin e planit të presidentit Ahtisaari dhe rrjedhimisht dhe të Kushtetutës së Kosovës të bazuar mbi këtë plan, ndonëse e vlerëson si hap tejet të rëndësishëm themelimin e këtij institucioni, nuk mund të japë një afat të caktuar kohor se kur do të jetë funksionale Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Zëdhënësja e ICO-së, Verena Ringler, sqaron:

"Formimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është një hap i rëndësishëm. Zyra Civile Ndërkombëtare është duke punuar ngushtë me partnerët kosovarë si dhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, në drejtim të themelimit të kësaj gjykate. E gjithë kjo po ndodh në përputhje me formulën e përcaktuar në marrëveshjen gjithpërfshirëse për statusin e Kosovës", thotë Ringler.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kontrollon dhe mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, si dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe si e tillë duhet të jetë organ i pavarur nga legjislativi dhe ekzekutivi kosovar.

Ministri Bajrami thekson se tanimë janë siguruar mjetet e nevojshme për të mundësuar pavarësinë financiare të Gjykatës Kushtetuese.

"Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese është parakusht për funksionimin e saj. Ajo duhet të jetë e pavarur nga të dy pushtetet, por e pavarur edhe nga ndërhyrjet politike. Pavarësia duhet të reflektojë dhe pavarësinë financiare dhe për këtë arsye Gjykata Kushtetuese do të ketë një buxhet që do ta menaxhojë në mënyrë plotësisht të pavarur", shton Bajrami.

Themelimi sa më parë i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është cilësuar si i nevojshëm për sundimin e ligjit, i vënë si prioritet i autoriteteve vendore dhe atyre të Bashkimit Evropian në Kosovë.

XS
SM
MD
LG