Ndërlidhjet

Trajkoviq: EULEX-i të shtrihet në tërë Kosovën


Rada Trajkoviq

Rada Trajkoviq

“EULEX-i është i nevojshëm për tërë Kosovën dhe Prishtina e Beogradi duhet të arrijnë pajtueshmëri për shtrirjen e tij”, thotë Rada Trajkoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb për Kosovën Qendrore.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Trajkoviq, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se EULEX-i do të vendoset në dhjetor. Serbët kryesisht kanë kundërshtuar vendosjen e këtij misioni. Cili është qëndrimi juaj?

RADA TRAJKOVIQ
Mendoj së nëse ka maturi dhe mirëkuptim brenda lidershipit edhe në Beograd, edhe në territorin e Kosovës, atëherë mund të përpunohet, sepse EULEX-i është i nevojshëm për të gjithë në territorin e Kosovës.

Ai më vete bart institucionet e sundimit të ligjit dhe për ne të gjithë është e rëndësishme që sundimi i ligjit vërtet të jetë prioritet. Në këtë kuptim, pres që Këshilli i Sigurimit të arrijë pajtim për diçka që në të vërtetë është strategji, që në një formë do të jetë e pranueshme nga të dyja palët.

RADIO EVROPA E LIRË
Po si mendoni se do të arrihet pajtimi, kur kihet parasysh se Prishtina ka refuzuar planin e Ban Ki Moonit, duke paraqitur planin e saj, ndërsa Beogradi nuk pranon EULEX-in pa planin gjashtëpikësh?

RADA TRAJKOVIQ
Unë do të thosha se plani që është nënshkruar nga Beogradi dhe OKB-ja, është realitet; në këtë kuptim, mendoj se institucionet e Prishtinës duhet të jenë të kënaqura, meqë thuhet se për implementimin e atij plani do të punohet bashkë me Prishtinën dhe për realizimin e këtyre 6 pikave, gjithsesi se fjalën do ta thonë edhe institucionet e Prishtinës - në kuptimin e përcjelljes së procesit dhe pajtimit për vetë procesin.

Unë mendoj se këtu gjendet zgjidhja; nuk besoj se do të ishte mirë për liderët e Kosovës që EULEX-i të mos implementohet apo që EULEX-i të shkojë si i dështuar, në pamundësi për t'u implementuar, sepse do të dilnin shumë më shumë probleme edhe për banorët civilë në këtë territor, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare.

Mendoj se edhe në aspektin global, secila strategji globale në fund duhet të jetë për të mirën e individit, familjes apo njeriut, dhe në këtë kuptim mendoj se do të ketë mirëkuptim të mjaftueshëm edhe për njërën, edhe për tjetrën palë, që ta pranojnë EULEX-in.

Në anën tjetër, mendoj se Prishtina duhet të jetë shumë e trimëruar, sepse ata që e kanë përkrahur më së shumti në shpalljen dhe njohjen e pavarësisë, mbesin fuqishëm pas vendimit të tyre, gjë që edhe shihet në fund të fundit nga ajo që është realitet i përgatitjes së këtij dokumenti, që ka të bëjë me rikonfigurimin e UNMIK-ut.

RADIO EVROPA E LIRË

Në anën tjetër, meqë ka dallime në qëndrimin ndaj EULEX-it nga serbët që jetojnë në pjesën veriore dhe ata të pjesës qendrore, si e shihni funksionimin e këtij misioni?

RADA TRAJKOVIQ
Mendoj se serbët e veriut duhet t'i përmbushin interesat dhe të merren me mbrojtjen e të drejtave të serbëve që jetojnë këndej lumit Ibër, pasi që mendoj se çështja serbe në territorin e Kosovës duhet të zgjidhet dhe zgjidhja të jetë në një formë unike, e jo në forma të ndryshme.

Unë pres që udhëheqja shtetërore në Beograd do të sqarojë diçka që nënkupton në të vërtetë brengë të njëjtë për të gjithë serbët në Kosovë, e jo vetëm në atë pjesë ku jeton shumica serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë pasojash kanë për serbët kosovarë ndasitë në mesin e vetë serbëve?

RADA TRAJKOVIQ
Ndasitë nuk janë të mira as kur bëhet fjalë mes vetë serbëve, e as mes serbëve dhe shqiptarëve. Ndasitë duhet t'i zgjidhim në diçka që është normalizim i jetesës. Kur ta kemi prioritet normalizimin e jetës, atëherë do të bëhet mirë për të gjithë.

Të gjitha dallimet, të gjitha fjalët e mëdha, mund të përfundojnë keq për ata që më së shumti mundohen dhe natyrisht këta nuk janë politikanët, por fatkeqësisht populli i rëndomtë.

Në këtë kuptim i shoh edhe dallimet mes serbëve këndej dhe andej lumit Ibër. Nëse më lejohet të jem tërësisht e sinqert, edhe unë kam filluar të ndjej urrejtje për atë urë, sepse është shndërruar në diçka që na ndan dhe nuk na bashkon.

Mendoj se konfliktet nuk na përgjigjen as brenda një bashkësie etnike, e as në raportet ndëretnike. Kështu që unë llogaris se politikanët do të punojnë për popullin, por, për fat të keq, disa gjëra do të sqarohen me kohë, sepse me kohë mendoj se do të arrijmë të jemi të gjithë të kënaqur, apo të them më pak të kënaqur.

RADIO EVROPA E LIRË
A besoni se EULEX-i do të vendoset edhe në veri në dhjetor?

RADA TRAJKOVIQ
Unë mendoj se është rendi që të vendoset atje. Unë, si serbe, insistoj që të jetë edhe në veri.

Pse veriu duhet ta ketë atë privilegj që të jetojë nën UNMIK-un, i cili e ka deklaruar vetveten si mision neutral dhe nuk ka reaguar as kur shqiptarët shpallën pavarësinë, e as kur serbët mbajtën zgjedhjet lokale serbe, ku edhe njëra, edhe tjetra, kanë qenë në kundërshtim me Rezolutën 1244?

Për këtë arsye, unë mendoj se EULEX-i do të jetë i shtrirë në tërë territorin e Kosovës si garantues i tërësisë territoriale të Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG