Ndërlidhjet

logo-print

Prishtina kërkon nga KS të mos e miratojë 6-pikëshin


Kryeministri Hashim Thaçi i është drejtuar Kuvendit të Kosovës me zotimin e tij dhe të presidentit Sejdiu, se plani 6-pikësh i Ban Ki Moonit nuk do të mund të zbatohet në Kosovë.

Kosova vazhdon ta kundërshtojë planin prej gjashtë pikave të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, të harmonizuar me Beogradin, i cili parasheh një formë të re të shtrirjes së EULEX-it, krahasuar me pakon e Ahtisaarit.

Ky plan, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, pritet të përfshihet në raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, në seancën e radhës së Këshillit të Sigurimit.

Andaj, në një fjalim para Parlamentit, kryeministri Thaçi e ka kundërshtuar sërish këtë plan, duke e cilësuar atë të papranueshëm në tërësi.

Ky qëndrim, tha Thaçi, është pozicioni i tij dhe i presidentit të Kosovës, për t’i bërë me dije edhe një herë Këshillit të Sigurimit dhe sekretarit Ban Ki Moon, se statusi i Kosovës është zgjidhur dhe nuk do të ketë kthim prapa, siç parasheh plani gjashtëpikësh.

”Kosova ka paraqitur katër pikat e saj, të cilat, në fakt, paraqesin qëndrimin tonë zyrtar në raport me gjashtë pikat e propozuara. Kosova e ka Kushtetutën dhe ligjet e saj moderne, të cilat i rregullojnë të gjitha çështjet e ngritura”.

“Prandaj, është Kushtetuta dhe ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, që ne si institucione do t’u përmbahemi dhe do të zbatojmë në praktikë dhe asgjë tjetër. Plani gjashtëpikësh për institucionet, popullin e Kosovës, ka qenë, është dhe do të mbetet i papranueshëm dhe i pazbatueshëm në Kosovë”, theksoi Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi përsëriti pozicionin tashmë të deklaruar të Prishtinës, se misioni i EULEX-it është i mirëseardhur, por duke e respektuar bazën kushtetuese e juridike të Kosovës. Ndërsa, Rezolutën 1244, kryeministri Thaçi e ka cilësuar si një dokument të tejshkuar, që nuk përkon më me realitetin në Kosovë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë dhënë mbështetje, e kanë ftuar dhe mirëpritur, duke i ofruar bashkëpunim EULEX-it. EULEX-i do të vendoset në Kosovë ashtu si e parasheh Kushtetuta dhe pakoja e Ahtisaarit dhe mandati i BE-së”.

“Rezoluta 1244 e OKB-së është plotësisht jorelevante dhe e pakuptimtë në shtetin tonë sovran. Të gjitha fushat për të cilat flet plani gjashtëpikësh, drejtësia, policia, gjyqësia, doganat, kufijtë, trashëgimia serbe, transporti, janë të rregulluara me ligjet tona përkatëse, që janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Ndërkohë, deputeti opozitar nga radhët e AKR-së, Ibrahim Gashi, pret që në KS të OKB-së të hapet për debat edhe plani katërpikësh i Prishtinës. Ai kritikon edhe qasjen e diplomacisë kosovare që nuk ka arritur ta paraqesë para qendrave të vendimmarrjes planin e vet.

Gashi thotë se institucionet e Kosovës nuk duhet të zhvendosen nga plani katërpikësh.

“Plani katërpikësh është përgjigjja e vetme edhe e institucioneve, edhe e popullit të Kosovës, dhe institucionet, në këtë rast presidenti dhe kryeministri, do të jenë konsistentë në këtë qëndrim deri në fund. Dhe, natyrisht, nëse është kështu, ne pashmangshëm do të kemi një bisedë rreth këtij plani edhe nga autoritetet më të larta ndërkombëtare”, tha Gashi.

Po ashtu, edhe deputeti i AAK-së, Bajram Kosumi, tha se qëndrimi i prerë i lidershipit kosovar që të mos zbatohet projekti gjashtëpikësh, tash për tash është një qëndrim i mirë dhe do të përkrahet nga i gjithë spektri politik.

“Ajo që bëri sot kryeministri, është një zotim i tij edhe formalisht, edhe publikisht, se planet e tilla nuk do të implementohen në Kosovë. Por, ajo që nuk e tha kryeministri dhe do të duhej ta thoshte, është vizioni i qeverisë dhe lidershipit se çka do të bëjë nëse KS i OKB-së e miraton raportin e Sekretarit të Përgjithshëm me këtë projekt dhe nëse Këshilli i Sigurimit kërkon implementimin e këtij projekti - cila do të ishte përgjigjja e lidershipit politik të Kosovës në këtë çështje?”, deklaroi Kosumi.

Raporti i sekretarit Ban, sipas shkrimeve në mediat vendore, konstaton se Kosova ka refuzuar 6-pikëshin, por gjithashtu nënvizohet se udhëheqja e Kosovës ka shfaqur vullnetin të bashkëpunojë me EULEX-in. Si rezultat i kësaj, sekretari Ban ka udhëzuar UNMIK-un për ofrimin e ndihmës misionit të EULEX-it, në mënyrë që ai të fillojë punën operative në Kosovë.

Në bazë të këtij plani, thuhet se policia, doganat apo edhe gjykatat nëpër enklavat serbe do t’i përgjigjen UNMIK-ut, ndërkaq EULEX-i do të bashkëpunojë me udhëheqjen shqiptare në pjesët e tjera të Kosovës.

Sipas këtij plani, vendbanimet serbe do të shkëputeshin nga sistemi kushtetues juridik i Kosovës, për të respektuar vetëm Rezolutën 1244, e cila, pavarësisht se Kosova tash është një shtet i pavarur, mbetet ende në fuqi.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG