Ndërlidhjet

Pozita lavdëron, opozita kritikon buxhetin e vitit 2009


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Duke paraqitur projekt-buxhetin para ligjvënësve kosovarë, qeveria ka siguruar se nëse miratohet, ai mundëson rritje ekonomike dhe zhvillim. Ndërkaq, opozita kritikoi qeverinë për mangësi në përpilimin e projekt-buxhetit.

Nëse miratohet nga Kuvendi i Kosovës, buxheti i vitit 2009 do të jetë më i larti në historinë e Kosovës. Kuvendi ka shqyrtuar projekt-buxhetin që kap shifrën prej 1 miliard e 430 milionë eurosh.

Kryeministri i Kosovës tha se me këtë buxhet, Kosova do të shënojë rritje dhe zhvillim ekonomik. Ai tha se buxheti i sivjemë shënon rritje mbi 15 për qind, në krahasim me buxhetin e vitit 2008.

"Kjo rritje është edhe rezultat i instalimit të qeverisjes së mirë, transparente, sundimit të ligjit dhe luftës së pakompromis të Qeverisë së Kosovës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomisë informale. Buxheti përfshin investime të reja dhe të qëndrueshme kapitale, për të modernizuar infrastrukturën tonë. Ky plan është i mirë për kushtet, rrethanat dhe mundësitë e shtetit tonë të ri", tha Thaçi.

Thaçi u bëri thirrje ligjvënësve kosovarë që ta mbështesin këtë buxhet, i cili, sipas tij, i sjell Kosovës zhvillim dhe stabilitet ekonomik.

Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave, ndërkaq tha se me këtë buxhet, pushteti lokal është stimuluar më së shumti, me rritje të qindpërqindtë. Ai ka siguruar se me këtë buxhet, ndër të tjera, do të krijohen vende të reja pune.

“Në të njëjtën kohë, ne jemi të vetëdijshëm për kërkesat e punëtorëve për paga më të mëdha për punën që bëjnë. Në të njëjtën kohë, duhet të kemi parasysh se do të kujdesemi për pjesën e popullatës, e cila është në pozitë jo të mirë sociale. Sipas buxhetit të propozuar, shpenzimet primare për vitin 2009 arrijnë shumën prej 1 miliard e 94 milionë e 300 mijë eurosh. Duke i shtuar kësaj shume për sektorin e energjisë, shërbimin e pritshëm të borxhit dhe rezervën stabilizuese, totali i përgjithshëm arrin më shumë se 1 miliard e 430 milionë euro, që është rreth 35 për qind e GDB-së”, tha Shala.

Nga ana tjetër, Haki Shatri, deputet i Kuvendit, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se deputetët e LDK-së do të votojnë parimisht projet-buxhetin për vitin 2009, por, sipas tij, ai buxhet ka disa mangësi.

"Te pjesa e të hyrave kemi dy dilema dhe shqetësime. E para, që sot duket shumë shqetësuese - të hyrat nga doganat dhe taksat që vjelen në kufij, do të realizohen vetëm nëse nuk implementohet njëra nga 6 pikat e Ban Ki Moonit, që ka të bëjë me doganat. E dyta - rekomandimi për kredi të re të KEK-ut për 80 milionë euro brenda po këtij viti, bashkë me kredinë e parë të vitit 2008, konsiderojmë se është e pamundur të realizohet", tha Shatri.

Ndërkaq, përfaqësuesit e partive opozitare kanë kritikuar propozimin e qeverisë për buxhetin e vitit 2009.

Sipas kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, projekt-buxheti nuk përmbush pritjet e qytetarëve për përmirësimin e kushteve të tyre për jetë.

"Projekt-buxheti i Kosovës për vitin 2009 dhe projektimi deri në vitin 2011, nuk është konform prioriteteve të caktuara, që synon t’i implementojë Qeveria e Kosovës. Kjo nuk pasqyron as nevojat e qytetarëve, as objektivat tona për ndërtimin e shtetit të Kosovës", tha Pacolli.

Edhe Besa Gaxherri, deputete nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, projekt-buxhetin e vitit 2009 e ka konsideruar si një propozim që më tepër është fontanë dëshirash.

"Sa i përket këtij dokumenti për buxhetin e vitit 2009, zoti kryeministër ky material është një material që konstaton gjendjen reale në Kosovë. Është një material që paraqet disa fontana dëshirash. Është një material që vazhdon me të njëjtin ritëm të buxhetit pra, edhe të të hyrave dhe të shpenzimeve për vitin 2009", tha Gaxherri.

Kurse, Ardian Gjini, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se Qeveria e Kosovës, çdo ditë e më shumë, po e befason për të keq veten dhe të tjerët. Sipas Gjinit, projekt-buxheti nuk është i harmonizuar me ligjet në fuqi dhe nga kjo, shton ai, do të ketë pasoja.

"Kjo qeveri po e befason vetveten për të keq, e lëre më të tjerët, për shkak se plani legjislativ nuk është harmonizuar me buxhetin. Nuk e dimë se çfarë ligjesh do të prodhojmë vitin e ardhshëm dhe a do të mundet ky buxhet t’i mbulojë edhe ligjet që do të hartohen vitin e ardhshëm, për shkak se s'ka harmonizim, s'ka as plan legjislativ", tha Gjini.

Me buxhetin e vitit 2009, i jepet mbështetje e madhe edhe sektorit energjetik në Kosovë.

Të hyrat në buxhetin e vitit 2009 planifikohen të jenë 956 milionë euro, kurse shpenzimet kapitale llogariten në vlerën prej 413 milionë eurosh.
XS
SM
MD
LG