Ndërlidhjet

Shkollimi dhe pakicat


Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Ligji për përdorimin e gjuhëve në procesin e arsimit u garanton të drejtën pakicave në Kosovë që të arsimohen në gjuhën e tyre amtare, duke filluar nga institucionet parashkollore deri në ato universitare.

Fondi për të Drejtën Humanitare vlerëson se ky ligj, në mënyrë të përgjithshme respektohet sa u përket turqve dhe boshnjakëve, pasi nxënësit e këtyre komuniteteve mësimet i ndjekin në gjuhën e tyre amtare dhe me plan-programe të shkruara në gjuhën turke dhe boshnjake.

Edhe nxënësit tjerë, përveç komunitetit serb, mësimet i ndjekin sipas plan-programit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, por nuk mësojnë në gjuhën e tyre amtare.

Ardita Metaj-Dika, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se problem në këtë aspekt mbetet mungesa e plan-programit në gjuhën e pakicave.

“Turqit, boshnjakët, ashkalinjtë, egjiptasit dhe një pjesë e goranëve që shkollohen në gjuhën boshnjake, mësimin e ndjekin në shkollat që janë kompetencë e Ministrisë së Arsimit në Kosovë. Ndërsa, serbët, goranët që shkollohen në gjuhën serbe, mësimin e ndjekin sipas plan-programeve të Qeverisë së Serbisë”.

“Kur flasim për romët, duhet të themi se ata arsimohen në institucione që janë në kompetencë të Qeverisë së Kosovës dhe në kompetencë të Qeverisë së Serbisë”, tha Metaj-Dika.

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë se kjo ministri i ka përgatitur plan-programet në të gjitha gjuhët e pakicave. Usmen Baldzhi, zëvendësministër i Arsimit, shpjegon më shumë:

“Komuniteti shqiptar, komuniteti turk dhe boshnjak mësojnë me plan-programet e MASHT-it, me Ligjin e Kosovës, por komuniteti serb ende mëson me plan-programet e Serbisë, por me Ligjin e Kosovës; kanë të drejtë me pëlqimin e Ministrisë së Arsimit”.

“Ata ende nuk e kanë bërë një kërkesë të tillë, por ne si ministri jemi duke zbatuar ligjin që është në bazë të planit të Ahtisaarit”, thotë Baldzhi.

Ndryshe, gjendja e arsimimit e komunitetit ashkali, egjiptas e posaçërisht e atij rom në Kosovë, vazhdon të jetë më e rënda karashi komuniteteve tjera, thotë Ardita Metaj-Dika.

Gjuhë amtare e ashkalinjëve dhe e egjiptasve është gjuha shqipe, ndërkaq sa u përket romëve, në Kosovë nuk ka institucione arsimore, në të cilat romët do të mund të arsimoheshin në gjuhën e tyre.

Kështu që romët që jetojnë në mjedise me shumicë shqiptare, arsimohen në gjuhën shqipe, e po qe se jetojnë në mjedise me shumicë serbe, arsimohen në gjuhën serbe.

“Një pjesë e romëve si gjuhë amtare e konsideron gjuhën serbe, ndërkaq një pjesë e tyre gjuhën shqipe. Do të thotë, varësisht se cilën gjuhë e konsiderojnë si gjuhë të tyre, edhe fëmijët e tyre shkollohen në këto institucione arsimore”, thekson Metaj-Dika.

Edhe Usmen Baldzhi pranon se gjendja e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas është shumë e vështirë, por ai thotë se Ministria e Arsimit tashmë është duke bërë përpjekje që të krijojë kushte më të favorshme edhe për këtë komunitet, që të mësojë në gjuhën e vet.

“Komuniteti RAE nuk i ka kushtet, sa i kanë edhe të tjerat. Por, ne si ministri e kemi një strategji për romët dhe ashkalinjtë. Jemi duke bërë përgatitje që edhe ata të mësojnë në gjuhën e vet zyrtare”, tha Baldzhi.

Sidoqoftë, sipas të dhënave të fundit të disa organizatave që merren me të drejtat e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, thuhet se që nga niveli parashkollor e deri në nivelin e mesëm, numri i fëmijëve të këtyre komuniteteve që është përfshirë në arsim, është vetëm 4500, që nënkupton vetëm 1.1 për qind karshi komunitetit shumicë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG