Ndërlidhjet

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i dha dritën e gjelbër vendosjes së misionit të BE-së në Kosovë nën ombrellën e OKB-së. Në raportin e Ban Ki Moon-it thuhet se EULEX-i do punojë në mënyrë neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Të 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit u pajtuan me deklaratën presidenciale, duke mirëpritur edhe synimet e Serbisë dhe Kosovës për të bashkëpunuar me këtë mision.

"Këshilli i Sigurimit mirëpret raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, dhe bashkëpunimin e akterëve ndërkombëtarë në kuadër të Këshillit të Sigurimit dhe Rezolutës 1244", thuhet në deklaratë.

Në raportin e Ban Ki Moon-it theksohet se EULEX-i do të punojë në mënyrë neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ka deklaruar se EULEX-i është ftuar në Kosovën e pavarur nga autoritetet sovrane si mision për të mbrojtur të drejtat e minoriteteve.

"Ne nuk do të tolerojmë dhe lejojmë ndonjë veprim që do të shkelte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës", deklaroi për gazetarët Skënder Hyseni.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, theksoi se "Serbia nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës".

Ai tha në Këshillin e Sigurimit se kushtet thelbësore të Serbisë për vendosjen e EULEX-it kanë qenë "zotimi i BE-së, i konfirmuar nga Këshilli Sigurimit, për të qëndruar plotësisht neutral ndaj statusit të Kosovës, si dhe shtrirja e misionit në Kosovë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara dhe konform Rezolutës 1244. Këto kushte janë arritur", tha Jeremiq.

Plani i Ban Ki Moon-it për vendosjen e misionit të BE-së në Kosovë ishte pranuar nga Serbia, ndërkaq hedhur poshtë nga autoritetet kosovare.

Ambasadorja amerikane, Rosemary Di Carlo, tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

"Sfidat e vërteta mbesin marrëdhëniet ndëretnike, edhe pse në raport është cekur qartë se niveli i dhunës ndëretnik është i ulët. Për këtë, Qeveria ime e falënderon Qeverinë e Kosovës. Ne i inkurajojmë udhëheqësit kosovarë që të vazhdojnë me orvatjet e tyre për ndërtimin e institucioneve multi-etnike dhe të implementojnë në plotësi planin e Ahtisaarit", tha Di Carlo.

Është e nevojshme që UNMIK-u duhet t'i përshtatet rolit të vet, si përgjigje ndaj realitetit të ndryshuar në Kosovë. Ne mirëpresim vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm të cekur në raport për përshpejtimin e rikonfigurimit të UNMIK-ut, për të mundësuar vendosjen e misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, në tërë Kosovën, tha përfaqësuesja amerikane.

Di Carlo tha se raporti i Sekretarit të Përgjithshëm fton për marrëveshje të caktuara kalimtare në mes të UNMIK-ut dhe Beogradit, për shtrirjen e plotë të EULEX-it – të ashtuquajturat “gjashtë pikat.”

"Udhëheqësit kosovarë, në deklaratën e tyre të datës 18 nëntor, e kanë thënë në mënyrë të qartë se i refuzojnë 'gjashtë pikat', por ata gjithashtu kanë thënë se Republika e Kosovës e mirëpret dhe do ta përshpejtojë shtrirjen e EULEX-it. Sot dëgjuam se edhe Qeveria e Serbisë e mirëpret vendosjen e EULEX-it", tha Di Carlo.

"Shtetet e Bashkuara e ritheksojnë rëndësinë e respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Në këtë kontekst, ne mirëpresim vendosmërinë e Sekretarit të Përgjithshëm që vazhdimisht të konsultohet dhe koordinohet me autoritetet në Kosovë, lidhur me implementimin e këtyre marrëveshjeve kalimtare", tha Di Carlo.

Zëvendësambasadorja britanike në OKB, Karen Pierce, e quajti vendosjen e misionit të BE-së një hap të rëndësishëm përpara drejt integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

Pierce tha se Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet tash të merren vesh në detajet e planit operacional, në mënyrë që të gjitha komunitetet në Kosovë ta kuptojnë saktësisht se çfarë do të ndodhë në terren.

Britania, e cila ka njohur Kosovën, konsideron se pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe beson se "këto marrëveshje janë të përkohshme dhe se një ditë do të ndodhë tërheqja masive e Kombeve të Bashkuara dhe dorëzim i plotë i kompetencave" - ka thënë Pierce.

"Mendoj se vendosja e EULEX-it në tërë Kosovën dhe mbështetja për bashkëpunim që ka, zvogëlojnë rrezikun se Kosova mund të ndahet", shtoi Pierce.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG