Ndërlidhjet

Qytetarët: Deklarata e OKB-së - befasi e keqe


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Qytetarët e Kosovës thonë se gjatë përpilimit të deklaratës presidenciale për shtrirjen e misionit për drejtësi të Bashkimit Evropian, EULEX, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, është dashur të merren parasysh edhe vërejtjet e Prishtinës zyrtare. Ata shprehen të pakënaqur me rrethanat e përcaktuara për vendosjen e EULEX-it në Kosovë, si dhe me mbështetjen e dokumentit gjashtëpikësh të OKB-së për rikonfigurimin e prezencës civile ndërkombëtare në vend.


Qytetarët e Kosovës thonë se janë të befasuar për keq nga deklarata presidenciale e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila mbështet planin 6-pikësh të Sekretarit Gjeneral të OKB-së për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë.

Sipas tyre, vendimi i organit më të lartë të OKB-së vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës, ndërsa i jep mundësi shtetit serb të ndërhyjë në proceset e brendshme në Kosovë.

Besart Morina thotë se deklarata që u miratua të mërkurën në Këshill të Sigurimit, cenon sovranitetin e Kosovës, duke fuqizuar veprimin e enklavave serbe të lokalizuara në pjesë të ndryshme të vendit.

"Kjo e cenon sovranitetin e Kosovës në bazë të enklavave serbe, të cilat i ka imponuar UNMIK-u", mendon Morina.

Deklarata presidenciale, e miratuar unanimisht nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit, i jep ngjyrë jeshile zbarkimit dhe shtrirjes së misionit për sundim të ligjit dhe polici të Bashkimit Evropian, EULEX, në të gjithë territorin e Kosovës. Sipas Bejtush Isufit, EULEX-i nuk mund të funksionojë si mision neutral karshi pavarësisë së Kosovës.

"EULEX-i neutral është i pamundshëm, është absurd, është naiv dhe është një nënçmim, se përndryshe EULEX-i do të duhej të ndërtonte një shtet në vete. Besoj se as EULEX-i, e as Këshilli i Sigurimit, nuk janë aq naivë që të pretendojnë të ndërtojnë një legjislacion në vete dhe praktikisht një krizë shtetërore të veçantë për serbët në veri të Mitrovicës, ose në një pjesë tjetër të Kosovës", vlerëson Isufi.

Plani i Ban Ki Moonit për vendosjen e misionit të BE-së në Kosovë ishte pranuar nga Serbia, ndërkaq hedhur poshtë nga autoritetet kosovare. Si kundërpërgjigje ndaj këtij plani, Prishtina zyrtare kishte përpiluar një dokument 4-pikësh, në të cilin precizohej korniza ligjore, në kuadër të së cilës EULEX-i është i mirëseardhur për shtetin e Kosovës.

Nafie Grainca sqaron pritjet e saj nga seanca e së mërkurës lidhur me këtë çështje.

"Për mua ishte një befasi e pakëndshme, sepse kam menduar që do të merret parasysh edhe katërpikëshi që e kanë bërë kryetari dhe kryeministri. Unë jam për shtrirjen e EULEX-it në tërë Kosovën, mirëpo pa ato gjashtë pikat",
thekson Grainca.

Një pjesë e madhe e qytetarëve fajësojnë udhëheqësit e Republikës së Kosovës, të cilët, sipas tyre, është dashur të reagojnë më herët për të mos ardhur deri të situata aktuale. Dem Neziraj thotë se implementimi i planit 6-pikësh do të ndikojë në ndarjen e Kosovës.

"Po shkon drejt një ndarjeje të fshehtë të Kosovës", thotë ai.

Ndërkohë, Teuta Rrusta shprehet e pakënaqur me përfaqësimin e Kosovës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

"Jo-ja e tyre ka qenë një ‘jo’ tejet e butë, e cila u vërejt në fjalimin e Skënder Hysenit", thotë Rrusta.

Zyrtarë të misionit për drejtësi të Bashkimit Evropian janë zotuar se ky mision do të jetë funksional në tërë territorin e Kosovës deri në fillim të muajit dhjetor të këtij viti.
XS
SM
MD
LG