Ndërlidhjet

Lirohen nga paraburgimi tre shtetasit gjermanë


Zyra Civile Ndërkombëtare në Prishtinë
Zyra Civile Ndërkombëtare në Prishtinë

Gjykatësit ndërkombëtarë të administratës së Kombeve të Bashkuara kanë liruar nga paraburgimi tre shtetasit gjermanë, agjentë të shërbimit gjerman BND. Ata janë arrestuar më 19 nëntor, në ndërlidhje me sulmin në ndërtesën e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë.

Kolegji penal i gjykatësve ndërkombëtarë të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka vendosur t'i lirojë nga paraburgimi tre shtetasit gjermanë, për të cilët është dyshuar të jenë të përfshirë në shpërthimin që ndodhi më 14 nëntor në Zyrën Civile Ndërkombëtare në Prishtinë.

Aktvendimi i këtij paneli u lexua nga avokatja mbrojtëse e njërit prej të dyshuarve, Fehmije Gashi Bytyçi, e cila njoftoi se shtetasit gjermanë do të lirohen menjëherë nga qendrat e paraburgimit ku mbaheshin që nga data 19 të këtij muaji.

"Te tri ankesat e tre të pandehurve janë pranuar dhe paraburgimi për secilin prej të dyshuarve ndërpritet. Të pandehurit duhet të lirohen menjëherë nga qendrat e paraburgimit ku ata ndodhen", tha Gashi Bytyçi.

Më datën 22, Gjykata e Qarkut në Prishtinë u pat shqiptuar paraburgimin prej 30 ditësh, nën akuzën për “vepër terroriste”.

Sipas avokatit tjetër mbrojtës, Adem Ademi, tre shtetasit gjermanë, agjentë të shërbimit të fshehtë gjerman BND, pas lirimit të tyre nga paraburgimi mund edhe të kthehen në Gjermani. Mirëpo Ademi thotë se çështja e udhëtimit të tyre do të përcaktohet nga një marrëveshje ndërshtetërore ndërmjet Prishtinës dhe Berlinit zyrtar.

"Rruga e udhëtimit ose banimit të tyre do të rregullohet në qarqet ndërshtetërore ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Gjermanisë", vlerësoi Ademi.

Vendimi u mor të premtën në orët e mbrëmjes, pas kërkesës së panelit gjyqësor të Gjykatës së Qarkut të Prishtinës që për shkak të peshës së këtij rasti, me të të meren gjykatësit ndërkombëtarë.

Shpërthimi në ndërtesën e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë kishte ndodhur në një fazë të ndjeshme politike në Kosovë, në kohën kur po zhvilloheshin bisedime intenzive për shtrirjen e misionit evropian për sundimin e ligjit, Eulex.
XS
SM
MD
LG