Ndërlidhjet

Gjashtëpikëshi - vështirë i zbatueshëm


Zbatimi i planit gjashtëpikësh, i propozuar nga OKB-ja, në bazë të të cilit thuhet se policia, doganat dhe gjykatat nëpër vendbanimet serbe do t'i përgjigjen UNMIK-ut, ndërsa EULEX-i do të bashkëpunojë me udhëheqjen shqiptare në pjesët e tjera të Kosovës, do të këtë vështirësi të mëdha në zbatim.

Kështu thonë deputetët e pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës. Sipas Melihate Tërmkollit, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, institucionet kosovare duhet të kenë një plan konkret se si duhet të veprohet tash e tutje.

"Unë, mendoj që do të këtë vështirësi. Institucionet e Kosovës duhet të kenë një plan të vetin të punës dhe veprimit në kuadër të krejt kësaj situate e cila është krijuar pas miratimi të këtyre pikave dhe raportit në Këshillin e Sigurimit”.

“Dhe do të ishte mirë që kjo sjellje e deri tanishme naive, injorante të lihej anash dhe institucionet me seriozitetin me të lartë t'i qasen problemeve dhe gjendjes në të cilën ka hyrë vendi dhe që është një gjendje mjaft serioze e cila do një përkushtim serioz", tha zonja Tërmkolli.

Zonja Tërmkolli shton se krerët me të lartë të vendit, ditëve të fundit janë duke dhënë deklarata jo të përgjegjshme, sa i përket planit gjashtëpikësh. Sipas saj, ato deklarata janë duke u bërë vetëm për konsum të brendshëm politik.

"Vazhdojnë më sjellje të pa përgjegjshme dhe injorante, duke bere me tepër deklarata boshe por pa asnjë plan të veprimit të konkretizuar. Kjo është detyrë e të gjithë neve bashkë me parlamentit e institucionet. Këto nuk janë plane individuale sepse duhet edhe me këtë rast të dëshmojmë se funksionojnë si shtet duhet te kemi plane dhe qëndrime te qarta”, tha zonja Termokolli.

Nga ana tjetër edhe nënkryetari i partisë opozitare Aleanca Kosova e Re, Ibrahim Makolli pohon se plani gjashtëpikësh në Kosovë do të ketë vështirësi për tu zbatuar.

”Do të jëtë shumë e vështirë që kjo të zbatohet në praktikë, përderisa institucionet e Kosovës dhe ne si qytetar të Kosovës jemi dekaluar kundër këtij plani. Prandaj, konsideroj se do të jetë shumë i vështirë implementimi në praktikë derisa kemi mospajtime aq të mëdha", tha zoti Makolli.

Zoti Makolli konsideron se gjithë kjo situatë e krijuar ka ardhur nga mungesa e një plani konkret nga Qeveria e Kosovës se si të zbatohet Kushtetuta e Kosovës në gjithë territorin e vendit.

“Institucionet e Kosovës dhe konkretisht qeveria nuk ka pas një plan, një strategji të veprimit për ta zbatuar Kushtetutën në gjithë vendin, prandaj si rezultat i kësaj mungese kanë dalë në sipërfaqe edhe sfidat tjera, që për fat të keq janë realizuar dhe janë në kundërshtim të plotë”.

“Është është shumë e domosdoshme që qeveria në afatin më të shpejt kohor të hartojë strategji të veprimit të metejshëm", tha Makolli.

Ndryshe, përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë dhe analistët së fundi i kanë konstatuar si kthim prapa zhvillimet e fundit rreth Kosovës në Këshillin e Sigurimit dhe planin gjashtëpikësh. Ata, madje kanë shprehur shqetësimet për fillimin e një procesi të ndarjes së brendshme të Kosovës.

Pavarësisht që Kosova tash është shtet i pavarur, sipas këtij plani, vendbanimet serbe do të shkëputeshin nga sistemi kushtetues juridik i Kosovës, për të respektuar vetëm Rezolutën 1244.

XS
SM
MD
LG