Ndërlidhjet

logo-print

Ferati: 6-pikëshi nuk ndikon në decentralizimin


Sadri Ferati

Sadri Ferati

"Kjo nuk e atakon procesin e decentralizimit, as s'e ndihmon, as s'e pengon, por kemi ambient të sigurt dhe zbatimi i ligjit është në interes të të gjithë qytetarëve", thotë për radion Evropa e Lirë, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ferati, sa do të ketë ndikim në procesin e decentralizimit dhe në fakt çfarë ndikimi do të ketë raporti i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën?

SADRI FERATI
Së pari, ne raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, dhe vendosjen e EULEX-it e kuptojmë si një raport që rregullon këtë çështje me një mandat të përkohshëm, ndërsa decentralizimi është në afat më të gjatë dhe parashihet që për tre vjet të zhvillohet si një proces. Produktet e para pritet të merren me organizimin e zgjedhjeve lokale, që duhet të bëhen në fund të vitit 2009.

Do të thotë, ne kemi kohë dhe do të punojmë edhe më tutje; kemi kohë edhe pas tranzicionit, pas rikonfigurimit të UNMIK-ut dhe zbatimit të ligjeve të Kosovës, të vazhdojmë më tutje me decentralizimin – në përgjithësi edhe me reformën e pushtetit lokal, edhe me decentralizimin.

Unë mendoj se ky është një rast i mirë që me vendosjen e EULEX-it, me sundimin e ligjit, të përfitohet edhe në atë drejtim që të rregullohet jeta dhe të normalizohet jeta në atë pjesë të Kosovës, pra në pjesën veriore, por, njëkohësisht, duke u krijuar një ambient më i sigurt, që njerëzit të shprehin lirisht idetë e tyre, organizimin e tyre politik, ngaqë deri më tash ajo pjesë e Kosovës ka qenë pjesa më e pasigurt, ku njerëzit nuk janë ndjerë të lirë që të deklarojnë atë që kanë dëshiruar.

Nga ana tjetër, ka qenë edhe një mungesë e një mundësie të krijimit të kontaktit me ata njerëz që kanë shprehur dëshirën të kontaktojnë, por vazhdimisht janë frikësuar. Pra, duke sunduar ligji, do të bëhet një ambient paksa më i sigurt, që edhe institucionet e Kosovës do të kenë qajse në ato pjesë dhe do të fillojnë dalëngadalë të shtrijnë autoritetin e tyre edhe në atë pjesë të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund të zbatohet plani i decentralizimit tash me 6 pikat, kur komunave serbe u ofrohen kompetenca shtesë në arsim, shëndetësi, polici, dogana?

SADRI FERATI

Me dokumentin gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës parashihet një reformim i pushtetit lokal të tipit asimetrik, ku disa komuna përfitojnë të drejta më shumë, siç është Mitrovica në sferën e arsimit dhe shëndetësisë, pastaj Graçanica dhe Shtërpca po ashtu në sferën e shëndetësisë dhe të gjitha komunat me shumicë serbe kanë kompetenca shtesë në emërimin e komandantit të policisë dhe në trashëgiminë kulturore.

Ky gjashtëpiësh nuk ofron, as nuk merr, as nuk jep kompetenca, por parashihet që të përfitohet në një fazë kalimtare, të përfitohet nga të hyrat që do të krijohen në pikën doganore 1 dhe 31. Pra, kjo nuk e atakon procesin e decentralizimit, as nuk e ndihmon, as nuk e pengon, porse ne kemi një ambient të sigurt dhe zbatimi i ligjit është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe ne do të përfitojmë në atë drejtim.

Do të bashkëpunojmë me EULEX-in që edhe të shtrijmë autoritetin në atë pjesë, edhe të bashkëpunojmë me qytetarët në atë pjesë, të sigurojmë një bashkëpunim më të gjerë të qytetarëve dhe të liderëve në gjithë Kosovën, pra edhe në atë pjesë, në mënyrë që edhe atje ajo reformë të zhvillohet.

Ne po punojmë me të gjithë qytetarët e Kosovës, pra edhe me ata të komunitetit serb, dhe kemi një bashkëpunim të kënaqshëm nëpër enklava, çka nuk do të mund të thosha edhe në pjesën veriore, që është dëshira jonë.

Dhe, në njëfarë forme, ajo edhe mund të jetë ajo pjesa që do ta përcaktojë suksesin e decentralizimit, ngase instalimi i të drejtave të qytetarëve edhe në aspektin e së drejtës, të ushtrimit të pushtetit lokal edhe në pjesën e Mitrovicës jug, Mitrovicës veri dhe komunave të tjera që është e paraparë, duhet të sigurohet, ngase pakoja e Ahtisaarit, që është e shtrirë pastaj në dokumentin gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, duhet të implementohet në tërësi si e tillë.

Janë jo të preferuara dhe shumë të rrezikshme pretendimet e kujtdo që nga pakoja e presidentit Ahtisaari të marrë në mënyrë selektive atë që atij i pëlqen, ngase është një pjesë që i pëlqen vetëm pjesa e së drejtës për vetëvendosje dhe deklarimin e pavarësisë dhe pjesa tjetër që të marrë vetëm benificionet e zgjerimit të kompetencave të pushtetit lokal, gjegjësisht të decentralizimit.

Po qe se dilet nga pakoja e presidentit Ahtisaari, që unë mendoj se është një kompromis dhe është një analizë e shkëlqyeshme për realitetin kosovar, do të futemi në rreth vicioz dhe pastaj asnjëri nuk jemi të sigurt se sa kohë do të humbim dhe me cilin rezultat do të dalim.

RADIO EVROPA E LIRË

A është plani 6-pikësh një mundesi për t'i bindur serbët e Kosovës për të pranuar ofertën e decentralizimit?

SADRI FERATI

Plani 6-pikësh bën të mundur instalimin e EULEX-it dhe rezultatet në aspektin e respektimit të ligjit, por, në përgjithësi, çdo normalizim i jetës është një mundësi më e madhe për qytetarët serbë, që duke pranuar të drejtat që parashikohen me Kushtetutë dhe me ligjet e Kosovës, do të kenë mundësinë që të pranojnë këto të drejta dhe të qeverisin në nivelin lokal dhe të bashkëqeverisin në nivelin qendror, ashtu siç parashikojnë ligjet.

Kjo është një mundësi, një ofertë që edhe deri më tash ka qenë e hapur, por edhe tash e tutje ne mendojmë se do të intensifikojmë kontaktet tona, që akoma më tepër t'ua shpjegojmë qytetarëve se cili do të jetë përfitimi i tyre në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Zbatimi i decentralizimit sipas 6 pikave, a paraqet rrezik për ndarje, kantonizim të Kosovës?

SADRI FERATI

Pretendimet e Beogradit që të krijojë tensionime, të krijojë ndarje, nuk janë të sotme, ato janë shumë të mëhershme dhe do të ishte shumë e rrezikshme ajo ide.

Unë mendoj se është kundër interesave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë edhe serbët, ngase nuk do të jetë fare e lehtë mbajtja e kësaj gjendjeje në një jetë jo të mirë, që në përgjithësi qytetarët e Kosovës tani kanë, dhe me të gjitha angazhimet e të gjitha institucioneve edhe vendore, edhe ndërkombëtare, ne nuk po mbërrijmë të bëjmë mjaft që të përmirësojmë kualitetin e jetës së qytetarëve.

Dhe, çdo pretendim i tillë që çon në ndarje de facto, mban këtë gjendje jo të mirë. Ne kemi vazhdimisht reagime edhe nga Beogradi, edhe nga qytetarët e komunitetit serb, se po jetojnë keq. Nga ana tjetër, veprimet e Beogradit vazhdimisht nuk lejojnë që situata të zhvillohet më tutje, edhe nëpërmes kërcënimeve, edhe nëpërmes përdorimit të ndihmave që ata u bëjnë serbëve të Kosovës, që ata këtë situatë ta përdorin për nevojat e politikës ditore.

Mendoj se është një opsion shumë i rrezikshëm dhe jam me bindje të plotë se është një opison që e ka tejkaluar koha, ngase edhe gjatë fazës së negociatave, pala serbe, pak a shumë, ka prekur në çdo drejtim se si ta bëjë Kosovën jofunksionale, se si ta pengojë zhvillimin e vetë bisedave, si të fusë në mënyrë indirekte ndarjen, sado që ndarja nuk ka qenë fare në tavolinë.

Ata, sa herë, janë deklaruar se ndarja nuk është opsion në interes të serbëve. Mos ta harrojmë që në atë pjesë të Kosovës jeton vetëm 40 për qind e serbëve, ndërsa 60 për qind e serbëve jetojnë me shumicë në Kosovën qendrore dhe në Anamoravë, por edhe nëpër vise të tjera të Kosovës dhe do të ishte një pasojë shumë e madhe.

Shqiptarët nuk kanë mirëkuptim për këto ide, sepse konsiderohen se janë shumë të dëmshme. Unë mendoj se solucioni më i mirë, zgjidhja më e mirë dhe me një perspektivë të qartë, do të jetë integrimi i serbëve në shoqërinë kosovare, e cila ka aprovuar një kushtetutë shumë moderne, e cila ka votuar ligje shumë moderne, që u garantojnë të drejta të barabarta sikur të gjithë qytetarëve të tjerë të Kosovës.

Të drejta me një perspektivë të qartë edhe evropiane, por edhe me një perspektivë të qartë të një shoqërie, e cila siguron një kualitet të jetës më të mirë dhe një mundësi të një faktorizimi të tyre të plotë në aspektin e marrjes së atyre të drejtave, qeverisjes në nivelin lokal dhe pjesëmarrjes së tyre në qeverisjen në nivelin qendror, qoftë në Kuvend, në Qeveri etj.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG