Ndërlidhjet

Në Kosovë, në Institutin e Shëndetit Publik janë të regjistruar 74 persona të infektuar me HIV/AIDS. Zyrtarë të institucioneve të Kosovës vlerësojnë se duhet bërë më shumë në informimin e qytetarëve për masat preventive në luftën kundër kësaj sëmundjeje.


Numri i të infektuarve me të ashtuquajturën "sëmundjen e shekullit", pra me HIV/AIDS në Kosovë, ndonëse ende në përmasa të ulëta, krahasuar me vitet e kaluara, është në rritje e sipër.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, që nga rasti i parë i shfaqur i kësaj sëmundjeje në Kosovë, në vitin 1986, deri më tani janë infektuar 74 persona, numër ky që paraqet vetëm rastet e raportuara.

Infektologu Ilir Tolaj konsideron se institucionet e Kosovës duhet të propagojnë në luftën kundër AIDS–it në të gjitha shtresat e Kosovës, në veçanti tek të rinjtë. Sipas tij, nuk duhet të neglizhohet fakti se në vitet e pasluftës në Kosovë ka pasur një numër më të madh të rasteve të regjistruar me HIV dhe AIDS.

"2/3 e numrit të përgjithshëm prej 74 rasteve që janë regjistruar në Kosovë, janë të regjistruar në vitet e pasluftës. Kjo mund të jetë për shkak të tranzicionit, pasi që në përgjithësi kanë ndodhur shumë ndryshime në shoqërinë kosovare dhe një lëvizje e madhe e njerëzve si vendorë, ashtu edhe ndërkombëtarë ", tha ai.

Për luftimin e sëmundjes HIV/AIDS, Kosova ka fituar Grantin Global, i cili parasheh një fond për financimin e aktiviteteve parandaluese për këtë epidemi brenda 5 vitesh. Numri i të infektuarve me HIV/AIDS, sipas infektologut Tolaj, dyshohet të jetë më i madh se 74 raste, të cilat janë të evidentuara në Institutin e Shëndetit Publik në Kosovë.

"Asnjëherë numri që është i regjistruar dhe që është zyrtar, nuk është ai numri faktik i një vendi, por shkon në një korolacion, në një lidhshmëri në mes të atyre që paraqiten dhe një numri që është prezent", tha ai.

Ndërsa, menaxherja e projektit te Fondi Global për HIV/AIDS në Kosovë, Edona Deva, tha se edhe përkundër problemeve aktuale në MSH, zyrtarët të cilët merren me trajtimin e të sëmurëve nga HIV/AIDS, janë duke i kushtuar rëndësi të veçantë kësaj çështjeje.

"Secili institucion në kuadër të kompetencave të veta ka edhe detyrat dhe obligimet që mund të merren për parandalimin e HIV-it në Kosovë, por edhe për trajtimin jo vetëm të HIV-it, por edhe të rasteve tjera, të cilat mund të hapin portën për HIV infeksion", tha ajo.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Rinore, Lindita Loshi, thekson se "heronjtë" në luftën kundër HIV/AIDS-it duhet të gjenden pikërisht në mesin e femrave. Loshi konsideron se gjinia më e kërcënuar nga kjo sëmundje dhe që ka tërhequr vëmendjen, janë femrat, për shkak të rrezikut në të cilin futen nga padrejtësitë shoqërore.

"Gjatë shënimit të kësaj dite kundër SIDA-s, është një rast i mirë për të njohur barrën që e bart gjinia femërore në kohën e HIV/AIDS-it, por, njëkohësisht, të festohen arritjet e grave në luftën kundër epidemisë", tha ajo.

AIDS ende mbetet shkaktar kryesor i vdekjes së më shumë se 5.700 personave në ditë në gjithë botën. Ballkani Perëndimor është njëri prej rajoneve, popullsia e të cilit është jashtëzakonisht e kërcënuar nga HIV-i, për shkak të tranzicionit politik, shoqëror dhe ekonomik.

Dita botërore kundër SIDA-s po shënohet në Kosovë me shumë aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me vetëdijesimin e qytetarëve për rrezikun e kësaj sëmundjeje.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG