Ndërlidhjet

Thaçi: Mosshtrirja në veri e bën EULEX-in të diskutueshëm


Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar se EULEX-i do të fillojë punën javën e ardhshme. Ai ka thënë se EULEX-i duhet të shtrihet menjëherë edhe në veri, ndryshe nuk do ketë kuptim dhe do jetë i diskutueshëm dhe i papëlqyeshëm.


Nëntë dhjetori është përmendur nga kryeministri Hashim Thaçi si datë kur EULEX-i do të fillojë punën në tërë territorin e Kosovës. Ai ka theksuar në veçanti shtrirjen e EULEX-it në këtë datë edhe në veriun e Kosovës, pa të cilën shtrirje ka thënë se misioni nuk do të ketë kuptim.

“Ky mision do të ketë kuptim vetëm nëse në ditën e parë të instalimit vendoset edhe në veri të Kosovës. Përndryshe, institucionet e Kosovës do ta shpallin si mision të diskutueshëm dhe do të jetë i papëlqyeshëm edhe për popullin e Kosovës”, tha Thaçi.

Por, për shtrirjen e menjëhershme në veri nuk janë shumë të sigurt vetë zyrtarët e EULEX-it.

“Siç e ka thënë disa herë edhe vetë Yves de Cermabon, ne do të zbarkohemi gjithandej, pra edhe në veri. Natyrisht, nuk është fshehtësi se në disa zona në Kosovë do të marrë më shumë kohë”, i tha radios Evropa e Lirë, zëdhënësja e EULEX-it, Karen Limdal.

Por, ndryshe nga kryeministri që jep një datë të saktë të fillimit të punës së këtij misioni, vetë EULEX-i nuk sqaron këtë.

“Nga nesër do të nisim me atë që referohemi si veprimet fillestare operacionale; pastaj, në ditët, javën e ardhshme, do të jemi operacionalë. Nuk do të thosha se më vonë, sesa mesi i javës së ardhshme”, thotë Limdal.

Nesër, më shumë se 20 organizata joqeveritare të vendit do të protestojnë kundër planit gjashtëpikësh të Sekretarit të OKB-së, Ban Ki Moon, plan ky që mori përkrahje nga Këshilli i Sigurimit ditën kur mori dritën jeshile vendosja e EULEX-it.

Kryeministri u ka kërkuar qytetarëve të mos protestojnë kundër EULEX-it, meqë, sipas tij, ai vepron në bazë të Kushtetutës së Kosovës, derisa 6 pikat e Ban Ki Moonit për të janë të pazbatueshme në Kosovë.

Por, baza legale, sipas zyrtarëve të EULEX-it, për ta nuk do të jetë Kushtetuta, por Rezoluta 1244.

“Baza legale për ne është plani i verpimit të përbashkët i BE-së, që na është dhënë në shkurt dhe do të punojmë në kornizën e përgjithshme të 1244-shit”, pohon Karen Limdal.

Ndryshe, ende pa filluar zbatimin, kryeministri Thaçi ia ka bërë me dije EULEX-it disa nga detyrat që duhet t’i përfundojë, posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës.

Ai ka thënë se rreth 1000 banesa, shtëpi dhe troje janë të uzurpuara dhe se atje duhet të instalohet një HABITAT i ri, për, siç ka thënë, largimin e uzurpatorëve dhe kthimin e pronarëve të ligjshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG