Ndërlidhjet

Në konsultime për emërimet në organet e sigurisë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës po zhvillojnë konsultimet finale në lidhje me emërimin e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës dhe drejtorit të Policisë së Kosovës.



Kosova do t’i ketë shumë shpejt të formuara organet e reja të sigurisë, thonë në institucionet vendore. Formimi i strukturave të reja të sigurisë konsiderohet se përmbush edhe fazën e parë të zbatimit të pakos së Ahtisaarit, si dokument gjithëpërfshirës për statusin. Ndërsa, opozita kritikon udhëheqësit kosovarë për zvarritje në përmbushjen e obligimeve kushtetuese që ka Kosova në formimin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe emërimit të komandantit të FSK-së.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e institucioneve thonë se mbetet çështje ditësh kur presidenti dhe kryeministri i Kosovës do ta emërojnë shefin e Agjencisë së Inteligjencës, si dhe do të emërojnë komandantin e FSK-së. Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se emërimet në krye të strukturave të reja të sigurisë, vetëm sa nuk janë bërë publike, pasi që, sipas tij, konsultimet janë në fazën finale.

“Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi kanë pasur edhe këto ditët e fundit konsultime intensive dhe ky proces është afër përmbylljes. Tani, për detajet nuk mund të flas diçka më konkretisht, por ne besojmë se ky proces do të përmbyllet mjaft shpejt; besojmë në një afat optimal”, deklaroi Beqiri.

Ndërkohë, opozita ka një qasje mjaft kritike ndaj institucioneve. Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, që nga mesi i qershorit, Kosova ka mundur t’i themelojë edhe organet e veta të sigurisë, thonë zyrtarët opozitarë. Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, thotë se zvarritjet në formimin e strukturave të sigurisë dhe emërimet në postet e larta, po ndikojnë në vetë situatën e sigurisë, por edhe në jofunksionalitetin e shtetit të Kosovës.

“Kjo zvarritje po i shkakton dëme Kosovës, për arsye se interesat e ngushta të qeverisë së sotme po ndikojnë që të kemi një vakuum, i cili nuk duhet të tolerohet në kohën kur Serbia është në ofensivë me të gjitha elemetet për ta dëmtuar pavarësinë e Kosovës”, theksoi Isufi.

Formimi i strukturave të reja të sigurisë është një obligim kushtetues, por edhe pjesë e zbatimit të obligimeve që ka marrë Kosova në zbatimin e pakos së Ahtisaarit. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se emërimet e larta do të përfshijnë edhe policinë e Kosovës.

“Tashmë jemi në fazën kur kryeministri, është e mundshme që në ditët në vijim ta bëjë emërimin, përkatësisht propozimin, që sipas ligjit do t’ia dorëzojë presidentit për emërimin e komandantit të FSK-së. Po ashtu, sa i përket Agjencisë së Inteligjencës, janë intensifikuar konsultimet ndërmjet kryeministrit e presidentit dhe mendojmë se shumë shpejt do të bëhen emërimet e udhëheqësve të Agjencisë së Inteligjencës, përderisa lidhur me policinë, kryeministri, në bazë të dispozitave ligjore-kushtetuese, do të bëjë emërimin ose propozimin për drejtorin e policisë së Kosovës shumë shpejt“, tha Krasniqi.

Zëdhënësi Krasniqi nuk jep detaje tjera nëse mund të dihet se kush janë të përzgjedhurit që kanë hyrë në rrethin e ngushtë të emërimeve për këto poste.

Në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse, presidenti i Republikës, i cili është edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcës së Sigurisë të Kosovës, emëron komandantin e kësaj Force, pas rekomandimeve të qeverisë, përderisa kryeministri, pas konsultimeve me presidentin, emëron drejtorin, zëvendësdrejtorin dhe inspektorin e përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Formimi i këtyre strukturave, bashkë me implementimin e decentralizimit, pasojnë një varg ligjesh e vendimesh që Kosova ka miratuar në kuadër të zbatimit të obligimeve që dalin nga Kushtetuta dhe plani i Ahtisaarit.
XS
SM
MD
LG