Ndërlidhjet

logo-print

Obama emëroi ekipin e sigurisë kombëtare


Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Barack Obama e ka bërë publik përbërjen e ekipit të sigurisë, ku siç pritej, senatorja Hillary Clinton u emërua sekretare shteti.

Obama tha se Robert Gates do të mbetet sekretar i Mbrojtjes, ndërsa këshilltar për Siguri Kombëtare e emëroi gjeneralin James Jones, ish-komandant suprem i NATO-s.

Obama tha se zgjedhja e tij për senatoren Clinton, ishte shenjë për "miqtë dhe armiqtë" që t'i rivendosë aleancat në Shtetet e Bashkuara.

"Emërimi i Hillary është shenjë për miqtë dhe armiqtë për seriozitetin e përkushtimit tim për ta ripërtrirë diplomacinë amerikane dhe rivendosur aleancat tona. Ka shumë për të bërë, prej parandalimit të përhapjes së armëve bërthamore nga Irani dhe Korea e Veriut, e deri në kërkimin e paqes së qëndrueshme ndërmjet Izraelit dhe Palestinezëve dhe forcimin e institucioneve ndërkombëtare", tha Obama.

Clinton tha se ajo do t'i përkushtohet plotësisht administratës Obama dhe vendit të saj.

"Duke e zgjedhur Barack Obamën për president tonë të ri, populli amerikan kërkoi jo vetëm kahje të re në vend, por përpjekje të re për ta ripërtrirë qëndrimin e Amerikës në botë si forcë pozitive për ndryshime", tha Clinton.

Në emërimet tjera, Obama e zgjodhi guvernatoren e Arizonës, Janet Napolitano, në postin e Sekretares për Sigurinë e Atdheut, ndërsa ish-ndihmës sekretaren e shtetit, Susan Rice, si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara.

Obama gjithashtu e emëroi Eric Holder, ish zyrtar i Departamentit të Drejtësisë, në postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Vetë Barack Obama do të bëjë betimin më 20 janar.


XS
SM
MD
LG