Ndërlidhjet

logo-print

"Marrëveshja e Kumanovës në tavolinën e NATO-s"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

LAJM
Edhe një herë në Prishtinë do të demonstrohet të martën kundër planit gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, dhe kundër shtrirjes së EULEX-it në Kosovë sipas këtij plani. Rreth 20 organizata joqeveritare, organizatore të protestës që do të mbahet sot, ftojnë të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i përgjigjen masivisht demonstratës, e cila koincidon me ditën kur është paralajmëruar se misioni i Bashkimit Evropian, i quajtur EULEX, do të mund të jetë operacional. Alban Bokshi nga “Çohu”, tha të martën se presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi nuk po e thonë të vërtetën. “Ata nuk po e thonë të vërtetën kur deklarojnë se EULEX-i po vjen në Kosovë pa i përfillur gjashtë pikat e Banit. Në realitet, EULEX-i do të shtrihet në Kosovë pikërisht në bazë të atyre pikave dhe në bazë të Rezolutës 1244”, tha Bokshi të hënën në një konferencë për media...

INFOPRESS
Mungesa e sundimit të ligjit, toleromi i strukturave ilegale paralele dhe lulëzimi i korrupsionit dhe kontrabandës, shkon në dëm të të gjithë qytetarëve të Kosovës, prandaj institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë që asnjë pjesë e territorit të shndërrohet në oazë krimi, u tha të hënën, me rastin e inicimit të Strategjisë nacionale kundër krimit të organizuar. Në tryezën e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për hartimin e Strategjisë nacionale kundër krimit të organizuar, e cila pritet të përfundojë në qershor të 2009-ës, u tha se shtrirja e EULEX-it, si mision i sundimit të ligjit në tërë territorin e vendit, duke respektuar dhe forcuar sovranitetin e Kosovës, do të ndihmojë në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomisë joformale...

KOHA DITORE
Serbia nuk ka kërkuar formalisht ndryshimin e Marrëveshjes tekniko-ushtarake me NATO-n, por këtë e ka bërë vetëm në disa diskutime joformale. Këtë e kanë thënë të hënën në Bruksel zyrtarë të NATO-s, duke konfirmuar se për këtë ide “kanë dëgjuar nga mediat dhe nga shefi Shtabit të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Ponosh”. Por, formalisht, as në takime e as me ndonjë kërkesë me shkrim, nuk ka pasur kërkesa nga Serbia drejtuar NATO-s për këtë çështje. Për t’u ndryshuar kjo marrëveshje, do të duhej një kërkesë formale e njërës nga palët nënshkruese të saj e më pas do të nisej procedura në Këshillin e NATO-s. Do të kërkohej edhe Këshilli i autoriteteve ushtarake të NATO-s se a do të kishte ndonjë ndikim në operacionin e KFOR-it në Kosovë, në rast se do të bëhej ndonjë ndryshim, dhe pas këtyre këshillimeve, Këshilli i NATO-s, si trupi më i lartë politik i Aleancës, do të mund të pranonte ndryshimet...

EPOKA E RE
Shefat e diplomacive të vendeve anëtare të NATO-s, sot dhe nesër, në Bruksel, do ta përsërisin mbështetjen për vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës dhe për vendimet e OKB-së mbi rikonfigurimin e UNMIK-ut, kurse tani për tani nuk ka kurrfarë ndryshimesh kur është fjala për marrëveshjen teknike-ushtarake mbi zonën përreth Kosovës. Këtë e ka thënë të hënën një zyrtar në selinë e Aleancës Veri-atlantike në Bruksel, i cili ka përcjellë bindjen e NATO-s se “me përjashtime shumë, shumë të vogla, të gjitha palët në Kosovë po veprojnë në atë mënyrë që nuk mund të ndodhë shpërthimi i dhunës”...

EXPRESS
Senatorja Hillary Rodham Clinton është dominuar për Sekretari Shteti duke kryesura ekipin e Sigurisë Kombëtare të presidentit të ari amerikan, Barack Obama, përbërje të cilën senatorët e quajnë “përzgjedhje e shkëlqyeshme”. Përcaktimi i Obamës për rivalen e tij kryesore gjatë zgjedhjeve të brendshme për nominimin presidencial të demokratëve, ka domethënie të posaçme për shqiptarët, për shkak të kujtimeve të ndihmës vendimtare amerikane më 1998 dhe 1999 për Kosovën nën administratën e presidentit Bill Clinton. “Emërimi i Hillary-t është një sinjal për miqtë dhe armiqtë për seriozitetin e përkushtimit tim, për të përtërirë diplomacinë amerikane dhe për të restauruar aleancat tona”, ka thënë presidenti Obama, duke folur në Chicago...

BOTA SOT
Përderisa BE-ja ka paralajmëruar se misioni i EULEX-it do të fillojë vendosjen në Kosovë më 2 dhjetor, kryeministri Hashim Thaçi bëri të ditur të hënën se EULEX-i do të fillojë misionin e vet me mandatin e plotë më 9 dhjetor, ndërsa kërkoi që ky mision të vendoset fillimisht në veri të vendit. “Nëse EULEX-i nuk fillon instalimin që ditën e parë edhe në veri, atëherë dua të them që këtij misioni i humb kuptimi. Institucionet e Republikës së Kosovës do të kenë qëndrim shumë kritik dhe mënyra e të vëzhguarit të situatës apo e sjelljes oportune do të jetë e papranueshme për institucionet dhe popullin e Kosovës”, ka thënë Thaçi...

ZËRI
“Rreziku për ndarje të brendshme ka qenë shumë më i madh para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, se që është sot. Ky rrezik nuk mund të eliminohet tërësisht, duke refuzuar bashkëpunimin me EULEX-in. Ky rrezik do të eliminohet duke bashkëpunuar me EULEX-in dhe duke bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian dhe të gjitha ato vende që janë deklaruar në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Kosovës dhe të karakterit unitar të Kosovës”, thotë ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, gjatë një interviste për “Zëri”...

KOSOVA SOT
Pas një pritjeje të gjatë, misioni më i madh në historinë e Bashkimit Evropian, nga 2 dhjetori do të jetë operacional. Protesta e paralajmëruar nga disa OJQ dhe Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë që “zijafeti” i lindjes së misionit të shtyhet gjer në fillim të javës së ardhshme... Paraprakisht, të premten, më 5 dhjetor, në Bruksel, ministrat e jashtëm të të gjitha shteteve anëtare të BE-së edhe formalisht dot njoftohen për fillimin e mandatit të EULEX-it. Misioni ka pasur vonesa të paparashikueshme për nisjen e punës së tij, ndërkaq që raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, ku përfshihen edhe gjashtë pika, ka bërë që misioni të pranohet nga Beogradi dhe rrjedhimisht pakica serbe në Kosovë, por edhe të shihet me një skepticizëm në masë nga shumica shqiptare...
XS
SM
MD
LG