Ndërlidhjet

Ish-rivalët tash punojnë bashkë

  • Andrew Tully

Hillary Clinton dhe Barack Obama

Hillary Clinton dhe Barack Obama

Vetëm para pak muajsh, Barack Obama dhe Hillary Clinton ishin në garë për t'u emëruar si kandidatë të Partisë Demokrate për president të Shteteve të Bashkuara. Retorika midis tyre ishte e ashpër, në disa raste madje edhe fyese. Tani, ata do të punojnë bashkë. A mund të funksionojë?


"Është ora 3 e mëngjesit dhe fëmijët tuaj flenë qetë. Por, në Shtëpinë e Bardhë telefoni cingëron. Diçka ka ndodhur në botë. Vota juaj do të vendosë kush do t'i përgjigjet asaj thirrjeje, nëse do të jetë dikush që tashmë i njeh liderët botërorë dhe ushtrinë, dikush që është sfiduar dhe është i gatshëm të udhëheqë në këtë botë të rrezikshme. Është ora 3 e mëngjesit dhe fëmijët tuaj flenë të qetë. Kush do të donit të përgjigjet në telefon?"


Kjo reklamë politike e fushatës së zonjës Clinton është transmetuar në televizionet kombëtare këtë pranverë.

Nëse Senati i Shteteve të Bashkuara e konfirmon emërimin e saj si sekretare shteti, gjë që pritet të ndodhë, zonja Clinton do të jetë shefja e diplomacisë amerikane, në administratën e presidentit të zgjedhur, Barack Obama.

Por, a mund të punojnë bashkë? Përgjigjja do të ishte një po e kujdesshme, thotë Robert Spitzer, ligjërues i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të New Yorkut.

Zoti Spitzer i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka shqetësime se Obama dhe Clinton mund të mos jenë çifti më i duhur për një politikë të jashtme efektive. Sipas tij, është e sigurt se zonja Clinton e kupton natyrën e rolit të saj, por rivaliteti midis tyre në të kaluarën mund të shkaktojë telashe.

"Është një marrëdhënie, e cila lehtësisht mund të rezultojë me një distancë midis këtyre dy akterëve. Dhe, nëse historia e fundit midis tyre flet diçka, atëherë është shqetësim, jo vetëm për mua, por edhe për Hillary Clintonin dhe atë jo vetëm pse kanë qenë rivalë gjatë fushatës. Mendoj se atë ndoshta do të mund ta hedhin prapa shpinës, por kjo njëkohësisht lë të hapur çështjen nëse ata mund të punojnë ngushtë për të formësuar politikën e jashtme në administratën e re të zotit Obama", thotë zoti Spitzer.

Raporti midis Obamas dhe Clintonit do të jetë, sipas tij, i një rëndësie thelbësore. Me gjithë ato çështje të politikës së jashtme që do të jenë përballë administratës së Obamas, Spitzer thotë se ai dhe zonja Clinton duhet të jenë të kujdesshëm.

"Që Hillary Clinton të jetë një sekretare shteti kuptimplotë dhe me ndikim, ajo duhet të gëzojë besimin e plotë të administratës së Obamas dhe të vetë Barack Obamas. Ajo duhet të ketë qasje tek ai dhe ai vetë duhet të jetë i gatshëm të pranojë vlerësimet dhe pikëpamjet e saj kur bëhet fjalë për politikë të jashtme, duke mbajtur në mend gjithnjë se vendimet finale të politikës së jashtme dhe kahja që në përgjithësi merr një politikë e jashtme e një administrate, është përgjegjësi e presidentit",
thotë Spitzer.

Michael O'Hanlon, nga Instituti Brookings, mendon se puna e përbashkët midis Obamas dhe Clintonit do të ketë sukses. Në fakt, ai madje mendon se ky interpretim optimist është i mbështetur pikërisht nga historia.

Ai thirret në një libër mbi presidencën e Abraham Linkolnit, në të cilin thuhet se presidenti amerikan i shekullit të 19-të pati emëruar rivalë në kabinetin e tij, për hir të zhvillimit të politikave më të mira.

Sipas zotit O'Hanlon, edhe Obama duket se po kërkon diçka të ngjashme në raportin e tij me Clintonin.

"Mendoj se ky interpretim është më afër aspiratave të Obamas. Ai mund të mos ketë nevojë apo të synojë që Hillary të jetë shoqja e tij më e mirë, por nuk besoj se Obama ka kërkuar një marrëdhënie të tensionuar apo të hidhur midis tyre. Mendoj se ai shpreson që raporti të jetë produktiv, duke e shndërruar rivalitetin midis tyre në diçka që i takon së kaluarës dhe jo të tashmes", thotë zoti O'Hanlon.

Ai mendon se që të dy tashmë duken sikur e kanë lënë prapa rivalitetin e tyre politik dhe janë duke punuar bashkërisht.

"Unë mendoj se aktualisht ekziston një pëlqyeshmëri midis tyre, por ata janë qenie njerëzore, të cilat para vetëm gjashtë muajsh, ishin fyt më fyt. Kjo është arsyeja pse mendoj se procesi, gjatë të cilit respekti shndërrohet në pëlqyeshmëri, është ende duke vazhduar. Hillary është përpjekur shumë të avancojë marrëdhënien, duke u shndërruar në një nga kampionët dhe mbështetësit më të mëdhenj të zotit Obama", thotë O'Hanlon.

Por, çfarë ndodh nëse Obama dhe Clinton një ditë gjejnë veten të larguar nga njëri-tjetri në një element të rëndësishëm të politikës së jashtme? O'Hanlon thotë se kjo çështje zgjidhet lehtë - Obama ka të drejtë ta zëvendësojë atë.
XS
SM
MD
LG