Ndërlidhjet

Nis faza e studimit të fizibilitetit


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Kosova ka nisur përgatitjet për studimin e fizibilitetit, hap ky i fundit para se një vend ta nënshkruajë marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Kjo u bë e ditur në fund të takimit të 15-të të Mekanizmit Përcjellës të Asociim Stabilizimit, që u mbajt në Prishtinë.



Kosova nis një fazë të re të përafrimit të saj me Bashkimin Evropian. Në fund të takimit të Mekanizmit Përcjellës të Asociim Stabilizimit, është bërë e ditur se vitin e ardhshëm Kosova do të nisë studimin e fizibilitetit. Por, drejtori për Ballkanin i Komisionit Evropian, Pierre Mirel, ka bërë të ditur se kjo fazë ka nisur që nga sot.

“Në një formë, studimin e fizibilitetit e filluam sot. Ky është fillimi i vlerësimit tonë, duke diskutuar në dritë të raportit të progresit me disa çështje konkrete. Studimi i fizibilitetit nga ana jonë është hapi i ri në Kosovë dhe konfirmon edhe një herë më shumë angazhimin tonë të plotë në Kosovë”,
ka thënë Mirel, në përfundim të takimit të Mekanizmit Përcjellës të Asociim Stabilizimit.

Studimi i fizibilitetit i paraprin nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asoccimiit, koha e nënshkrimit të së cilës nuk është saktësuar sot as nga kryeministri Hashim Thaçi, e as nga zyrtarë të BE-së, të cilët morën pjesë në takimin e Mekanizmit Përcjellës të Asociim Stabilizimit.

“Përkushtimi i BE-së ndaj Kosovës është manifestuar në mënyrë të qartë edhe me vendimin e BE-së për fillimin e studimit të fizibilitetit vitin e ardhshëm dhe që pritet të përfundojë në vjeshtën e vitit 2009. Unë nuk do të dëshiroja që të flasim me muaj apo me periudha të caktuara kohore, sepse varet edhe prej procedurave, prej përgjegjësive tona, edhe prej bashkëpunimit që do të kemi. Por, ne jemi të sigurt se një ditë të afërt do të jemi pjesë e familjes evropiane, thjesht me meritë dhe përgjegjësi tonën”,
tha Thaçi.

Ndryshe, gjatë ditës, përfaqësues të Bashkimit Evropian i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në thellimin e reformave në fushat, në të cilat janë regjistruar ngecje nga ana e Komisionit Evropian.

I dërguari i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, ka thënë se qeveria ka shumë punë përpara vetes.

“Unë pres që Kosova të arrijë progres të mëtejmë në vitet e ardhshme, posaçërisht në fushat e qeverisjes së mirë, në sundimin e ligjit, reformat ekonomike dhe fiskale, si dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve. Raporti i progresit për Kosovën i nënvizon një numër hapash që duhet ndërmarrë. Unë pres që qeveria të na tregojë sot neve se si do t’i adresojë në terma konkretë këta hapa në muajt e ardhshëm”, tha Feith, duke kërkuar nga qeveria hapa konkretë në përmirësimin e sektorit ekonomik dhe financiar.

“Kjo nënkupton se Kosova, edhe pse jo viktimë e krizës financiare, duhet të jetë shumë vigjilente në menaxhimin fiskal dhe ekonomik. Në të vërtetë, tash qeveria ka më shumë përgjegjësi për mirëqenien ekonomike të Kosovës. Në mënyrë specifike – furnizimin me energji, privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe menaxhim të matur të buxhetit fiskal”, tha Feith.

Në raportin e progresit të Komisionit Evropian, Kosova, sikurse edhe shumë vende të rajonit, qe kritikuar për mangësi në sistemin e drejtësisë dhe të sundimit të ligjit. Duke përsëritur se integrimi në BE mbetet në krye te agjendës së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka premtuar përmbushje të standardeve të nevojshme për integrim.

“Jemi të vetëdijshëm se për ne vetë procesi është më i rëndësishëm, sesa akti i anëtarësimit, për shkak se gjatë këtij procesi ne jemi duke reformuar dhe përqafuar vlerat demokratike dhe, në të njëjtën kohë, duke përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët e Kosovës. Ne jemi të përkushtuar që të përqafojmë vlerat evropiane dhe të garantojmë paqen dhe sigurinë në rajon, si dhe të thellojmë bashkëpunimin me fqinjët rajonalë”, tha Thaçi.

Për shkak të statusit të pazgjidhur, Kosova në vend se përmes Procesit të Stabilizim Asociimit, në rrugën drejt integrimit qe angazhuar përmes Mekanizmit Përcjellës të Stabilizim Asociimit. 10 muaj pas pavarësisë, ky proces nuk ka ndryshuar dhe sot është mbajtur takimi i 15-të i këtij mekanizmi.

Ndryshe, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian nga vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë mbetur jashtë kësaj marrëveshjeje vetëm Bosnja dhe Kosova.

Mospranimi i pavarësisë nga të gjitha vendet e BE-së, sipas qeverisë dhe ekspertëve për integrime evropiane, do të jetë një nga problemet kryesore për ecjen e Kosovës kah integrimet evropiane.

Megjithatë, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kanë premtuar se nëse Kosova arrin t’i përmbushë objektivat dhe të thellojë reformat, ndihma financiare do të jetë e garantuar.

XS
SM
MD
LG