Ndërlidhjet

Sa ndikon korrupsioni në zhvillimin ekonomik?


Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ekspertë të ekonomisë konsiderojnë se korrupsioni në Kosovë po ndikon në moszhvillimin e mëtejmë të vendit. Ekspertët thonë se duhet të ketë plane konkrete se si të parandalohen dukuritë negative, si korrupsioni dhe kontrabanda.

Muharrem Shahini, zyrtar për informim në Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave, pohon se nëse Kosova identifikohet si një shtet me shkallë të lartë të korrupsionit, pasojat do të jenë shumë të mëdha për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

"Si fenomen ndikon edhe në zhvillimin negativ të ekonomisë së Kosovës, çka do të thotë se nëse Kosova identifikohet që ka një korrupsion të theksuar, atëherë ne kemi për t’i vuajtur pasojat edhe të investimeve nga jashtë, sepse bizneset apo organizatat ndërkombëtare, të cilat janë të interesuara të investojnë në Kosovë apo ta ndihmojnë Kosovën, atëherë veç do të largohen", tha Shahini.

Edhe eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa, nga Instituti Riinvest, konsideron se kohëve të fundit, në Kosovë është në rritje korrupsioni. Sipas tij, korrupsioni po ndikon në zhvillimin e Kosovës, duke lënë pasoja të shumëfishta.

"Korrupsioni ka ndikimet e tij negative në çrregullimin e konkurrencës, në çrregullimin e mjedisit biznesor të klimës së investimeve dhe fatkeqësisht ekziston një percepcion i bizneseve, por edhe i opinionit, se korrupsioni ka qenë në rritje kohëve të fundit. Sigurisht edhe kjo ndikon në rritjen e transaksioneve, d.m.th. shpenzimeve biznesore; e dëmton buxhetin publik dhe largon investitorët seriozë", tha Mustafa.

Mirëpo, zoti Shahini, nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, pohon se institucionet kosovare, me strategji dhe projekte të ndryshme, janë duke u angazhuar që korrupsioni në Kosovë të jetë sa më pak i pranishëm.

“Angazhimi i qeverisë dhe i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave edhe i organizatës anti-korrupsion, është që në çdo rast ta luftojë këtë fenomen shumë të dëmshëm për shtetin tonë", theksoi ai.

Por, ndryshe nga Shahini mendon eksperti për çështje ekonomike, Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës. Ai konsideron se Kosova nuk mund të zhvillohet ekonomikisht, derisa korrupsioni në masë të madhe është i pranishëm në institucionet kryesore të vendit.

“Burimi i korrupsionit dhe i asaj që vërtet e ngulfat procesin e zhvillimit ekonomik në Kosovë, është mu në institucionet qeveritare, mu në vendet ku bien vendimet për të marrë aktivitete të ndryshme. Dhe, në fund të fundit, përmes korrupsionit mbrohen grupet e caktuara të interesit, ngjyrave politike apo partiake, dhe individë të caktuar, të cilët i shfrytëzojnë apo i mbledhin frytet e revolucionit aktual", tha Gërxhaliu.

Eksperti Gërxhaliu mendon se Kosova nga korrupsioni, në masë të madhe, është duke krijuar një imazh të keq te investitorët e huaj.

"Korrupsioni dhe e tëra kjo që është duke ndodhur në aktualitetin kosovar, është një formë e dëmtimit të imazhit të Kosovës karshi investitorëve të huaj dhe gjetjes së mënyrës për futjen e infuzionit ekonomik në Kosovë. Se sa ndikon kjo në zhvillimin ekonomik, është vërtet e tepërt që të diskutohet, kur dihet që pasojat janë shumë të mëdha", tha Gërxhaliu.

Ekspertët pajtohen se zhvillimi ekonomik në Kosovë vazhdon të mbetet një nga sfidat më të rënda përballë institucioneve vendore.

XS
SM
MD
LG