Ndërlidhjet

Bie numri i krimeve ndëretnike


SHPK
SHPK

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në Kosovë nuk është shënuar asnjë krim me motive ndëretnike, ndërsa kanë ndodhur 30 raste të vrasjeve, viktimat e të cilave i takojnë kombësisë shqiptare.



Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, në Kosovë nuk është shënuar asnjë krim që ka motive ndëretnike. Këto të dhëna janë publikuar nga Policia e Kosovës, zyrtarë të së cilës kanë pohuar njëkohësisht se numri i vrasjeve në përgjithësi ka shënuar rënie gjatë këtij viti.

Sabrie Kamberi, zëdhënëse në Policinë e Kosovës, tha se numri më i madh i vrasjeve përgjatë kësaj periudhe ka ndodhur në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës, por nuk është shënuar asnjë rast i vrasjeve me motive ndëretnike.

“Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në tërë territorin e Kosovës janë raportuar 30 raste të vrasjeve, ndërkaq në bazë të po këtyre statistikave nuk është raportuar për asnjë vrasje ndëretnike”, tha ajo.

Megjithatë, vrasjet vazhdojnë të jenë shqetësim për policinë, autoritetet e së cilës kërkojnë një angazhim më të madh nga institucionet përkatëse.

Gjatë shtatë vjetëve të fundit, në Kosovë janë vrarë mbi 1000 persona për shkaqe të ndryshme. Numri më i madh i viktimave, sipas policisë, në mbi 70 për qind të rasteve i takon kombësisë shqiptare, derisa pjesa tjetër janë viktima nga komunitetet tjera.

Autoritetet thonë se motivet kryesore prapa vrasjeve, në të shumtën e rasteve janë kontestet pronësore, korrupsioni dhe hakmarrja.

Kështu të paktën pohon ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit në Kosovë, Hilmi Jashari. Ai ka kritikuar institucionet për zvarritje në zgjidhjen e këtyre rasteve dhe kjo pastaj, sipas tij, ndikon tek njerëzit që drejtësinë ta marrin në duart e veta.

“Për shkak të mosangazhimit adekuat të organeve publike të Kosovës për të zgjidhur situatat konfliktuoze, njerëzit e dëshpëruar prej këtyre situatave marrin veprime që janë të jashtëligjshme”, tha ai.

Jashari kërkon një përkushtim më të madh të autoriteteve kompetente në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, që do të kishin dërguar deri në identifikimin e një kryesi të veprës penale.

Sipas tij, deri më tani nuk është treguar ndonjë përkushtim efikas i mekanizmave të sigurisë dhe gjykatave për zbardhjen e këtyre rasteve.

“Në situata të tilla nuk është treguar interesim adekuat, nuk ka pasur hetime efektive nga ana e policisë, pavarësisht se a ka qenë policia e UNMIK-ut apo e Kosovës”, tha ai.

Vrasjet në Kosovë, sipas një hulumtimi të UNDP-së, vlerësohet se shkaktohen nga numri i madh i armëve të vogla në duar të qytetarëve.

Vlerësimet e fundit flasin se në Kosovë ekziston një numër i madh i armëve ilegale, që kanë mbetur kryesisht nga periudha e luftës 1998-1999. Madje, kjo shifër, sipas UNDP-së, është mbi 300 mijë armë të vogla.

Ndërsa, që nga paslufta në Kosovë, policia vendore dhe ajo e UNMIK-ut, përfshirë edhe paqeruajtësit e KFOR-it, kanë konfiskuar rreth 19.965 armë të lehta dhe armë brezi.
XS
SM
MD
LG