Ndërlidhjet

NATO: EULEX-i (edhe) në veri të Kosovës


Bruksel - Takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s.
Bruksel - Takimi i ministrave të Jashtëm të NATO-s.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s kanë konstatuar se dislokimi sa më i shpejtë i EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës, është çështje urgjente. Ata kanë konfirmuar se KFOR-i do vazhdojë të mbajë një prani të fortë në Kosovë.




Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s rikonfirmuan sot se KFOR-i do të mbajë një prani të fortë në Kosovë dhe se do të vazhdojë misionin në kuadër të Rezolutës 1244 në tërë territorin e Kosovës.

Në takimin në Bruksel po ashtu është thënë se KFOR-i do të bashkëpunojë me aktorët tjerë ndërkombëtarë, si dhe me autoritetet e Kosovës.

Për NATO-n, siç thuhet në konkluzat e miratuara nga ky takim, është çështje e urgjencës dislokimi sa më i shpejtë i misionit të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës.

Siç tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, është me rëndësi që EULEX-i të dislokohet në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit.

Situatën në Kosovë, Scheffer e quajti stabile dhe të sigurt.

“Aleatët sot mirëpritën edhe faktin se situata në Kosovë është e sigurt, përkundër asaj që unë do ta quaja një fluiditet në spektrin politik në Kosovë”, tha sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jaap de Hoop Scheffer.

Duke folur për dislokimin e misionit të BE-së në fushën e rendit dhe të ligjit, EULEX-in, Scheffer tha se për këtë është diskutuar në takim, në të cilin ka marrë pjesë edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Javier Solana.

Scheffer tha se aleatët kanë mirëpritur vendimin e BE-së dhe njoftimet se dislokimi i EULEX-it dhe fillimi operacional i misionit, do të bëhet shumë shpejt.

Ndër temat tjera të lidhura me Kosovën, është edhe shpërbërja e TMK-së, e cila do të vazhdojë, dhe formimi i Forcave Kosovare të Sigurisë, që NATO-ja do t’i ushtrojë në bazë të një fondi vullnetar që është krijuar përmes NATO-s.

Po ashtu, zyrtarët e NATO-s në këtë takim kanë kërkuar nga Serbia që të bashkëpunojë rreth Kosovës me faktorët ndërkombëtarë dhe që të ftojë të gjitha palët në Kosovë që të përmbahen nga dhuna dhe kërcënimet.

Sa i përket situatës brenda Kosovës, nga autoritetet e Kosovës është kërkuar që të vazhdojnë të zbatojnë reformat, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektimin e pakicave, sidomos në aspektin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë.

Po ashtu, edhe vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit u është shprehur një mirënjohje për reformat që kanë bërë dhe pritet që të vazhdojnë në rrugën e integrimeve euro-atlantike, duke pasur parasysh gjithmonë respektimin e kërkesave që paraqet komuniteti euro-atlantik ndaj tyre.

Për Serbinë, natyrisht pengesë kryesore në këtë drejtim mbetet bashkëpunimi i plotë me Tribunalin e Hagës dhe edhe një herë ministrat kanë kërkuar nga Serbia që të arrestojë Ratko Mlladiqin dhe të akuzuarit e tjerë për krime lufte.
XS
SM
MD
LG