Ndërlidhjet

EULEX-i nuk do të jetë neutral ndaj statusit, por do të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës, tha përfaqësuesi special i BE-së, Pieter Feith. Gjatë një debati të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme, ai e cilësoi të padëmshëm planin 6-pikësh të OKB-së.


Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë garantojnë shtrirjen e misionit për drejtësi dhe polici të Bashkimit Evropian, EULEX, në të gjithë territorin e Kosovës, më datën 9 dhjetor të këtij viti.

Ata thonë se ky mision nuk do të jetë neutral karshi statusit të Kosovës, pasi që, sipas tyre, do të zbatojë ligjet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, bëri thirrje për bashkëpunimin me EULEX-in, si dhe për largimin e përqendrimit nga dokumenti 6-pikësh i Kombeve të Bashkuara për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare.

Ai tha se asnjë veprim i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë nuk do të ndërmerret pa pëlqimin e Prishtinës zyrtare. Këto komente, Feith i bëri gjatë një debati të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet, ku u diskutua çështja se cili mekanizëm në Kosovë është autoriteti më i lartë vendimmarrës.

"Mos u përqendroni në ndarje, mos u përqendroni në neutralitetin karshi statusit. Shtrirja e EULEX-it nuk do të çojë te ndarja dhe nuk do të jetë neutrale karshi statusit, por do të bashkëpunojë me institucionet e vendit. Mos i shikoni 6 pikat. Sekretari Gjeneral ka dashur të risigurojë Prishtinën se asgjë nuk do të implementohet pa konsultimet dhe pa koordinimin me autoritetet në Prishtinë. Asgjë nuk do të imponohet", tha Feith.

Shtrirja e misionit EULEX në të gjithë territorin e Kosovës, sipas publicistit Veton Surroi, është e pamundur, sepse, sipas tij, zvarritja e shtrirjes së këtij misioni në të gjithë vendin ia ka humbur legjitimitetin EULEX-it.

Surroi theksoi se dokumenti 6-pikësh, i cili nga autoritetet evropiane u cilësua si plan i parrezikshëm për funksionimin e shtetit të Kosovës, me kalimin e kohës do të tregojë pasojat e veta.

"Gjashtëpikëshi, i cili është jo i vdekur, por shumë i gjallë dhe shumë aktiv, do të manifestohet në ditët që vijnë",
vlerësoi Surroi.

Zyrtarë të institucioneve shtetërore të Kosovës kishin deklaruar, ditë më parë, se misioni EULEX është i mirëseardhur në Kosovë vetëm në qoftë se zbaton mandatin e tij në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë dhe veriun e vendit.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, theksoi se EULEX-i duhet medoemos të funksionojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, sipas së cilës, Qeveria kosovare është autoriteti më i lartë ekzekutiv i vendit.

"Unë mendoj se zotëri Feith e dha një përgjigje shumë të qartë dhe shumë të saktë. Institucionet e Kosovës, Qeveria e Kosovës janë udhëheqës të këtij vendi dhe ata kanë legjitimitetin që buron nga qytetarët e Kosovës për të udhëhequr këtë vend", tha Krasniqi.

EULEX-i, sipas planit të presidentit Ahtisaari, duhej të zbatonte ligjet e Kushtetutës së Kosovës, gjë e cila me përcaktimin e këtij misioni si neutral karshi statusit të Kosovës, është vënë në pikëpyetje. Publicisti Blerim Shala thotë se Kosova duhet të këmbëngulë në pakon e Ahtisaarit.

"Ne duhet të dimë kur EULEX-i do të bëhet fuqiplotë në të gjithë territorin e Kosovës në bazë të koncepsioneve, të cilat janë përmendur disa herë prej nesh. Ne duhet të dimë se si duhet të dalim në ditën e 121-të të paraparë nga pakoja e Ahtisaarit, kur do të fillojmë të jetësojmë pakon e Ahtisaarit, sepse në këtë mënyrë ne po fillojmë të vendnumërojmë", theksoi Shala.

Shtrirja e misionit EULEX në të gjithë Kosovën aktualisht përbën sfidën më të madhe sikurse për institucionet evropiane në Kosovë, ashtu edhe për institucionet qeverisëse kosovare, të cilat shtrirjen e këtij misioni në veri të vendit e shohin si rrugë për kthimin e autoritetit atje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG