Ndërlidhjet

"UNMIK: 6-pikëshi nuk do të imponohet"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Misioni i EULEX-it do të funksionojë në Kosovë në përputhshmëri me mandatin që e ka, edhe në veri të Mitrovicës, por edhe në Kaçanik. Do të thotë, do të kemi një mision që do ta respektojë Kushtetutën e Kosovës dhe dokumentin e Ahtisaarit . Këtë qëndrim e ka shprehur të mërkurën, në Prishtinë, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi. Gjatë mbledhjes së rregullt të kabinetit qeveritar, kryeministri Thaçi ka thënë se ditët e kaluara kanë qenë ditë me përgjegjësi të lartë shtetërore, duke mos mohuar edhe dilemat për sa i përket gjashtëpikëshit të propozuar më herët. Gjithashtu, kreu i ekzekutivit ka ftuar ministrat e kabinetit të tij për bashkëpunim me komisionet parlamentare, në mënyrë që të përgatiten amendamentet e projektbuxhetit për vitin 2009. Ndërkohë që ka konfirmuar se me shumë kënaqësi dhe vullnet do t’i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Kosovës për interpelancë parlamentare...

KOHA DITORE
Pa pëlqimin e palës kosovare nuk do të implementohet plani prej gjashtë pikave i përfshirë në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, që është miratuar javën e shkuar edhe nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. “Asgjë nuk do të imponohet në Kosovë, përfshirë edhe gjashtë pikat”, ka deklaruar të mërkurën zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, në debatin “EULEX-i në Kosovë pas mbledhjes së KS të OKB-së”, i organizuar në Qendrën Mediale në Çagllavicë. Këtë deklaratë ai e ka përsëritur së paku pesë herë gjatë një ore, por ka shtruar nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje për problemet e identifikuara që trajtohen në këtë gjashtëpikësh. “Më lejoni të theksoj se asgjë nuk do të imponohet. Do të ketë bisedime, do të ketë konsultime dhe asgjë nuk do të imponohet. Por, problemet duhet të zgjidhen”...

EXPRESS
Autoritetet e Prishtinës po përpiqen të përçojnë një mesazh duke shtyrë idenë që EULEX-i të shtrihet edhe në veri të Kosovës më 9 dhjetor, ditën kur praktikisht fillon punën ky mision. Simbolika duket të jetë e rëndësishme për Prishtinën, në kohën kur kosovarët vazhdojnë të jenë të ndarë rreth këtij misioni... Prefekti i qytetit të Mitrovicës, Bajram Rexhepi, në një prononcim për Express, ka thënë se është e rëndësishme që EULEX-i të shtrijë autoritetin e tij më 9 dhjetor edhe në veri. “Sigurisht, do të jetë një mesazh i rëndësishëm”, ka thënë Rexhepi të mërkurën. “EULEX-i gjithsesi duhet të shtrihet në tërë territorin dhe kjo është në të mirë të të gjithë njerëzve në Kosovë”. Ngjashëm u shpreh edhe kryeministri Thaçi, gjatë mbledhjes së rregullt të Qeverisë. “Theksoj edhe një herë se institucionet e Kosovës do ta mbështesin EULEX-in, e në të njëjtën kohë refuzojnë në plotni 6-pikëshin...”, tha Thaçi.... Megjithëkëtë, përfaqësuesit e opozitës kanë një mendim tjetër. Ahmet Isufi nga AAK-ja, ka thënë se nuk është e rëndësishme data e shtrirjes së EULEX-it, por baza ligjore me të cilën do të funksionojë ky mision...

KOSOVA SOT
Gjatë një ligjërate para studentëve të Universitetit AAB, ish-kreu i OSBE-së, ambasadori Uiliam Uoker, kritikoi ashpër Qeverinë e Kosovës, duke thënë se ajo, pas 17 shkurtit, ka pasur mundësi të artë për ta treguar ngjarjen e Kosovës, por e ka humbur rastin. “Në këtë pikë Qeveria e Kosovës pati rastin, për disa ditë, një javë apo dy, të marrë avantazhin e krejt vëmendjes së përqendruar dhe të dërgojë jashtë zëdhënësit më profesionistë dhe më të informuar. Programet televizive debatuese dhe ato informative botërore ishin të gatshme të tregonin rrëfimin e Kosovës. Rasti u humb. Në vend të kësaj, Beogradi e shfrytëzoi rastin, duke ofruar të gjitha argumentet e veta false se pse bashkësia ndërkombëtare dhe Kombet e Bashkuara nuk do të duhej të pranonin shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës...”, ka thënë Uoker...

LAJM

Sikur Kosova të kishte një politikë më aktive, Serbia nuk do ta dërgonte atë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, nuk do të propozohej fare plani gjashtëpikësh dhe nuk do të shtrohej kërkesa për revidimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, liderët kosovarë është dashur të kalojnë në ofensivë, duke kërkuar nga Serbia që t’i kthejë të gjithë personat e pagjetur, t’i kthejë fondet e pensioneve etj. të qytetarëve të Kosovës, arkivin, regjistrat kadastralë dhe dokumentet mbi banorët e Kosovës, si dhe të gjitha artefaktet arkeologjike e etnologjike, që ishin plaçkitur nga regjimi serb gjatë viteve 1998-99. Por, kjo nuk ndodhi dhe Kosova është ku është momentalisht. Në vend se xhelati të shkonte në Hagë, shkon viktima dhe e tërë kjo, sipas analistit Ramush Tahiri, po ndodh për shkak se Kosova nuk ka një plan veprimi të brendshëm as të jashtëm...

ZËRI
EULEX-i dëshiron që të mos ndeshet për asnjë moment të vetëm me UNMIK-un “në detyrë”, në kohën kur do t’i marrë përsipër përgjegjësitë në sundimin e ligjit në Kosovë, në fillim të javës së ardhshme... Roj Riv, zëvendës i shefit të EULEX-it, në një bisedë për “Zërin”, thotë se misioni ka qenë gati për të filluar punën e vet që nga 2 dhjetori, por është në pritje të një takimi të Komitetit për Politikë dhe Siguri në Bashkimin Evropian, i cili do të mbahet nesër në Bruksel, ku do të vlerësohet gjendja e gatishmërisë së misionit për të filluar punën e vështirë në çështje të policisë, gjyqësisë dhe doganave. “Gjëja e vetme që po flasim tani janë mekanizmat se si UNMIK-u do t’i dorëzojë kompetencat më 8 dhjetor dhe si do t’i marrim ne përsipër ato kompetenca të nesërmen. Nuk duam t’i kemi dy forca policore dhe dy sisteme gjyqësore. Duam një thyerje të qartë ndërmjet dorëzimit të kompetencave nga UNMIK-u dhe fuqizimit të EULEX-it”, thotë Riv...

EPOKA E RE

Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner, ka deklaruar se misioni civil evropian në Kosovë, EULEX, do ta fillojë punën së shpejti. “EULEX-i do të vendoset brenda disa ditësh”, ka thënë Kouchner në një konferencë për media pas takimit të ditës së parë të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të NATO-s. Kouchner ka thënë se mund të ndodhë një “befasi e mirë” në Kosovë, nëse merren parasysh qëndrimet edhe të shqiptarëve, edhe të serbëve. “Në kohën e fundit nuk ishte fare lehtë, ngaqë duhej zgjidhur problemet ligjore, raportin në mes të Rezolutës 1244 dhe domosdoshmërisë së BE-ja ta merrte përgjegjësinë”, ka thënë Kouchner...

BOTA SOT
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, priti zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Eckart Blaurock, të cilit i shprehu falënderimet më të sinqerta për gjithë mbështetjen që institucionet dhe populli i Gjermanisë i kanë dhënë vazhdimisht Kosovës. Ai ritheksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës që bashkë me Gjermaninë të ecim përpara si miq dhe si aleatë... Zoti Blaurock shprehu konsideratat e tij më të larta për marrëdhëniet e shkëlqyeshme me institucionet e Kosovës dhe në mes të dy vendeve tona. Ai shtoi se Gjermania është e përkushtuar për thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit me Kosovën edhe në të ardhmen dhe gjithashtu ritheksoi qëndrimin se EULEX-i duhet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse nga kjo do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës...
XS
SM
MD
LG