Ndërlidhjet

Zgjerimi i NATO-s përballë Rusisë

  • Brian Whitmore

Dimitri Rogozin, i dërguari rus në NATO, vështirë se mund ta përmbante kënaqësinë. Menjëherë pasi NATO-ja nuk i ofroi anëtarësimin në Planin e Veprimit Gjeorgjisë dhe Ukrainës, Rogozin, një nacionalist i vijës së ashpër, nuk vonoi të dilte para kamerave.

"Ukraina dhe Gjeorgjia nuk i përmbushën planet e tyre. Ato morën një përgjigje të pavlerë, një lloj premtimi për bashkëpunim. Vendet që morën një pozitë të acartë ndaj Rusisë, tashmë janë zmbrapsur", tha Rogozin.

Në pamje të parë, Rogozin ka për çka të festojë. Për herë të dytë në tetë muaj, Perëndimi nuk i ka dhënë Gjeorgjisë e Ukrainës ftesën për anëtarësim në Planin e Veprimit.

Si në takimin e prillit në Bukuresht dhe në atë të kësaj jave në Bruksel, Aleanca duket se u tërhoq nga droja e rezistencës që po bën Rusia.

Siç e theksoi dhe i dërguari rus në NATO, në të dyja rastet Aleanca ishte e përçarë. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe grupi i vendeve të Evropës Lindore mbështesin zgjerimin e NATO-s. Nga ana tjetër, kemi Gjermaninë, Francën dhe Italinë që e kundërshtojnë hapur një nismë të tillë.

"Ndarjet brenda NATO-s janë të dukshme. Ato thellohen sa herë që NATO-ja përpiqet të zgjerohet", tha Rogozin.

Natyrshëm lind pyetja - a është ky fundi i zgjerimit të NATO-s në hapësirën ish-Sovjetike?

"Mendoj se është fundi i ëndrrës për një zgjerim të shpejtë të NATO-s, duke përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Mendoj se do të vazhdojmë të shohim një bashkëpunim të ngushtë të NATO-s me Ukrainën dhe Gjeorgjinë në projekte të caktuara ushtarake, përfshirë reformat dhe modernizimin. Por, kjo nuk do të shoqërohet me etiketën e anëtarësimit", thotë për REL, Edward Lucas, nga "The Econiomist" dhe autor i librit "Lufta e re e Ftohtë: Si e kërcënon Kremlini Rusinë dhe Perëndimin".

Ministrja e Jashtme e Gjeorgjisë, Eka Tkeshelashvili, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.
Analistët tërheqin vërejtjen se gjendja aktuale gjeopolitike nuk është e përhershme. Duhet të kemi parasysh se në janar vjen një administratë e re amerikane, shumë e mirëpritur nga Evropa krahasuar me atë të presidentit në largim, George Bush.

Nga ana tjetër, çmimi i naftës po njeh rënie, çfarë ul ndikimin e Moskës jashtë kufijve rusë.


"Mendoj se me presidentin Obama do të ketë më shumë mirëkuptim mes Evropës dhe Amerikës. Nuk jam i sigurt se nga kjo Rusia ka arsye të jetë e gëzuar",
sqaron Eugen Smolar, nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Varshavë.

Sa i përket shpresave të Kievit dhe Tbilisit për anëtarësi në NATO, ato do të varen nga thellësia dhe shpejtësia e reformave në të dyja vendet dhe shpresa që erërat gjeopolitike do të jenë në favor të tyre.

"Mendoj se shpresa për në NATO dhe tek administrata e ardhshme Obama, lidhet me faktin se pas disa vitesh me gjysmëreforma Gjeorgjia dhe Ukraina ndoshta do të marrin reforma më serioze, duke u dukur dhe kandidatë më seriozë. E ndoshta dhe klima e përgjithshme politike do të jetë më e favorshme", pohon Lucas.

Ai shton se me gjithë vështirësitë nuk duket ide e çmendur se pas disa vitesh Ukraina dhe Gjeorgjia do të jenë anëtare të NATO-s.

"Nëse paramendoni se pas tre vjetësh do të mund të kemi një qeveri të qëndrueshme në Ukrainë, një udhëheqje të ndryshme në Gjeorgji, një Rusi të preokupuar me problemet e brendshme dhe një administratë amerikane që gëzon më shumë mbështetje, atëherë ideja e zgjerimit të NATO-s nuk duket aq e çmendur. Nuk po them se të gjitha çfarë thashë do të ndodhin me siguri, por ato janë të gjitha të mundshme", thotë Edward Lucas për REL.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG