Ndërlidhjet

A do të mbetet e pastrehë familja Ramadani?


Familja pesëanëtarëshe e Reshat Ramadanit, aktualisht banorë të Gjilanit, përballet me kushte të vështira të jetesës. Kryefamiljari i saj thotë se, përveç tjerash, problemi më i madh për të është se së shpejti mund të mbetet i pastrehë, për shkak se jeton në një objekt me qira dhe se pronari e ka paralajmëruar që ta lëshojë vendstrehimin. Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, thotë se asnjë banor i Gjilanit nuk do të mbetet i pastrehë.

-----

“Kam frikë se familja do të më mbetet në rrugë dhe e pastrehë”. Kështu thotë Reshat Ramadani, banor i Gjilanit, invalid i luftës, i cili bashkë me 4 anëtarë të tjerë të familjes është strehuar përkohësisht si qiramarrës në një shtëpi në rrugën “Xhemail Mustafa”, në Gjilan. Ai thotë se jeton në kushte tejet të vështira dhe me frikën, që, sipas tij, po zgjat me vite, se do të mbetet i pastrehë.

“Unë e kam 40 për qind shkallën e invaliditetit. Benificionin e kam 73 euro. E ku janë gjërat elementare, me ngrënë, me pi? Kushtet e rënda, shkurt, marre nuk ka, se gjendjen e kam ashtu. Unë kam jetuar edhe me ‘vitra’ (ndihma). Problemi është tash se unë nuk kam nga t’ia mbaj, sepse më ka ardhur afati ta lëshoj këtë shtëpi. Unë nuk di më kah t’ia mbaj. Jam lodhur me premtime... Vetëm me mëshirën e Zotit”, shprehet ai.

Për kushtet e vështira të jetesës dhe pasigurinë për të ardhmen, flet edhe bashkëshortja e Reshatit, Nazlija.

“Ne jetojmë në kushte shumë të vështira. E para është se nuk kemi strehim. Sado-kudo, kur të ketë njeriu diçka, të tjerat bëhen, por kjo është shumë e papërballueshme. Tash e 10 vjet jam nëpër shtëpi të huaja. Fëmijët i ushqejmë aq sa ka... jo mjaftueshëm. Miellin... atë që i japin shokët Reshatit. Duhet të lypim, më së shumti te shokët, ku të mundemi, në shitore. Përndryshe, vështirë. Fundja, vetëm të dalim në rrugë...s’kemi tjetër rrugë”, thotë Nazlija.

Ndryshe, zyrtarët e lartë komunalë të Gjilanit thonë se aktualisht në këtë qytet janë të evidencuara rreth 200 familje të pastreha, të cilat komuna i ka sistemuar në objekte të caktuara brenda qytetit. Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës së Gjilanit, thotë se lidhur me rastin e Reshat Ramadanit, organet komunale janë të njoftuara.

“E di që është një nga ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së paku kështu më është prezantuar mua, si dhe është i evidencuar në shoqatë. Është një rast, i cili banon me qira, diku në qendër të qytetit. Një herë kemi asistuar, unë personalisht kam asistuar me ndihmë te ai, te pagesa e qirasë. Por, kjo ka qenë një ndihmë ‘ad hock’. Do të thotë, nuk ka ndonjë ndihmë të përhershme dhe sistemore. Është paraqitur prapë këtyre ditëve dhe unë i kam premtuar që prapë do t’i ndihmojmë me mjetet që i ka në disponim komuna dhe kryetari i komunës”, tha Mustafa.

Në anën tjetër, Reshat Ramadani thekson:

“Qemajl Mustafa, i cili është kryetar, më ka pritur mirë, e falënderoj shumë vetëm pse ma ka folur një fjalë të mirë. Unë e kuptoj tërësisht se është i ngarkuar Qemajli. Ndërkaq, sa i përket Qeverisë (së Kosovës), nuk kam kurrfarë ndihme. Askush nuk ka ardhur të më vizitojë. Kam mbetur në mëshirën e Zotit dhe i vetmi ai e di gjendjen se si jam duke jetuar. Unë kërkoj prej komunës dhe prej Qeverisë vetëm të më gjejnë një strehim dhe vetëm t’i strehoj përjetshëm e të mos shkojë dikush që t’u trokasë në derë e t’u thotë ‘dil nga shtëpia’”.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, zoti Mustafa, thotë se asnjë qytetar i Gjilanit nuk do të mbetet i pastrehë.

“Unë e siguroj atë (Reshatin) dhe gjithë të tjerët që në rrugë, në Komunën e Gjilanit, nuk do të banojë askush dhe asnjë natë. Këtë ju siguroj, sepse komuna ka aq kapacitete sa për ndonjë muaj e ndonjë vit të sigurojë ndonjë qira diku për këto raste”,
tha Mustafa.

Sidoqoftë, ai tha se komuna është duke bërë përpjekje që të sigurojë ndërtimin e objekteve të banimit të përhershëm për të pastrehët në Gjilan dhe komuna ka mjaft tokë, e cila mund të dedikohet për ndërtimin e objekteve të tilla. Ndërkaq, Reshat Ramadani shpreson që kjo do të ndodhë së shpejti.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG