Ndërlidhjet

Rice: Pakistani do të ndihmojë hetimin e sulmeve


Sekretarja amerikane e shtetit, Condoleeza Rice, tha se qeveria e Pakistanit është e "përqëndruar dhe e përkushtuar" në ndihmën për hetimin e sulmeve të javës së kaluar në Mumbai të Indisë.

Rice i bëri këto komente në Islamabad pas takimit me presidentin Asif Ali Zardari, kryeministrin Raza Gilani dhe zyrtarë tjerë të lartë.

Rice fluturoi në Islamabad nga Nju Delhi në kohën kur marrëdhëniet Indi-Pakistan janë acaruar për shkak të sulmeve në Mumbai që lanë mbi 170 të vrarë.

"Gjeta një lidership të Pakistanit që e kupton rëndësinë e kapjes së autorëve të sulmeve, veçanërisht të çrrënjosjes së terroristëve, sepse të gjithë duan të parandalojnë sulme tjera në të ardhmen. Nuk u bisedua për aksion ushtarak, por u bisedua për mënyrën se si të trajtohet ky problem i veçantë", tha Rice.

Zyra e presidentit Zardari i tha sekretares Rice se Islamabadi do të ndërmarrë "aksion të fuqishëm" kundër çdo elementi të Pakistanit që do jetë përzier.

Rice i ndërmori këto vizita për të ulur tensionet midis dy vendeve që posedojnë armë bërthamore. India tha se sulmuesit jetonin dhe trajnoheshin në Pakistan.
XS
SM
MD
LG